Nga /Fjala.al/
Ngrohja nëpër shkolla dhe institucione është një prej problemeve më të mëdha që po përballet vendi në këtë mot me ngrica. Në fakt përveç problemit madhor nëpër shkollat e vendit, ku thuajse në përqindjen më të madhe të tyre nuk ka ngrohje, në të njëjtin hall janë edhe punonjësit e zyrave të shtetit. Në fokus është një takim i ministres së Ekonomisë në zyrën e Sigurimeve Shoqërore.
Përveç se zyra gjendet në një prej zonave më të pasura të Tiranës është edhe më afër qendrës së Tiranës. Në foton pas shpinës së ministres shihen dy punonjëse të cilat janë të mbështjella me rroba të trasha dhe me shall në zyrë duke iu shërbyer qytetarëve. Por nëse administrata e ka të pamundur të reagojë apo kërkojë të drejtat e veta, ato më elementaret për tu ndjerë të dobishëm në shërbimin ndaj qytetarëve,
Por problemi qëndron edhe nëpër shkolla. Burime konfidenciale i thanë gazetës fjala se janë disa shkolla në Tiranë që kanë kërkuar nga nxënësit dhe prindërit të hedhin lekët për të blerë ngrohëse ose kondicionerë. Në fakt askush nuk flet se ku shkuan taksat që mblidhen prej 5 vitesh në Tiranë.
Që nga viti 2016 deri në fund të vitit 2019 janë mbledhë rreth 6 miliardë lekë nga kjo taksë. Kjo shumë u tha se do të shkonte për rikonstruksionin e shkollave po në fakt ato janë dhënë me koncesion. Për pasojë tashmë fëmijët dhe prindërit në bashkëpunim do të paguajnë për të ngrohur klasat dhe shkollat. E nëse në Tiranë ky fakt edhe mund të bëhet prezent, ndonëse me vonesë për shkak të frikës që ekziston kryesisht nga prindërit që janë të detyruar të paguajnë, nëpër rrethet e ftohta ky problem ekziston ndër vite.
Ja kush e paguan taksën mbi infrastrukturën arsimore
Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Niveli i taksës sipas kategorive dhe nënkategorive është si vijon:
Për kategorinë 1 “Familjarët” detyrimi paguhet në 12 këste të barabarta, për çdo muaj përkatësisht në shumën 150 lekë për çdo familje. Ky detyrim do të evidentohet në faturën e konsumit të ujit. Likuidimi i kësaj pagese do të kryhet njëkohësisht me pagesën e konsumit të ujit”. Për kategoritë II. “Biznesi” detyrimi paguhet brenda datës 20 Prill.
Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 30 Prill është 30 ditë pas lindjes së detyrimit. Për subjektet e regjistruara rishtaz detyrimi tatimor do të llogaritet për çdo njësi ku subjekti kryen aktivitet nga muaji korrent i regjistrimit pranë QKR. Nëse subjekti taksapagues pushon veprimtarinë gjatë vitit detyrimi tatimor llogaritet duke shumëzuar taksën për vitin e plotë kalendarik me numrin e muajve të plotë gjatë të cilëve veprimtaria është kryer (përfshirë muajin korrent për të cilin është bërë kërkesa) dhe duke e pjesëtuar atë me 12 muajt e vitit kalendarik fiskal).
Lehtësira dhe përjashtime: Kategoritë e përjashtuara nga pagesa e taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore, ku përfshihen pensionistët,veteranët, invalidët e punës e luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbrit dhe të sëmurët tetraplegjik e paraplegjikë, për të mundësuar këtë përjashtim, duhet të dorëzojnë pranë zyrave të strukturës tatimore dëshminë e gjendjes së tyre dhe konkretisht: – Dokumentin që vërteton kushtin që të jenë kryefamiljarë dhe pa persona të tjerë madhorë përveç bashkëshortit ose bashkëshortes, në certifikatën familjare.
Taksapaguesit detyrimin e taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore për kategorinë “Familjarë”, e paguajnë pranë Ujësjellës Kanalizime Sha!