Inspektorati Kombëtar i Mbikëqyrjes së Territorit ka dalë publikisht duke reklamuar mekanizmin me të cilin do të realizohet shembja. Madje edhe orën dhe të gjitha detajet. Në foton e publikuar në llogarinë e këtij institucioni është edhe ndërtesa që do të shembet.
IKMT do të vijojë edhe ditën e sotme aksionin në zonën e Astirit, në Tiranë, për të shembur të tjera ndërtesa, që preken nga projekti i Unazës së Madhe.
Në një njoftim në “Facebook”, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit njofton se pasditen e sotme, në orën 15:30, do të shembet me shpërthim të kontrolluar një objekt 6-katësh.
“IKMT do të shembë sot në orën 15.30 me shpërthim të kontrolluar një objekt 6 katësh në zonën e “Astir” në gjurmën ku do të kalojë “Unaza e Re”. Në trupin e objektit janë hapur 250 furnela (vrima) ku do të vendosen 10 kg lëndë plasëse”, thuhet në njoftimin e IKMT.
Ditën e djeshme, IKMT shembi pesë ndërtesa të tjera, ku fatmirësisht aksioni ishte i qetë dhe pa rezistencën e banorëve, ndonëse zona ishte rrethuar me polici dhe qarkullimi u bllokua për disa orë. /Fjala.al/