Ndahet nga jeta Fehmi Hoshafi, regjisori i “Kapedanit”

Regjisori i mirënjohur shqiptar Fehmi Hoshafi është ndarë nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Fehmi Hoshafi lindi më 28 shtator të vitit 1934 në Tiranë.

Ai filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, 1964; Vitet e para, 1965; Oshtimë në bregdet, 1967; Gjurma, 1970.

Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik.

Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo.

Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: “Ëndërr për një karrige”, 1984 dhe “Zëvendësi i grave”, 1987.

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët dhe filmi “Shoku ynë Tili” i cili nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali.

FILMOGRAFIA

1967: Estrada në ekran

1972: Kapedani

1976: Thirrja

1980: Dëshmorët e monumenteve

1981: Shoku ynë Tili

1983: Dritat e qytezës

1984: Ëndërr për një karrige

1985: Melodi e pandërprerë

1987: Zëvendësi i grave

1987: Në emër të lirisë

1989: Pas takimit të fundit