Droga ose e pathëna e atentateve dhe krimeve monstruoze në vend

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Nikoleta Kovaçi

Dy atentate të bujshme tronditën vendin. I pari, në Tropojë, ktheu frikën. Paralel me ekzekutimin e bujshëm nisi heshtja; askush nuk mund të flasë për një vrasje që pas 18 vitesh trazon ujëra të fjetura hasmërie. Ktheu ankthin, se janë zgjuar mëritë e janë rritur ata që atëherë ishin të vegjël. Ndërsa policia u detyrua ta shihte ngjarjen nga një këndvështrim për të cilin nuk mund të fliste dot, prokuroria thjesht mblodhi disa të dhëna e dëshmi. Njerëzit, të bindur se viktima nuk ishte njeriu për t’u vrarë, treguan të dhëna të përditshmërisë së Guxim Gjyriçit. Përpos faktit që ishte kushëri i dytë i Fatmir Haklajt dhe vëllai i Agron Gjyriçit, Guximi ishte burri i urtë dhe mjaft i gjendshëm për të gjithë, të njohur dhe të panjohur. Ekzekutimi i bujshëm i tij u mbajt fshehur për më shumë se 8 orë, ndërsa policia gjithçka që mundi të gjente për atë krim ishin pamjet filmike dhe makina e atentatorëve e braktisur dhe e djegur në Golaj të Hasit. Kjo ishte e gjithë data 6 janar, ndonëse ekzekutimi ndodhi orëve të vona të datës 5.

Atentati tjetër

Të nesërmen, kur ende vendi ishte nën ethet e asaj çka kishte ndodhur në Tropojë, pa autorë, motive e as pista hetimi, në Rrëshen ndodh një atentat që shihet vetëm nëpër filma. Ekzekutohet një person me lidhje të forta politike dhe ekonomike. I njohur në biznes, media e, pse jo, edhe i përfolur si pronar magazinash droge. Emri i tij u lakua jo pak herë për trafik, por vrasja e një vëllai, vite më parë në Romë, kishte hapur një vijë të re hakmarrjeje. Policia dhe prokuroria nuk vonuan të publikonin pak të dhëna që lidheshin me atë plumb që i mori jetën Kastriot Reçit nga tarraca e një ndërtese. Aty, pikërisht ku ishte vendosur arma precize, u tha se ishte banesë e një tjetër viktime. Dyshohej se ishte pjesë e zinxhirit të hakmarrjes mes palëve. Por, kodi i heshtjes në atë zonë është përlyer edhe me përplasje të fuqishme interesash mes dy palëve që mendohet dhe dyshohet se janë në betejën për të mos e ndaluar hakmarrjen. As për këtë ngjarje organet e hetimit nuk patën dhe as nuk kanë asnjë të dyshuar, asnjë të ndaluar e asnjë motiv zyrtar për ta hetuar.

Krimet makabre

Por, si çdo fillim viti, Shqipëria nuk mund të mbeste pa provuar, përveç atentateve, edhe krimet monstruoze. Zhdukja e një gruaje pa gjurmë në një fshat të Mallakastrës, “vetëdorëzimi” i një adoleshenti që kishte dijeni për rrethanat dhe gjetja e trupit në ujërat e një rezervuari ishin vetëm fillimi i njohjes me një krim që i kalon kufijtë e çdo imagjinate njerëzore. Dy adoleshentë dhe një i ri, nën efektet e drogës dhe të alkoolit, kishin shkuar t`i merrnin ndonjë lekë Drita Saliajt, gruas që jetonte vetëm. Pasi u kishte bërë kafe dhe u kishte dhënë edhe bukë, gruaja është sulmuar nga djemtë. Po, përveç dhunës fizike, mjekët ligjorë zbuluan edhe aktin tronditës: Gruaja ishte abuzuar edhe seksualisht! Policia, bazuar në rrëfimin e njërit prej protagonistëve, e kopsiti ngjarjen duke i çuar të tre në pranga, por la pas një boshllëk të madh për sa i përket motivit të ngjarjes.

Autorët e ngjarjes makabre, meqë kishin kohë ta mendonin justifikimin, nxorën në pah një ngarkesë hashashi. Askush nuk dinte të thoshte se ç’hynte hashashi në banesën e një gruaje që nuk i kishte familjarët në shtëpi! Por, në fakt, djemtë kishin shkuar t`i merrnin para Dritës, pasi e dinin se ajo kishte familjarët jashtë dhe duhej t`i kishin dërguar ndonjë për Vitin e Ri. Por, përpos deklaratave tronditëse të familjarëve të autorëve të vrasjes, burimet nga vendi i ngjarjes treguan se bëhej fjalë për persona që janë jo vetëm hajdutë, por edhe drogaxhinj dhe përdorues alkooli. Ngjarja vazhdon të trondisë, po askush nga ana e zyrtarëve të policisë nuk e thotë shkakun se përse ndodhi masakrimi, përdhunimi dhe vrasja e Drita Saliajt.

Kur gjithë vendi ziente nga dëshmitë horror e të njëpasnjëshme që vinin nga të gjithë njohësit e autorëve të masakrës së Mallakastrës, Paskuqani zgjohet nën një tjetër krim të llahtarshëm. Një 35-vjeçar, nën efekte alkooli dhe hashashi, kishte shkuar te shtëpia e kunatës dhe e kishte vrarë. Goditjen fatale ia kishte dhënë në qafë. Dëshmitare e ngjarjes ishte edhe vajza e saj, mbesa e vrasësit. Ai, pasi e kreu krimin, iku në shtëpinë e kushëririt, në Don Bosko. Sigurisht, policia në atë kohë “flinte”. Më pas fjeti edhe vrasësi, deri orëve të mesditës. I qetë, me një tis pafajësie vizive, ai mori biçikletën dhe doli të bënte edhe një xhiro për të kuptuar nëse dyshohej për ndonjë gjë. Por thellë vetes ishte i bindur që kishte bërë gjënë e duhur, meqë kunata i tradhtonte vëllain, ky i fundit gjendej në burg për trafik droge. Dëshmitë e tij kontradiktore nuk bënë asgjë, vetëm ushqyen median dhe e vunë atë nën akuzë. Sërish nuk doli as motivi dhe as shkaqet që e çuan të riun nga Përmeti të kryente një krim të tillë.

Droga, “arma” që vret shqiptarët

Larje hesapesh, prishje pazaresh, konflikte banale, motive të dobëta. Këto janë katër togfjalëshat që përbëjnë motivin në shkresat e policisë dhe të prokurorisë në thuajse të gjitha ngjarjet e rënda që ndodhin në vendin tonë. Por, asnjëherë nuk flitet konkretisht për prishje pazaresh për trafikun e drogës, për larje hesapesh për paratë e drogës, për konflikte banale në fushën e kultivimit të drogës e për motive të dobëta që lidhen me përdorimin e drogës. Atentatet dhe ngjarjet e rënda kriminale që kanë ndodhur këtë fillimvit kanë qasje droge. Lidhjet nuk janë rastësore. Janë të shumta elementet që i çojnë të gjitha ngjarjet te droga, trafiku, pazaret, bashkëpunimi dhe përdorimi. Asnjë zyrtar policie dhe as prokurorie nuk e pranon këtë fakt. Askush nuk e analizon. Droga, trafiku dhe pazaret vazhdojnë. Sociologët, psikologë, mjekë apo njerëz me impakt të veçantë në shoqërinë shqiptare nuk ftohen studiove televizive të analizojnë dukurinë e drogës që vret shqiptarët. Të gjithë qëndrojnë pas: “Ç`më duhet mua, kjo është punë e strukturave shtetërore!” Edhe shteti hesht. Trafiku i drogës i pasuron të fortët që mbështesin qeverinë. Nëse vriten, ata janë popull. Edhe nëse ndonjë viktimë është afër tyre, sërish thuhet: “Kokat hëngshin!”

Lexo edhe :  Pakti trepalësh, projekte energjie në shkallën gigavat në Shqipëri

Koha e mbjelljes po afron, ndërsa shqiptarët vijojnë të punojnë për të tjerët dhe të vriten për hasmëritë e tyre që kanë hapur dhe mbartur prej një jete.

Dëshmia e Erdet Çapokut një ditë pas vrasjes së kunatës, Enkeledës

“Ditën e djeshme unë e kam lënë punën pasdreke, kam shkuar në banesën ku jetoj me qira, jam ndërruar dhe kam dalë tek ‘Ura e Ngushtë’ në anën e Laprakës, piva kafe e u ktheva në shtëpi. Kam marrë një bisht druri sqepari që e kisha në shtëpi (e mbaja si masë mbrojtëse), mora një thikë që e kisha në banesë, dola, shkova tek ‘Ura e Ngushtë’ te lokali në anën e Paskuqanit, piva një birrë dhe një raki dhe shkoi ora 23:30 dhe jam nisur për te banesa e kunatës sime, Enkeledës. Kam shikuar rrotull, nuk kishte njeri. I kam rënë derës me sup dhe u futa brenda, pasi e dija që shuli nga brenda ishte i dobët dhe kam shkuar direkt te krevati te dhoma e gjumit.

Unë e dija që Xhevahire Fjolla flinte te krevati tek dhe Enkeleda me vajzën te krevati dopio. Kam qëlluar me shkopin e drunjtë një herë në krahë Xhevahiren, që të mos ngrihej, pastaj kam goditur në fillim me shkopin e drunjtë Enkeledën dhe kur ajo reagoi u ngrit, mua m’u errën sytë dhe kam nxjerrë nga brezi thikën dhe e kam goditur pa e ditur se ku disa herë, por se sa nuk e kujtoj.

Pastaj kam dalë, kam marrë biçikletën, kam shkuar tek ‘Ura e Ngushtë’ dhe kam dalë në Laprakë. Kam shkuar te banesa e shtetasit Apostol Bitika, që e kam djalë daje. Rreth mesnatës, nuk i kam treguar se çfarë kisha bërë dhe jam ulur direkt në gjumë. Kunatën e vrava, se dyshoja se tradhtonte tim vëlla me meshkuj të tjerë. Po edhe më denoncoi në polici. Unë e kisha mbajtur edhe me lekë atë. Ajo donte të më fuste në burg, vetëm pse unë i zbulova lidhjet e dashurisë. I kisha thënë se do ta vrisja. Po s’i kam thënë kur”.

Rrëfimi i plotë i 16-vjeçarit, Luis Saliaj: Si u vra Drita

“…Kam dalë nga shtëpia e gjyshit dhe kam shkuar në autostradë, ku kam pritur në këmbë, derisa aty erdhi Sindi Shehaj, me automjetin e tij, ku me vete kishte marrë edhe Ervisin. Hipa në makinën e Sindit dhe Ervisi, i cili ishte pasagjer në vendin e parë të makinës, dhe më tha që ‘…do të ikim të marrim hashash në shtëpinë e Dritës, gruas së Hair Saliaj…’. Sqaroj se Drita Saliaj është gegeja ime, pasi i shoqi i saj Hair Saliaj është kushëri i parë me babanë tim. Unë u thashë Sindit dhe Ervisit, ‘Mua mos më ngatërroni me këto gjëra’, por Ervisi më qëlloi me pëllëmbë në fytyrë duke më sharë: ‘Mbylle gojën se të q… robt”. Kur erdhëm në fshatin Gjerpës, rreth orës 00:30 të datës 5 janar 2020, u afruam te shtëpia e Dritës, duke i rënë nga rruga prapa shtëpisë së saj, ku mua më lanë te puseta që ndodhet 20 metra pas shtëpisë së Dritës, ndërsa vetë Sindi me Ervisin e kanë lënë makinën e tyre te porta e vogël, pas shtëpisë së saj. Ervisi me Sindin kanë hyrë në avllinë e shtëpisë së Dritës dhe kanë trokitur te dera e shtëpisë, ku unë pashë dhe dëgjova që Ervisi i ra derës dhe i tha nga jashtë: ‘Drita, jam unë, Visi’.  Më pas, kam parë që Ervisi me Sindin e kanë nxjerrë Dritën të lidhur nga duart prapa dhe këmbët me spango. Unë kam vajtur te vendi ku ishte makina e tyre dhe në kohën që po fusnin Dritën, të lidhur brenda në makinë, u them: ‘…Çfarë po bëni ore, çfarë bëni….?’, por Ervisi më godet me shqelm duke më rrëzuar përtokë dhe duke më sharë më thotë: ‘Do ta vrasim, prandaj mbyll gojën të q… robt dhe dil me vrap te kodra sipër’. Në atë moment, që ata po fusnin Dritën brenda në makinë, pashë që Drita kishte të veshur një bluzë si të kuqe dhe pantallona me ngjyrë të zezë. Pasi e futën Dritën të lidhur në sediljen e pasme të makinës së Sindit, Sindi u ul në sediljen e shoferit, ndërsa Ervisi u ul në sediljen e parë të pasagjerit dhe u larguan me automjetin e tyre në drejtim të liqenit të Çerjes. Unë jam larguar i vetëm në këmbë në drejtim të Povlës dhe pas afro një orë, Sindi me Ervisin më gjetën në rrugë duke ecur te benzinata në Povël dhe më kanë kërkuar që të hipja në makinën e tyre. Më pas më kanë çuar te lokali 24-orësh në Poçem, ku edhe më kanë zbritur. Kur më zbritën, Ervisi më tha: ‘Mos më dil më përpara syve’, dhe së bashku me Sindin, u larguan për në drejtim të rrugës së Hekalit, që shkon për në Ballsh. Unë më pas kam pirë i vetëm kafe te lokali 24-orësh në Poçem dhe rreth orës 05:30 ka ardhur përsëri Sindi me automjetin e tij te lokali 24-orësh në Poçem. Kam hipur në makinën e tij. Në atë moment, Sindi më tha që Ervisin e la në Hekal, pasi atje kishte lënë makinën e tij. Më pas Sindi më çoi te shtëpia e gjyshit tim në Roms dhe pas kësaj, ai u largua. Që nga ai moment që Sindi më çoi te shtëpia e gjyshit e deri ditën e sotme, unë nuk jam takuar dhe nuk kam komunikuar as me Sindin dhe as me Ervisin. Në mbrëmjen e datës 6 janar 2020, unë i kam thënë nënës sime Mimoza se çfarë kishte ndodhur me Dritën dhe pas kësaj, nëna komunikoi me xhaxhanë tim Rakip Saliaj që jeton në Fier dhe të tre më pas kemi vajtur për të informuar për ngjarjen e ndodhur te Komisariati i Policisë Mallakastër”. /Fjala.al

Të fundit

Mënyra më efektive për t’u lehtësuar në situata stresuese

Kur përballeni me një situatë stresuese, mjafton të mendoni për partnerin tuaj. Një veprim i tillë, nënvizon një studim...

Trupi ju sinjalizon vetë për problemet që vuan. Ja çfarë tregon kolla e vazhdueshme…

Kolla është mekanizmi më efikas i trupit për të nxjerrë çdo substancë që futet në mushkëri dhe acaron rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, nëse ajo...

Kush do të jetë trilioneri i parë në botë?

Lërini anash miliarderët, sepse trilionerët e parë janë në rrugën e tyre. Pesë njerëz pritet të grumbullojnë të paktën 1 trilion dollarë pasuri brenda...

Vrasjet e 21 Janarit/Balla: Nuk kemi ndenjur të heshtur e as indiferentë! Presim drejtësi

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, mori pjesë sot në homazhet për viktimat e 21 janarit. Në përvjetorin e 14-të të...

Nderim për Rugovën/ Homazhe në 19-vjetorin e vdekjes se ish-presidentit legjendar

Ky 21 janar shënon 19 vite nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe ambasadorët e akredituar, kanë...

Lajme të tjera

Web TV