Ish deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi, me anë të një statusi në Facebook ka bërë komentin e tij lidhur me ngjarjet historike të 21 janarit ndër vite. Duke sjellë në kujtesë çdo 21 Janar që ka lënë gjurmë në histori, Patosi ka vënë theksin se secili ka zgjedhur janarin e vet.
Që nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1920, te vdekja e themeluesit të shtetit të Kosovës Ibraim Rugova në vitin 2006, e deri te 21 janari i vitin 2011 kur në bulevard u vranë 4 protestues, Patosi ka renditur një nga një ngjarjet. Dhe kane kaluar plot 100 vite që nga 21 janari i Kongresit të Lushnjës e deri në 21 Janarin sot, të cilat sipas tij janë shumë për të mos nxënë.
Patosi shton më tutje se vlen jo vetëm për 21 Janarin por për çdo datë tjetër në kalendar se askush nuk do të gjykohet nga ato që thotë për veten por ato që ka bërë për popullin e vet.
Statusi i Plotë i Patozit:
SECILI KA ZGJEDHUR 21 JANARIN E VET
Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet, jo për të respektuar vlerat dhe parimet që mbron, por për t’ia përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit. Madje edhe kur flitet për një vdekje të qetë në shtrat si ajo e themeluesit të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sërish kihet parasysh armiku i sotëm.
Do të mjaftonte kjo ndarje preferencash përkujtimore dhe rrëfimet diametralisht të kundërta të “veteranëve” për ta ndjerë veten të turpëruar si shqiptarë. Në këtë ditë krenaria për Kongresin e Lushnjës do të kishte kuptim vetëm për nxënësit e fillores, sepse gjithë të tjerët do ta krahasonin automatikisht me parlamentin e sotëm dhe do të ulnin kokën.
100 vjet janë tmerrësisht shumë për të mos nxënë se në një vend normal patriotët dhe tradhtarët nuk e emërojnë vetë njëri-tjetrin dhe se engjëjt apo djajtë e kulluar nuk ekzistojnë.
Por mbi të gjitha, se askush nuk do të gjykohet nga ato që thotë për veten dhe për ata që ka përballë, por vetëm për atë që ka bërë për popullin e vet. Dhe kjo vlen për 21 janarin dhe për çdo datë tjetër me të kuqe apo me të zezë të kalendarit tonë.
Koha ikën shpejt dhe ajo është gjithmonë e pamëshirshme për gënjeshtarët./Fjala.al