Artan Hoxha është gazetari që publikoi videon e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, duke konsumuar lëndë narkotike në një lokal.
Në studion e ‘Abc News’, gazetari paralajmëroi Policinë që të tregohet vigjilente pasi njerëz të caktuar kanë kërcënuar familje të ndryshme me vdekje, në mënyrë që ajo video të mos publikohej.
“Unë bëj një profesion që e kam zgjedhur ta bëj dhe e di shumë mire që të përballesh dhe të publikosh të vërtetat që shkaktojnë dëme sigurisht që do të ketë reagime. Dje gjatë gjithë ditës dhe darkës, sot për arsye shëndetësore nuk mbërrita dot te Enkeli. Por ka pasur shumë ndërhyrje. Ti qëndrosh ballas të vërtetës, është e vështirë.
Unë do t’i kërkoj meqë jam në studio policisë së qarkut Dibër dhe Tiranë që të ketë në vigjilencë dhe në në shikim para syve sot se nëse do ketë ngjarje pas publikimit të videos po them edhe njëherë persona që do guxojnë ta bëjnë këtë, mbi ta do ketë pasoja shumë të rënda sepse kanë kërcënuar me jetë njerëzish dhe kanë kërcënuar me jetë familje për t’i zhdukur dhe shfarosur vetëm e vetëm që të mos publikohet ky material. Janë njerëz që ata mendojnë se mund të jenë të përfshirë në këtë histori”, tha Hoxha, duke shtuar se edhe vetë personalisht ka marrë kërcënime të formave të ndryshme.
Lefter Alla ka mohuar se video është origjinale, ndërkohë që Partia Demokratike kërkon shkarkimin e tij të menjëhershëm.