Shqipërinë e kanë vizituar gjatë vitit 2019 një numër rekord prej 6.4 milionë të huajsh, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT.
Edhe gjatë muajit dhjetor, pasi Shqipëria u godit nga tërmeti, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 288.708, krahasuar me Dhjetor 2018 ky numër është rritur me 2,9 %, por që kryesisht ishin grupet që erdhën të ndihmojnë vendin për të përballuar pasojat e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Në total, për vitin 2019, hyrjen më të larta të të huajve e kishin shtetasit nga Kosova, që përbënin 35% të totalit. Në vend hynë 2.2 milionë shtetas nga Kosova në 2019-n, me një rritje prej 7.5% në raport me vitin e mëparshëm.
Në vend të dytë ishin shtetasit nga Maqedonia, që përbënin rreth 12% të totalit. Nga Maqedonia erdhën 753 mijë shtetas, me rritje 11% në raport me vitin e kaluar.
Më pas renditen Greqia e Italia, me përkatësisht 9.3 dhe 7.3% të totalit, ku një pjesë të madhe e përbëjnë emigrantët shqiptarë që kanë marrë pasaporta greke apo italiane.
Në vend të pestë është Mali i Zi, me 5.7% të hyrjeve.
Nga të pesta këto vende erdhën në total rreth 70% e shtetasve të huaj, duke qenë potencial i turizmit masiv.
Rritje të ndjeshme shënuan gjermanët, hyrjet e të cilëve ishin 16% më të larta, duke përbërë 2.6% të totalit.
Të vetmit me rënie ishin polakët, hyrjet e të cilëve ranë me 14% në 2019-n, pas rritjes dyshifrore dy vitet e mëparshme. Në 2019-n erdhën 132 mijë polakë, ose 21 mijë më pak se një vit më parë.