Ju “bien në qafë” tatimet, ja ku të ankoheni

Aksioni aktiinformalitet ka qenë fokusi kryesor i punës së tatimeve në thuajse 6 muajt e fundit. Kontrollet e shpeshta kanë vënë nën presion bizneset, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk dinë as ku të ankohen për sjelljen e punonjësve të tatimeve. Për t’i ardhur në ndihmë bizneseve funksionon zyra e avokatit të tatimpaguesve.

Çdo tatimpagues, grup tatimpaguesish, apo shoqatë biznesi, mund t’i drejtohet Avokatit të Tatimpaguesve kur pretendon se u cënohen të drejtat tatimpaguesve të veçantë apo një grupi tatimpaguesish, nga veprime ose mosveprime të administratës tatimore, apo sjellje e punonjësve të veçantë të administratës tatimore, të tilla si në:

1. Administrimin e tatimeve, si vonesa administrative të paarsyeshme apo gabime të zyrtarëve tatimorë, që nuk janë zgjidhur në mënyrën e duhur nga administrata tatimore pas paraqitjes së ankesës nga tatimpaguesi;

2. Mosrespektimin e procedurave tatimore apo shkeljes së procedurave tatimore nga zyrtarët tatimorë;

3. Mosdhënien e informacioneve të kërkuara, përsa lejohet nga legjislacioni tatimor;

4. Moslëshimin e vërtetimeve nga organi tatimor, kur kërkohen nga tatimpaguesi;

5. Mosofrimin e asistencës së kërkuar lidhur me legjislacionin tatimor dhe që lidhen me detyrimet e tatimpaguesve, kur ata kanë paqartësi në njohjen dhe zbatimin e tij;

6. Sjellje që cënojnë, denigrojnë apo fyejnë tatimpaguesin.

Çdo vendim për të ndërmarrë masat korrigjuese i takojnë administratës tatimore dhe jo Avokatit të Tatimpaguesve. Në rast se nuk gjendet zgjidhje për një çështje të caktuar, Avokati i Tatimpaguesve gëzon të drejtën ta ngrejë nivelin e verifikimit dhe të investigimit deri në nivelin më të lartë të drejtimit të administratës tatimore, që është Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.