Një ditë në “Shkollën e Qenve”/ Njihuni me Brand-in e shokët e tij agjentë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazeta “Fjala” zbulon çfarë fshihet pas mureve të Institutit të Përgatitjes së Qenve, të cilët përdoren në operacionet e policisë

Alessia Selimi

Nuk iu lakua rishtazi emri në media, ashtu sikurse mikut të tij nga Kosova, “Sadak”. Madje, nuk qe as pjesë e një ceremonie dekorimi. Por, “Brandi” nuk mban mëri.  Në një hapësirë të pakët, ku vëmendja tërhiqet veçse nga një tas bosh e metalik, shikimi i heroit me katër putra shtrihet tutje. 5-vjeçari  nuk leh. Me ç’kuptohet, prania e të huajve nuk e shqetëson. Jemi ndalur përballë kafazit të tij, jo më kot. “Brandi” u pikas nga qytetarët e Durrësit gjatë ditëve kur ekipet e shpëtimit gërmonin në gërmadhat e pallateve të shembura, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Përmes shqisës së zhvilluar të nuhatjes, ishte pikërisht ai që lokalizoi personat e gjallë nën rrënojat e një ndërtese 6 katëshe. I vetmi i trajnuar në Slloveni për kërkim personash nën rrënoja, “Brandi” ka lindur dhe është rritur në ambientet e Institutit të Përgatitjes së Qenve. Pikërisht këtu ndodhet “Fjala”.

Lama, Deni,Uga, Epsi, Kueni, Pega, Kif, Asa, Lisi e Ira…Këto janë disa nga miqtë e “Brandit”, të cilët nuk i kursejnë aspak të lehurat. E teksa zhabërzhyejnë lëkurën në çimenton e kafazeve të akullta, mjeku i Institutit, Vladimir Balla, na njeh me rrugëtimin e tyre, si dhe të të gjithëve “agjentëve” të tjerë.

“I kemi kushtuar një hapësirë të posaçme nënave dhe këlyshëve të tyre, pasi  ata duhet të qendrojnë së bashku përreth dy muaj; kaq kërkohet që i vogli të fuqizohet me qumështin e nënës. Qenushët shkëputen për të kaluar në një tjetër sektor, ku i nënshtrohen testimit, vlerësimit dhe kualifikimit”-thotë Vladimiri, duke theksuar se  qentë përgatiten me lojëra të ndryshme, duke qendruar gjithashtu rreth 3-4 orë në natyrë, si dhe bëhen të bindshëm ndaj urdhrit të njeriut, deri kur shkojnë afro 1 vjeç.

Më tej, shton se qentë e kualifikuar ndahen në specialitete të ndryshme, si  në kërkim dhe zbulim lëndësh narkotike, eksplozivë dhe armë, gjurmues-patrullues, në kërkim dhe zbulim kartmonedhash, si dhe për raste fatkeqësish natyrore dhe urbane.

“Pasi shkëputen nga nënat, qentë pajisen me një librezë, e cila i shoqëron përgjatë gjithë jetës. Ajo përmban emrin, datëlindjen , si dhe numrin unik të identifikimit, që vjen përmes skanimit të mikrocipit”-vijon Vladimiri, duke shpjeguar se ky i fundit është një transmetues i vogël me madhësinë sa një kokërr orizi, mbuluar me një mbështjellëse silikoni për ta bërë të pranueshëm dhe të paluftueshëm nga antitrupat.

Vladimiri, i cili punon prej 10 vitesh si veteriner, ndalet edhe tek fati i qenushëve të dobët. “Përgjithësisht, bëhet fjalë për një numër të vogël, që nuk i plotësojnë parametrat teknikë. Ata nxirren në ankand nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Pronës Publike. Me një çmim që varion nga 8 000 deri në 15 000 lekë, të interesuarit për blerje duhet të paraqesin një sërë dokumentesh pranë komisionit të ankandit”-shprehet ai, teksa hedh vështrimin drejt tre këlyshëve të vetëm që ka Instituti i Përgatitjes së Qenve.  “Riprodhimi i vazhdueshëm, sigurohet vetëm në sajë të prurjeve të reja. Ne nuk kemi patur mundësi, sepse jemi në varësinë e buxhetit të shtetit”-shton Vladimiri, pa e shtruar ende pyetjen përkatëse.

Lexo edhe :  Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara në Himarë

Ndërkohë që bashkëbisedimi ynë vijon,  dy punonjës po i ushqejnë pastorët gjermanë dhe belgë me ushqim të gatshëm, të konservuar, në bazë të moshës dhe peshës trupore, si dhe po i ndërrojnë ujin.

Nënkomisari Xhelil Zika, specialist i përgatitjes së qenve, na bashkohet. Ai di historinë e çdo “agjenti”. Me një përvojë gati 20-vjeçare, Zika pohon se arrin të dallojë se cili prej tyre do të bëhet i suksesshëm në misionin e tij. “Qentë trajnohen me programe të veçanta, rreth 4 muaj, të huazuara nga vendet e Bashkimit Europian dhe të përshtatuara për kushtet tona.  Një qen i mirë, është ai që i bindet urdhrit të shoqëruesit të tij. Në të kundërt, nuk ka premisa për t’u bërë një “agjent” i mirë. Lodra, është një tjetër element identifikues. Nëse qeni e dashuron topin e tenisit, atëherë ai ka premisa për t’u bërë shumë i aftë”-thotë nënkomisari Zika, duke nënvizuar se qentë bëjnë çdo ditë stërvitje për të mos humbur aftësitë apo reflekset. “Ata e dinë se çfarë duhet të kërkojnë kur dalin në aksion. Në momentin që qeni ndien erën e drogës dhe lëndëve të tjera, që është specializuar, ulet dhe nuk lëviz deri sa policia ta gjejë. Qentë nuk janë agresivë dhe të rrezikshëm për qytetarët. Ata e kryejnë punën e tyre, pa shfaqur rrezik”-shprehet Zika.

Pyetjes nëse ka një qen të preferuar, nënkomisari nuk arrin dot t’i japë një përgjigje konkrete. “Unë nuk mund t’i ndaj dot, pasi përpiqem që të arrij maksimumin për secilin prej tyre. Për vet faktin se kam pothuajse 20 vite në Institut, nënkupton se për mua s’bëhet fjalë për një profesion që më sjell të ardhura, por për një profesion të dashur…”-thotë Zika, ndërkohë që i drejtohet qenve të plakur; atyre që janë pothuajse 10 vjeç dhe që i kanë kryer dikur shërbimet e tyre.

Fillesat e institutit regjistrohen në vitin 1950.Kursi i parë i trajnimit të shoqëruesve me qen shërbimi u hap më 15 gusht të po të njëjtit vit, nën drejtimin e një këshilltari çek. Pas viteve ’90, me ndryshimin e sistemit, ndodhën një sërë proçesesh demokratike, si lëvizja e lirë e popullsisë, rritja e numrit të krimeve dhe kryesisht trafikimi i lëndëve narkotike, prostitucioni, rrëmbim personi, përdorimi i lëndëve plasëse, etj. Niveli i përgatitjes së qenve të policisë nuk iu përgjigjej kërkesave për këtë lloj shërbimi.

Kësisoj, Instituti i Përgatitjes së Qenve të Policisë u organizua në mënyrë tërësore, duke marrë trajtën aktuale., duke patur në skuadër të agjentëve edhe një si “Brandi” i cili nuk mban mëri, edhe kur nuk i lakohet rishtazi emri në media.

 

 

 

 

 

Të fundit

Avokati paralajmëron padi të re ndaj Berishës: Falsifikoi datën e lindjes

Një tjetër kallëzim penal për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të përfundojë në SPAK. Është avokati Idajet Beqiri, i cili...

30 vjet pas publikimit, ja sa fiton “All I Want for Christmas” e Mariah Carey në një vit

Kur Mariah Carey, në vitin 1994, këndoi “All I Want for Christmas Is You”, ajo me siguri nuk mund ta imagjinonte që kjo këngë...

Zgjedhjet 2025, Rama bën koordinator elektoral në Vlorë ish-drejtorin e Policisë (EMRI)

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është prezantuar disa ditë më parë në Vlorë si një nga koordinatorët elektoralë të PS-së. Veliu...

“Altin Dumani, hero i vitit”, Minxhozi: Ka krijuar pritshmëri dhe shpresë!

Analisti Skënder Mixhozi dke analizuar vitin që po lëmë pas, deklaroi se heroi i vitit në Shqipëri është drejtuesi i SPAK Altin Dumani. Në një...

Denoncuesi “anonim” i Veliajt dhe opozitarët e marrë me qira kundër tij

Nga Mero Baze Janë detaje që tregojnë këmbënguljen për ta linçuar, pas të cilës qëndron një vullnet politik që ka gjetur mbështetje dhe tek prokurori...

Lajme të tjera

Web TV