Nga Adriatik Coli tek Endrit Dokle, si u liruan katër vrasësit e bandës të dënuar me burgim të rënda. Kontratat e punës për Lul Berishën e Doklen, njëri te “Kullimi” e tjetri te “Ndërtimi”
Nga Nikoleta Kovaçi/ Messhkurt 2015! Fiton lirinë një prej personave që me dëshminë e tij tronditi gjithë vendin. Madje, ishte ndër të parët që pranoi të rrëfehej nën statusin “i penduari”. Rrëfeu krime, vrasje, atentate, dhunime, trafiqe, pazare e deri abuzime dhe fitoi mundësinë e një lirie të shpejtë. Madje, rrëfimi i tij çoi pas hekurave 16 persona, të quajtur dhe ashtuquajtur Banda e Durrësit!
Ky ishte Adriatik Coli. Të gjithë kapot e kësaj bande që ishin në pranga, kishin marrë vendime të mëdha dënimesh, disa prej tyre, përfshi edhe dy drejtuesit-rivalë, burgime të përjetshme. Por dalja në liri e rrëfyesit të krimeve të bandës duket se ka ngacmuar edhe drejtuesit, ku pas tij, vetëm një vit më vonë del Lulëzim Berisha.
Bashkëngjitur kërkesës së tij për liri, në Gjykatë, erdhën edhe dy dokumente të tjera: njëra ishte një kontratë pune dhe tjetra ishte një epikrizë që tregonte se gjendja shëndetësore e të burgosurit ishte e rëndë. Në Gjykatë, në dosjen që do të plotësonte kërkesën për liri të Berishës ishte edhe sjellja e tij shembullore, mosmundësia e familjes së tij për të jetuar pa të e rehabilitimi i plotë i të burgosurit.
Kërkesën për punë ia kishte lëshuar ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Madje, në kërkesë përcaktohej edhe vendi i punës së tij: te sektori i kanalizimeve në Bashki! Për pasojë Lulëzim Berisha e la qelinë. Zhurmë e madhe e pasoi lirimin. U ndëshkuan gjyqtarë, drejtues burgjesh e ndonjë rojë burgu, por Berisha vazhdoi jetën i qetë. Madje, u pa pak muaj më vonë edhe në fushatë elektorale teksa përqafohej me drejtues subjektesh politike.
Me kontratë pune lirohet edhe Dokle
Pas Lul Berishës, nisi të luante me lumë kërkesash në Gjykatë edhe Endrit Dokle. Ishte rivali i tij, ku pasi u ndanë në vitin 2003, ata vijuan të vrasin njerëzit e njëri-tjetrit. Madje, u tha se jo pak herë për eliminimin e Lul Berishës, Dokle hodhi shuma të mëdha parash. Po ashtu pajtoi si vrasës me pagesë skuadra të rinjsh e ndër ta edhe dy persona nga Kosova.
U kryen një sërë atentatesh e ndërkohë Lulëzim Berisha mundi të largohej nga vendi në vitin 2005, konkretisht për t`i shpëtuar vrasjes. Po ndërsa gjithë grupi, ata që mbetën gjallë, u goditën nga Policia, veprimet e së cilës asokohe orientoheshin nga i ndjeri Sokol Olldashi, avokatët mbrojtës të anëtarëve të bandës famëkeqe nisën të shfrytëzonin hapësirat ligjore.
Duke gjetur një Prokurori të paqartë, një gjyqësor të korruptuar dhe një Këshill të Lartë Drejtësie me hije dyshimi për korrupsion, kapot e bandave kërkonin lirimin në çdo shkallë gjyqësori. Kështu ndodhi edhe me Endrit Doklen. E njëjta rrugë si me Berishën.
Një kontratë pune e ardhur nga një kompani ndërtimi dhe një epikrizë e të atit që është në gjendje të rëndë dhe nuk ka kush të kujdeset për të, bëri që edhe Dokle të dilte i lirë. Kontratën e punës, sipas të dhënave, kishte ardhur nga firma “Mateo Construction”. Sipas të dhënave, bëhet me dije se pas kësaj firme ndërtimi gjendet një tjetër emër i fuqishëm i botës së krimit. Bëhet fjalë për Arben Isufin ose të njohurin Ben Qimja!
Kontrata e punës
Në një dokument që Gjykata e ka marrë në konsideratë, në të cilin janë shënuar kushtet e punës se Dokles thuhet: Lidhje kontrate e punës mes Endrit Dokles dhe Agim Çakos: “Unë administratori i shoqërisë Agim Çako deklaroj se pas vuajtjes së dënimit prej shtetasit Indrit Dokle, do ta punësoj pranë shoqërisë ‘Mateo Konstruksion’ sh.p.k. me detyrë punëtor ndërtimi.
Kontrata e punësimit midis shoqërisë ‘Mateo Konstruksion’ dhe shtetasit Endrit Dokle pas marrjes në provë për një afat 3 muaj, do të jetë me afat 1-vjeçar me të drejtë përsëritje. Koha e punës së shtetasit Indrit Dokle në shoqërinë ‘Mateo Construcsion’ do të jetë 8 orë në ditë ose 40 orë në javë. Pagesa neto që do të kryhet për punëmarrësin Indrit Dokle nga punëdhënësi do të jetë 35.000 lekë në muaj. Punëdhënësi merr përsipër që të paguajë edhe detyrimet tatimore për punonjësin”.
Sardjan Sulejmani
Është njëri nga ushtarët e Endrit Dokles. Ai është kujdesur gjithnjë për atentatet ndaj Lul Berishës e madje është thënë se është edhe autori i vrasjes së Avni Gashit në tetorin e 2005-ës. Sulejmani është lënë i lirë që në tetorin e vitit të kaluar.
Në fakt, lirimi i tij u mbajt i fshehtë deri në momentin kur doli Dokle. Sulejmani i cili ishte i dënuar me 25 vjet burg për dy akuza: vrasje me paramendim dhe vrasje të mbetur në tentativë, u soll mirë. Për pasojë Gjykata e Vlorës në një vendim të panjohur për mediet i fali jo pak, por 5 vite burg.
Sardjan Sulejmani, i cili gjendet i lirë tashmë, bashkë me tre anëtarë të tjerë të Bandës së Durrësit. Kështu, tashmë në qeli, nga grupi i tyre gjenden vetëm të rekrutuarit e bandës si vrasës me pagesë. Janë dy shtetas nga Kosova, njëri prej të cilëve u ekstradua pak javë para se të lirohej Lulëzim Berisha dhe katër djem, të cilët ishin të rinj në momentin që u pajtuan për të kryer krime në emër të bandës!
Të liruarit e Bandës së Durrësit
1-Adriatik Coli, shkurt 2015 (I penduar)
2-Lulëzim Berisha, dhjetor 2016 (I dënuar me burg përjetë)
3-Sardjan Sulejmani, tetor 2019 (I dënuar me 25 vjet)
4-Endrit Dokle, janar 2020 (I dënuar me burg përjetë)
Vrasjet sipas Prokurorisë
– Vrasja e Dritan Sallakut, 17.10.1998 në Durrës.
– Vrasja e Viron Currit e Arjan Pajës,
– Plagosja Marsel Sotirit, 29.10.1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit
– Vrasja e Marsel Sotirit, 22.8.1999 në plazh, Durrës
– Vrasja e Dritan Dishës, 09.7 2000 në Shënavlash, Durrës
– Vrasja e Ervin Lames, 14.1.2002 në lagjen numër 3, Durrës.
– 2003 – Përçahet organizata
– Viti 2003 – Klodian Saliu, i lë drejtimin Indrit Dokles,
– Vrasja e Avni Gashit, 13.10.2005 në Tiranë
– Vrasja e Ilir Koldashit, 30. 10.2005, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Tiranë
– Disa vrasje në tentativë ndaj Lulëzim Berishës.
– Rekrutohen vrasës me pagesë, Elvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi dhe Alban Neli, Osman Korpuzi dhe Ajet Ajeti.