Një profil i paautorizuar i ambasadores amerikane që ka zbritur në vendin tonë për të zgjidhur krizën politike dhe vijuar punët që la përgjysmë Donald Lu
Nga Bardhi Quku/Një vogëlushe 3-vjeçare me një emër tipik aziatik, Yuri Kim, e cila lë vendin e saj të lindjes, Korenë e Jugut, për t’u zhvendosur në ishullin e Guamit, vështirë se do ta kishte menduar ndonjëherë se do të ishte ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e një vendi të vogël bash mu në mes të Evropës, e një vendi që bart aq vuajtje që nga regjimi komunist e deri në konfliktet partiake të ditëve të sotme.
3-vjeçarja Kim do ta ndiente ndikimin që do të linin tek ajo, Shtetet e Bashkuara, pasi kishte zbritur pikërisht në një territor të zotëruar nga amerikanët. Një territor aq i lakmuar për vetë Uashingtonin, ekzistenca e të cilit tri vite më parë gati u vendos në diskutim, kur Koreja e Veriut kërcënoi se do të bombardonte bazat ushtarake amerikane në Guam.
Ishulli i Guamit do të ishte vendi që do t’i sillte dhimbjen e madhe, kur Yuri Kim humbi mamanë e saj në aksidentin ajror të 6 gushtit 1997 bashkë me 228 pasagjerë të tjerë në bord. Megjithatë, Yuri Kim do të vazhdonte rrugën e saj në diplomaci, teksa kishte në xhep dy diploma, njërën të fituar në Universitetin e Pensilvanisë për shkenca politike, fushë në të cilën studioi përgjatë viteve 1989-993 dhe tjetrën për teoritë politike nga Universiteti i Kembrixhit në Angli përgjatë viteve 1993-1994.
Yuri Kim ka qenë gjithmonë aty për të dhënë ndihmën e saj, veçanërisht gjatë qeverisjes së George W. Bush, kur ishte pjesë e delegacionit amerikan bashkë me Christopher Hill, në bisedimet për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut. “Ua them shpesh njerëzve nëse jini vërtet tërheqës, atëherë diplomacia bën për ju. Ju duhet të dini deri në detaje për atë vend ku shkoni. Më parë nuk kisha asnjë njohuri mbi zhvillimin nuklear të Koresë së Veriut, por më desh të mësoja, të bëhesha eksperte e kësaj çështjeje”, – u shpreh Kim në shtatorin e 2017-ës, kur Guami ishte bërë pika kryesore e tensioneve midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut.
Përveç studimeve në shkencat politike, Yuri Kim e dinte se i duhej edhe njohja e gjuhëve të huaja, një aset tejet i rëndësishëm për një diplomat, duke nisur me gjuhën e saj të nënës, atë koreane, anglishten, kinezishten, japonishten dhe turqishten; shumica e gjuhëve vijnë prej eksperiencës në Azi dhe në Lindje. “Ndjeva se ekspozimi ndaj kulturave të ndryshme, përfshirë edhe vetë Korenë ku unë kam lindur, Japoninë, ku shkojnë shumë nga turistët tanë, Tajvani, Kina dhe Australia kanë qenë shumë të rëndësishme për mua”, – theksoi Kim gjatë një takimi me studentë në Guam, shtatorin e 2017-ës.
Yuri Kim iu bashkua Shërbimit të Politikës së Jashtme amerikane në vitin 1996, gjatë kohës kur SHBA nuk po investonte sa duhet në diplomaci dhe po vuante për diplomatë të rinj. Ajo vendosi të shkonte së pari në Pekin, i cili do të pasohej me shërbimin diplomatik në Tokio. Më pas ajo u kthye në Uashington, e mandatuar nga Departamenti i Shtetit për të drejtuar grupin e diplomatëve të nivelit të mesëm.
Në atë kohë, diplomati më i lartë amerikan ishte Colin Powell, të cilin e duartrokisnin sa herë kalonte në hollin e ndërtesës, dhe Yuri Kim do të punonte gjatë me të. Seuli do të ishte stacioni i radhës për Yuri Kim. Gjatë qëndrimit në Korenë e Jugut, ajo shërbeu si shefe politike e njësisë së brendshme të ambasadës.
Pasi kaloi 10 vitet e para të karrierës së saj në Shërbimin e Jashtëm midis Uashingtonit dhe Azisë, Yuri Kim mësoi kinezisht dhe gjuhën japoneze. Erdhi një moment dhe Yuri Kim vendosi se duhej të fitonte një përvojë tjetër, ndryshe nga Azia.
Ajo shigjetoi një rajon tjetër, siç ishte Lindja e Mesme. Yuri Kim zgjodhi Irakun. “E dija se Iraku do të vazhdonte të ishte në qendër të politikës së jashtme të SHBA-së”, ndërsa shumë kolegë të saj kontribuonin shërbenin atje që prej vitit 2003 kur u përmbys Saddam Hussein, “…kështu erdhi radha ime”, tha Kim.
Diplomatët në karrierë që shërbenin në Irak u duhej të zbritnin edhe në zonat e luftës për të parë nga afër situatën. Kështu që, ndryshe nga Yuri Kim nuk është për t’u habitur që shumë diplomatë zgjodhën, Londrën, Parisin, Berlin apo vende të tjera, krejt të rehatshme. Yuri Kim kujton se gjatë shërbimit në Irak veshja e saj e përditshme ishte një xhaketë antiplumb për ta mbrojtur atë nga rreziqet që prodhonte një vend si Iraku.
Pas Irakut Yuri Kim u shpërngul në Turqi, ku punoi si këshilltare politike në Ambasadën Amerikane në Ankara. Ajo do t’i bashkohej më vonë delegacionit amerikan të negociatave për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Yuri Kim ka thyer tabutë e shumta me të cilat ajo përballej kur nisi karrierën në diplomaci, pasi kjo fushë e marrëdhënieve ndërkombëtare ishte e dominuar kryesisht nga meshkujt. Kjo eksperiencë e katapultoi atë Drejtorinë e Departamentit të Shtetit të Qendrës për Studimin e Diplomacisë, shefe e stafit të zëvendëssekretarit të Shtetit dhe drejtore e Zyrës së Sigurisë Evropiane për çështjet politiko-ushtarake.
Përpara se ajo të propozohej si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim shërbente që prej 2018-ës si drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, në Byronë e Departamentit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.
Eksperienca e saj mbi sfidat e sigurisë së vendeve të Evropës, Azisë, Lindjes së Mesme e shoqëruar me suksesin e saj në të gjitha shërbimet diplomatike e bënë Yuri Kim një zgjedhje të shkëlqyer si ambasadorja e 16-të e SHBA-së në Shqipëri. Shqipëria për Yuri Kim është një realitet të cilin ajo ndoshta e njeh pak në aspektin kulturor por realitetin politik e njeh mjaft mirë.
Ajo pritet të vijojë “punët” e lëna përgjysmë nga paraardhësi i saj Donald Lu, pasi Yuri Kim i duhet të zgjidhë krizën politike në vend, avancimin e reformës në drejtësi, ku pas SPAK-ut pritet të ngrihet edhe BKH-ja sipas modelit të FBI-së amerikane. “Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”, – u shpreh ajo sapo zbriti në Tiranë. Dhe vërtet, 49-vjeçarja Yuri Kim do të ketë shumë punë me ne shqiptarët, që presim nga ambasadorja e veshur me antiplumb ta bëjë “zap” këtë vend, që politika e ka shndërruar në delen e zezë në mes të Evropës./Fjala.al/
AMBASADORËT AMERIKANË NË SHQIPËRI NGA 1922-2018:
Ulysses Grant-Smith
Titulli: I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm
Mandati: 22 shtator, 1922-8 shkurt 1925
Charles C. Hart
Titulli: I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm
Mandati: 27 maj, 1925-12 dhjetor 1929.
Herman Bernsteine
Titulli: I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm
Mandati: 17 shkurt, 1930-24 shtator, 1933.
Post Wheeler
Titulli: I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm
Mandati: 26 gusht 1933-1 nëntor, 1934.
Hugh G. Grant
Titulli: I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm
Mandati: 9 gusht, 1935-27 shtator, 1939.
1945-1990
Sistemi komunist ndërpreu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe e shpalli atë armikun më të madh të shqiptarëve
15 mars 1991 – Rifillim i marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri
1 Tetor, 1991 – Hapet ambasada
I Ngarkuar me Punë ad interim – Christopher Hill.
William E. Ryerson
Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm
Mandati: 2 dhjetor, 1991-13 tetor, 1994.
Joseph E. Lake
Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm
Mandati 5 korrik, 1994-15 mars, 1996.
Marisa R. Lino
Titulli: Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe e Plotfuqishme
Mandati: 2 korrik, 1996-20 maj, 1999.
Joseph Limprecht
Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm
Nis punën: 7 korrik, 1999
Përfundimi i Misionit: Vdes në veri të Shqipërisë, 19 maj 2002.
James F. Jeffrey
Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm
Mandati: 3 tetor, 2002-2 maj, 2004.
Marcie B. Ries
Titulli: Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe e Plotfuqishme
Mandati: 18 Tetor, 2004-15 qershor, 2007.
John L. Withers II
Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm
Mandati: 28 korrik, 2007-18 gusht, 2010.
Alexander A. Arvizu
Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm
Mandati: 1 korrik, 2010-11 janar, 2015.
Donald Lu
Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm
Mandati: 6 janar, 2014-18 shtator 2018.