Jeta është plot të papritura, të panjohura, kthesa të forta, progrese e regrese. Ndonjëherë ajo mund të të përplasë fort përtokë, por e rëndësishme është të gjesh forcën për t’u ngritur dhe për të vazhduar, pavarësisht çmimit që duhet të paguash. Dhe këto na i dëshmon z. Gjon Kadeli në librin e jetës së tij “Kujtimet e nji t’merguemi”.
Nga Leonora Laçi/
Libri “Kujtimet e nji t’merguemi” i z. Gjon Kadeli është botuar në vitin 2018 nga shtëpia botuese “Volaj” në Shkodër. Ndonëse ka veç 194 faqe, ky libër është mjaft domethënës për ngjarjet që trajton nga këndvështrimi i autorit, ku përfshihen shumë njerëz të tjerë. Ngjarjet ndjekin një kronologji kohore që përfshijnë disa dekada, duke e mbyllur me mbërritjen në tokën e premtuar që i ofroi autorit jetën e dëshiruar. Po shkëpusim ca fragmente nga kujtimet rreth kalvarit të familjes së tij në burgje dhe kampe internimi, se si dinjiteti njerëzor vihej në pikëpyetje, se si njeriu bëhej shtazë, shtaza aspironte për njeri, se si kafshata bëhej aq e rëndësishme, se si jeta humbiste çdo kuptim, se si ideologjia verboi atin e birin, se si komunizmi mundi shqiptarët, se si fati mundet të të qeshë kur ti nuk je në gjendje as të buzëqeshësh.
Internimi i parë në kampin e përqendrimit në Tepelenë
Disa ditë mbas vrasjes së Bardhok Bibës, si shumë të tjerë, arrestuen edhe babën tim (Pjetrin). Ai u arrestue kur po zhvillonte mësimin në klasë, në shkollën e Shpalit dhe e çuen në burgun e Rrëshenit, anëtarët e tjerë të familjes i internuan në kampin e përqendrimit në Tepelenë. Mbas rreth nji viti na liruen nga kampi dhe u kthyem në shtëpinë tonë. Mbas një kohe të shkurt, baba im me tre shokë: Preng Vorfin, Ndue Dedë Lasken dhe Ndue Shkurt Prengën, thyen burgun. Gjatë këtij procesi Ndue Shkurt Prenga u vra në dritare dhe nji tjetër u vra jo larg burgut, kurse baba im me nji tjetër pshtuen dhe ikën në mal.
Dy fjalë rreth vështirësive që kaloi baba mbasi iku nga burgu
Nga torturat dhe mungesa e ushqimit, ai ishte dobësue deri në pikën e fundit. Natën që theu burgun me shumë vështirsi mbërrijti në katundin Valeç që ndodhet vetem nji orë larg Rrëshenit. Ai shkoi te nji familje që kishte njoftësi me te. Familja në fjalë e pa si diçysh me veshmbathje dhe e çoi në nji pyll të dendun aty afër dhe për nji javë e furnizoi me ushqim. Mbas nji jave baba shkoi te Preng Dodë Vuka në Thkellë të Epër. Prenga bani çdo përpjekje per ta ndihmue babën tim. Ai e çoi babën në nji vend, jo larg shtëpisë së tij, i cili ishte shumë i pyllzuem. Prenga gjatë dy javëve e furnizoi baben me ushqim e me ujë. Gjatë kësaj kohe Prenga u përpoq dhe ra në lidhje me nji grup të arratisunish, dhe njikohësisht i gjeti dhe nji pushkë me disa fishekë, kështu që baba mbas dy javëve u lidhë me të arratisunit.
Mbas disa ditëve baba u takue me grupin e të arratisunve nga zona e Kurbinit që kryesohej nga Gjergj Nikollë Ndreu. Kur Gjergji vuni re sa i dobsue ishte baba im nga vuajtjet në burg, e pyti baben: “Or Pjetër, si po të duket, a ma mirë në burg apo në mal?” Baba ju përgjegj: “Shumë ma mirë në mal se sa në burg”, dhe shtoi: -Sa të kem “grykëhollen” (pushkën) nuk do të më kapi ma kush gjallë me dorë”. Kjo gja në vetvedi tregon vuajtjet që baba pësoi gjatë kohës që ishte në burg. Mbasi baba ndejti disa kohë në mal së bashku me disa të arratisun të tjerë, iu drejtuan kufinit dhe hynë në zonën e Kosovës në Jugosllavi.
Internimi për herë të dytë në Tepelenë, 1950
Si rrjedhim i hikjes së babës nga burgu në Kreshë, pjesa e familjes së tij si edhe e vllaznve të tij: Gjokës e Zefit u internuen në Kampin e përqendrimit në Tepelenë, kurse Gjokën e çuen në burgun e Porto Palermos dhe Zefin në burgun e Tiranës.
Një përshkrim i shkurtër mbi gjendjen e përgjithshme në atë kamp. “Kampi kishte disa kazerma të mëdha ushtarake në të cilat ishin ndërtue platforma dyshtresese me dërrasa ku rrishin e fleshin njerëzit. Përsa i përket ushqimit, racioni i bukës ishte 450 gr në ditë. Mbas disa kohe, si gjellë filluen me na dhanë njifarë langu groshesh, kërtollash ose laknash, në të vërtetë kishte vetëm emnin gjellë. Me përjashtim të të moshuemve dhe të fëmijëve, të gjithë të tjerët ishin të detyruem të shkoshin në punë të ndryshme herët në mëngjes deri sa errej në mbramje. Në rastin tim që ishem rreth 13 vjeç, më çuen me nji grup njerëzish në nji zonë tepër të thyeshme malore në afërsi të Tepelenës. Në atë zonë disa njerëz pritshin dru, disa të tjerë i grumbulloshin ato dhe përpara se të ktheheshim në kamp në mbramje njerëzit ngarkoshin nji sasi drushë në shpinë dhe i çoshin në Tepelenë për të furnizue me to furrën e qytetit dhe qendrën administrative të tij. Gjatë gjithë kohës ishim të shoqnuem me policë. Disa prej këtyne policëve ishin tepër të egër. Më kujtohet nji rast kur njeni prej policëve i detyroi dy gra të ngarkoshin ma shumë drue se sa kishin ngarkue, kur ato vunë edhe disa drue të tjerë në shpinë, prej peshës së rand, njenën prej tyre e lëshuen gjuejtë dhe u rrëzue për tokë.
Në atë zonë punën e bante edhe ma të vështirë mungesa e ujit. Aty ndodhej nji vend ku buronte shumë pak uji, dhe si rrjedhim duhej shumë kohë me mbushë nji gotë të vogël me uji, kështu që vetëm disa njerëz mund të pishin pak uji.
Në kampin e Tepelenës, si rrjedhim i mungesës së ushqimit të mjaftueshëm dhe e pastërtisë ma elementare, sëmundjet e ndryshme banë kerdinë në fëmijë. Rreth 300 fëmijë, shumica e tyne nga Mirdita vdiqën në atë kamp. Edhe nji numër i konsiderushëm i të moshuemve pësoi të njëjtin fat.”
Dinjiteti njerëzor në atë kamp
Në kampin e Tepelenës dinjiteti njerëzor pothuejse nuk ekzistonte, shembujt janë të të shumtë, por unë po përmendi rastet që u ngja me antarët e familjes time. Kur mue më liruen nga kampi me disa të rinj të tjerë, na çuen te dera e kampit me pritë për kamionin që do vinte me na marrë e me na kthye në zonën nga ishim. Kur mbërrijti kamioni dhe njerëzit që ishin në rresht filluen me hyp në kamion, nana eme desh me ardhë e me përshëndet dhe njiherë perpara se të nisej kamioni, nji polic e ndali dhe e shtyni me forcë kështu që ajo u përplas për tokë, por për fat nuk pësoi ndonji plagosje.
Nji rast tjetër, ky tejet shtazak, axhen tim Lalë Gjoken po e mbante nana ime në prehnin e saj, sepse ai ishte në momentet e fundit të jetës së tij. Rastësisht aty pranë kaloi kapteri i kampit që besoj se quhej Selfo, i cili mbante nën mbikqyrje qetësinë në kamp. Ai e pa axhen tim se me shumë vështirësi po merrte frymë e i tha:-“ O derr derri, a je duke vdekur” dhe i ra me shqelm gjujvet të axhes tim. Shembull tjeter, ky i përgjithshëm. Ishin vorret e kampit. Si rrjedhim i vdekjeve të shumta në atë kamp, në afërsi të tij u mbush nji copë tokë plotë me vorre. Trupat e pajetë të njerëzve u zhvendosen tri herë. Herën e fundit nji pjesë e tyne u rivarrosen në bregun e lumit të Bençes që kalonte aty afër. Me kohë ato kufoma përfunduen në atë lum, sigurisht ma vonë në detin Adriatik.
Shumë njerëz kanë shkue te kampi i Tepelenës me shpresë se do të gjejshin varrin e ndonji antari të familjes që kishte ndërrue jetë në atë kamp, por fatkeqësisht nuk kanë muejt me gjetun asgja. Kjo i ngjau edhe babës tim, i cili mbas 40 vjetësh u kthye në vendlindje dhe kur shkoi në Tepelenë për të gjetun varret e tre antarëve të familjes së tij, domethanë vëllaut të tij Gjokes, vajzes së vëllaut të tij Zefit se edhe vajzes së tij, të dyja këto të moshës rreth 2-vjeçare, nuk gjeti asgja.
Shtoj këtu, se përsa i përket kampit të Tepelenës, vuajtjet baheshin edhe ma të randa, kur njerëzit herë mbas here ndigjoshin qamjet e fëmijve, disa prej tyne krejt kerthija, nga zentia apo nga sëmundjet për të cilat nuk kishim mjekime, e ndoshta kjo e qamje ishte e fundit për ta. Kur ndigjohej fshamja e nji nanëzeze kur merrte lajmin për vrasjen e djalit të saj në mal, ose vdekjen e tij në burg. Kur ndigjohej vaji i nji motre për pushkatimin e vëllaut të saj. Kur gratë merrshin lajmin e pushkatimit ose të vdekjes së bashkëshortit të tyne. Megjithëse ato, ndoshta nuk qashin se në disa zona të vendit kështu ka qenë zakoni, megjithëkëtë, zemra e tyne e dinte se sa e rand ishte kjo humbje për to.
Gjatë kohës që unë kam qenë në kamp më kujtohen dy raste tejet të dhimbshme. Rasti i parë, njanës i vdiqen dy fëmijë mbrenda 24 orëve dhe tjetres i vdiq nji fëmijë, të dyja këto nga dëshprimi varen vetën. Rasti tjetër kishte të bante me nji djalë 8-9-vjeçar nga zona e Tropojës. Ai po luante në gërmadhat e nji kazerme të kampit të shkatrruem gjatë luftës. Gjatë kësaj loje ai hasi ne nji predhë e cila shpërtheu dhe ia çau barkun nga i cili i dolen edhe përmbrendesat e barkut. Ai i shkreti ndërroi jetë pothuejse menjiherë. Unë po kaloshem aty pranë kur kjo ngjarje tragjike e trishtuese i shkurtoi jeten këtij djali. Kjo ngjarje shkaktoi nji trondijte të jashtëzakonshme për mue. Se si i ri që ishem, nuk kishem pa ndonji gja të tillë aq të dhimbshme si edhe trishtuese. Në të vërtetë vendi ishte muranë e kazermës, duhet të ishte rrethue me tela mirëpo autoritetet e kampit nuk çashin kryet për këtë gja. /Gazeta Fjala/