Drejtuesit e Victoria’s Secret ju kërkojnë favore seksuale modeleve

New York Times nxjerr në pah një anë të errët të kompanisë me bullizëm ndaj grave, përçmim, paragjykim dhe ngacmime seksuale. Investigimi i prestigjozes amerikane përfshiu intervista me më shumë se 30 drejtues aktualë të Victoria’s Secret, ish-punonjës, partnerë, modele dhe dokumente gjyqësore.

Ed Razek, për dekada me radhë, ishte një nga drejtuesit më të lartë të L Brands, kompania mëmë e Victoria’s Secret. Ai ishte subjekt ankesash të përsëritura për sjellje të papërshtatshme; përpiqej të puthte modelet dhe u kërkonte t’i uleshin në prehër.

Andi Muise, një modele, u shpreh se u ndalua të merrte pjesë në shfaqjen e VS pasi kundërshtoi Ed Razek, i cili i kërkoi favore seksuale.

Ed Razek u shpreh përmes një emaili se “raportimet janë të pavërteta, të gabuara dhe të marra jashtë kontekstit”, ndërsa Wexner nuk pranoi të komentojë.

Ky investigim duket se është një goditje e fundit, akoma më e fortë, për VS, kompani që po kalon ditët më të vështira – me qindra dyqane të mbyllura, anulim të shfaqjes vjetore dhe sigurisht kritika nga vajzat dhe gratë.