Kosovë/ “E kishin harruar ministër”, pas 12 vitesh largohet nga detyra

Qeveria e re LVV-LDK ka “lënë pa punë” një prej politikanëve më jetëgjatë në Kosovë, kryesisht në poste ministrore. Bëhet fjalë për Mahir Yagcilar, shtetas kosovar me prejardhje turke.

Yagcilar është kryetar i Partisë Demokratike Turke dhe për shkak të përcaktimeve në Kushtetutën e Kosovës, ai kishte përfituar nga fakti që disa Ministri u përkasin minoriteteve.

Kështu Mahir Yagcilar e pa veten për 12 vite në pozitën e ministrit.

Në vitin 2007 ai u emërua ministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të kaluar në 2011-ën si ministër i Administratës Publike. Yagcilar u konfirmua në të njëjtën detyrë edhe në dhjetor të 2014-ës.

Deri dje, ai vazhdonte të ishte në detyrën e ministrit.

Por me Qeverinë e re, postet ministrore të rezervuara për minoritetet u janë dhënë Emilia Redzepit, Dalitbor Jetvic dhe Ivan Millojevic.