Tjetërsimi i pronës/Ja dosja që mban peng ‘Hipotekën’ e Vlorës!

Sot është emëruar në krye të hipotekës së Vlorës drejtuesi i ri. Ai nuk dihet se sa do qëndrojë në atë detyrë. Në  fakt duke iu referuar rasteve të fundit ku brenda pak muajve kanë dhënë dorëheqjen tre drejtues dhe një i komanduar, të cilët nuk kanë pranuar ta mbajnë atë drejtori, duket se edhe Alia s`do ta ketë të gjatë. Duke iu referuar ngërçit që ka pasuar nevojën për të patur një drejtues për kadastrën e vendit bregdetar, i cili prej shumë kohësh zien nga skandali me përvetësimin e pronave, “Fjala.al” u interesua konkretisht për dosjen që mban peng këtë zyrë. Prokuroria e Vlorës ka në duar një dokument që lidhet konkretisht me çështjen e shumëpërfolur të përplasjeve për pronat. Ky dokument është një kallëzim i një qytetari që pretendon se ia kanë rrëmbyer pronën e tij dhe madje ai ka emra konkret për këtë çështje.

Kallëzuesi

Kristo Gjoka, i cili pretendon se është pronar i një hapësire toke në Jalë, ka kallëzuar në prokurori 13 persona. Në objektin e kallëzimit, depozituar në Prokurori në fillimin e tetorit të vitit të kaluar, ai ka emra konkret të personave që duan t`i marrin tokën-pronë në bregdet. Ai ka akuzuar drejtpërdrejtë  biznesmenin Alban Xhillari, si personin që kërkon t’ia marrë tokën. E gjitha ka nisur me një kërkesë për ta tjetërsuar këtë pronë, për ta kaluar si një tokë shtetërore, por në fakt familja Gjoka e ka fituar çështjen në gjykatë dhe vendimi është i formës së prerë. Në një dalje publike që ata bënë në momentin që depozituan kallëzimin në Prokurorinë e Vlorës hodhën edhe shashkën që dogji drejtorinë e Kadastrës. Ata akuzuan si të përfshirë në historinë e tjetërsimit të asaj prone 3 drejtorë të Kadastrës në Vlorë, 3 nëndrejtorë dhe 23 juristë. Madje atëherë ata pretenduan se të gjitha lëvizjet që janë bërë në këtë zyrë janë bërë pikërisht për të dhënë një vendim të jashtëligjshëm.

Lexo edhe :  Rama për Kepin e Rodonit: U shkulën ngrehinat e “tokës së xanun”

Kallëzimi është edhe në KLP

Sipas të dhënave, ngjarja për të cilën askush nuk guxon të qëndrojë në zyrën e  kadastrës së Vlorës është bërë e njohur edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Po ashtu Gjoka e ka nisur çështjen e tij edhe në disa ambasada me qëllim që dikush të reagojë. Por siç mësohet në fakt rreth një vit më parë, Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur që t’i japë pronën familjes Gjoka, dhe të lejojë regjistrimin e saj. Procesi ka vijuar, dhe pronarët jo vetëm që kanë marrë pronën, po kanë bërë edhe shitje në palë të treta, duke zbatuar vendimin e Apelit. Ndërkohë një vendim i Gjykatës së Lartë, në fillimin e qershorit, bëri që palët të hyjnë në një tjetër konflikt. Gjykata e Lartë ka vendosur anulimin e vendimit të Apelit, por palët tashmë kishin nisur zbatimin e vendimit të Apelit. Po nga të dhënat në atë truall, ose pronë, është bërë ndërtimi i një objekti mjaft të njohur. n.k/Fjala.al/