Flet për Fjala psikologia Binjaku: Çfarë ndodh në psikologjinë e burrave vrasës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vrasjet e grave kthehen frikshëm në vendin tonë. Psikologia Entela Binjaku e konsideron si fenomen kompleks i cili vjen për disa arsye, që nga mentaliteti, deri në mungesën e edukimit. Shifrat shqetësuese edhe në disa vende të pazhvilluara në botë dhe mentaliteti shqiptar që nuk po ndryshon.

Vetëm në harkun e tri javëve janë regjistruar dy krime të rënda, ku në Tiranë një 37-vjeçar vrau nusen e vëllait, ndërkohë dy ditë më parë një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në Durrës, ku u vra në banesë nga bashkëshorti i saj një 33-vjeçare. Të dy autorët e “justifikuan” krimin për çështje “nderi”. Si i konsideroni këto ngjarje?

Duke folur për autorët, cilido qoftë “justifikimi” që kanë dhënë pasi kanë kryer krimin, realiteti i ri i tyre është se këtej e tutje do të kalojnë pjesën më të madhe të jetës në izolim. Besoj edhe ata sot janë penduar për atë që kanë bërë, duke na lënë të kuptojmë se edhe “justifikimi” nuk qëndron si arsye, për t’u marrë jetën dy grave, familjareve të tyre. Për dhunën me bazë gjinore kemi folur dhe shkruar mjaft. Duke kërkuar në internet se kur kishin qenë artikujt e parë që kisha shkruar për këtë dukuri, shkova deri në vitin 2014. Megjithatë, unë jam vetëm një zë, por ka shumë të tjerë që kanë shkruar edhe më parë dhe vijojnë të shprehen për këtë dukuri. Kjo tregon se nga njëra anë ndërgjegjësimi nuk ka munguar, por nga ana tjetër tregon se ndikimi është i paktë për aq kohë sa nuk ka mundur të parandalojë. Duke parë shifrat tona në vitet e fundit, për shembull në vitin 2017, vetëm në 9 muajt e parë të tij ishin bërë mbi 3400 denoncime për dhunë në familje. INSTAT raporton se çdo vit në vendin tonë mesatarisht denoncohen 5 mijë raste. Vetëm në vitin e kaluar ishin 400 raste më shumë se një vit më parë, duke u përqendruar te vrasja si forma më skajore e dhunës kundër gruas. Vrasja, sipas raporteve ndërkombëtare, është një veprim vdekjeprurës që ngrihet mbi një diskriminim dhe abuzim të vazhdueshëm me bazë gjinor. Sipas këtyre raporteve, gjatë vitit 2017 janë vrarë 87.000 gra. Më shumë se gjysma e tyre, 50.000 ishin vrarë o nga partneri ose nga familjarët; kjo do të thotë që çdo ditë 137 gra vriten kudo në botë nga një pjesëtar i familjes së tyre. Më shumë se një e treta (30.000) janë vrarë qëllimisht ose nga partneri aktual, ose nga një ish-partner apo nga dikush ku ajo ka pasur besim. Numri i vrasjeve të grave nga partneri apo pjesëtari i familjes, nga viti në vit, ka ardhur në rritje. Duke u ndalur te vrasjet për çështje “nderi”, edhe këto kategori krimesh janë të njohura kudo. Në këto raste familjarët janë ata që i kryejnë këto krime, sepse, sipas mendimit të tyre, “sjella e gruas i ka sjellë turp familjes dhe ndaj ajo duhet ndëshkuar”. Ose vajza apo gruaja ka një marrëdhënie para martese, ose gjatë martese, ose ka një marrëdhënie me një burrë që nuk ia ka zgjedhur familja. Vetë kjo kategori vrasjesh në vetvete është pasojë e raportit dominues të burrave mbi gratë. Zakonisht këto modele sjelljeje ndodhin kur tronditen rolet gjinore që janë strikt patriarkale, të natyrës patriarkale. Ndodh edhe në rastet kur një vajzë vritet nga më të rriturit e familjes siç janë babai, vëllezërit apo dajat për të ruajtur nderin e familjes prej turpit dhe stigmës që po jeton familja si pasojë e sjelljes së saj. Kjo është një praktikë që njihet kryesisht në vendet e Azisë. P.sh., në Afganistan në një raport të Komisionit Qeveritar për të Drejtat e Njeriut, 243 raste vrasje “për nder” kishin ndodhur mes prillit 2011 dhe gushtit 2013. Në atë realitet kjo dukuri njihet dhe mund të jetë edhe më e gjerë se kaq, sepse në zonat rurale as nuk regjistrohet.

A ndikon emigracioni për një kohë të gjatë në nxitjen e vrasjeve brenda familjes, ku viktima mbesin kryesisht gratë dhe përse mentaliteti i çështjes “nder” vijon të marrë jetë njerëzish?

Duke u rikthyer në tragjedinë e fundit, vetë komuniteti shprehej me tone pozitive për familjen, se nuk kishte parë asnjë sjellje që mund të përbënte ndonjë gjë për t’u shqetësuar, pra sjellja në komunitet me sjelljen brenda mureve të shtëpisë ka qenë e ndryshme. Ne këtë e njohim si “anën e errët të jetës familjare”, sepse vetë makabriteti i krimit tregoi një përmasë që nuk mund të imagjinohej. Teoritë, për shembull, që mbështeten mbi doktrinat e personalitetit, e shpjegojnë sjelljen njerëzore mbi bazën e impulseve të brendshme, mbi mënyrën se si energjitë individuale të ndodhura në nivelin e të pandërgjegjshmes, lëvizin dhe orientohen drejt sipërfaqes dhe shpërfaqen në një formë jashtëzakonisht agresive. Emigrimi është një dukuri që e ka prekur shumë shoqërinë dhe fare pak studime kemi mbi mënyrën se si ka ndikuar në psikën e qytetarëve tanë kjo dukuri. Shpeshherë, familjet e prekura nga emigrimi ndodhen në një betejë të përditshme me mentalitetin që është ende anakronik në shumë drejtime. Herë humbasin mjaft nga lidhjet shpirtërore që kanë qenë zanafilla e krijimit të familjes, herë ka një mungesë komunikimi të vazhdueshme, herë-herë janë modelet e trashëguara që përplasen me modelet e sjelljes që kërkon kjo kohë. Sot është mjaft e vështirë të jesh një familjar korrekt dhe i devotshëm ndaj angazhimeve që je zotuar kur ke themeluar institucionin e familjes, sepse vetë situata është e ndryshme nga ajo ku janë rritur dhe kanë marrë edukimin. Mënyra si kanë reaguar këta dy individë ndaj një stimuli ka treguar se nuk kanë pasur as aftësinë për t’u përmbajtur, as aftësinë për t’u menduar, ndoshta tani ata janë në gjendje të mendojnë në thellësi për këtë që kanë bërë, por tashmë pasojat janë të mëdha. Me këtë dua të them që edhe vetë mungesa e edukimit mund t’ ketë bërë të vetën. Ka njerëz që nuk janë të edukuar të ndalen, të mendojnë më thellë, të vënë veten në vendin e tjetrit. Ka njerëz që bien pre e impulseve. Ka njerëz që kanë një bllokim mental dhe kanë mbetur peng i një mendimi, i cili më vonë ka degjeneruar aq shumë sa e ka çuar deri në vrasje. Përvoja e emigracionit është një përvojë e re, e vështirë dhe e panjohur. Nuk është shoqëruar pa pasoja si në jetën e individit, po ashtu edhe në jetën e institucionit, siç është familja. Ka individë ku kjo përvojë mund të kenë qenë e tillë që ka lënë gjurmë në psikën e dikujt apo ka shkaktuar një traumë që ndoshta e patrajtuar ka degraduar deri në ndonjë çrregullim që nga ana e vetë mund të ketë sjellë çrregullime sjelljeje që herët apo vonë ndëshkohet ose nga normat shoqërore ose nga normat ligjore. Tetë vite më parë u ashpërsua ligji për dhunën në familje dhe gratë siguronin menjëherë urdhër mbrojtjeje, gjithashtu pati ndryshime në Kodin Penal, duke vendosur dënime kapitale për autorët e ngjarjeve të rënda, por sërish kjo nuk po e ndalon vrasjen e grave dhe vajzave.

Lexo edhe :  Protesta e 23 dhjetorit, Berisha zbulon skenarin e protestës: Do ketë tronditje

A mos ka nevojë që krahas ashpërsimit të ligjeve të ketë më shumë nisma për “ndryshim mentaliteti”?

Po, jam në dijeni të një nisme nga deputetet e partisë që drejton vendin që pritet të kërkojë ndryshime ashpërsuese në Kodin Penal. Kjo synon të vijë në ndihmë të parandalimit të dhunës me bazë gjinore apo dhunës në marrëdhëniet familjare. Por paralelisht me këtë mendoj se nisma duhet të përcillet gjerësisht në opinion, pra të rritet ndërgjegjësimi mbi një nismë që synon të përmirësojë situatën, së dyti mendoj që në shoqëri përgjithësisht mungon edukimi ligjor dhe ka nevojë që shoqëria të njihet të me të drejtat, detyrimet po sidomos me ndëshkimet që lindin në rast të shkeljeve. Rritja e edukimit në shkolla ose serioziteti dhe cilësia e formimit në angazhimin e faktorëve edukues të më të rinjve. Shpeshherë, edhe lëndët që kanë në qendër formimin qytetar në shkollat tona neglizhohen, aq sa u krijojnë më të rinjve bindjen se këto janë të parëndësishme dhe të padobishme. Media duhet të jetë gjithmonë e më sfiduese për të tërhequr drejt vetes sa më shumë të rinj e të reja që gjejnë te programet mediatike elemente të edukimit dhe jo të përçmimit apo të adhurimit për disa modele që, në fund të fundit, nuk i japin shoqërisë asnjë panoramë të re, të ndryshme nga kjo që kemi, të një shoqërie të zhvilluar.

Shifrat alarmante: Dhuna ka ardhur në rritje

INSTAT raporton se çdo vit në vendin tonë mesatarisht denoncohen 5 mijë raste. Vetëm në vitin e kaluar ishin 400 raste më shumë se një vit më parë, duke u përqendruar te vrasja si forma më skajore e dhunës kundër gruas. Vrasja, sipas raporteve ndërkombëtare, është një veprim vdekjeprurës që ngrihet mbi një diskriminim dhe abuzim të vazhdueshëm me bazë gjinor. Sipas këtyre raporteve, gjatë vitit 2017 janë vrarë 87.000 gra. Më shumë se gjysma e tyre, 50.000 ishin vrarë o nga partneri ose nga familjarët; kjo do të thotë që çdo ditë 137 gra vriten kudo në botë nga një pjesëtar i familjes së tyre. Më shumë se një e treta (30.000) janë vrarë qëllimisht ose nga partneri aktual, ose nga një ish-partner apo nga dikush ku ajo ka pasur besim. Numri i vrasjeve të grave nga partneri apo pjesëtari i familjes, nga viti në vit, ka ardhur në rritje.

Të fundit

Sulmet ndaj Robert Nofle për situatën me Parashqevinë/ Reagon bashkëshortja e tij

Pas komenteve negative në faqen e Akademisë së muzikës për fëmijë në Nju Jork, “Voice Academy” NYC, ndaj Robert Nolfe...

“New York Times” /Shqipëria mes destinacioneve mahnitëse për t’u vizituar në 2025

Eksperti i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar destinacionet e fshehta evropiane “mahnitëse” për të vizituar në vitin 2025 – përpara se ato të pushtohen...

“S’kam qenë kurrë e dashuruar”, Tayna shuan kureshtjen mbi jetën private

Tayna ka cekur si rrallëherë jetën e saj private në “Mirëmbrëma yje” me Arbana Osmanin. E ngacmuar disa herë nga Arbana edhe për tekstet...

Recitali i Parashqevi Simakut/ Martin Leka rrëfen si u zhgënjye nga biznesmenët që…

Martin Leka, ish-drejtor i Radio Tirana, në një lidhje me “Opinion” ka folur për kohën kur Parashqevi Simaku bëri recitalin e saj në Shqipëri. Leka...

Zgjedhjet e 2025/ Berisha i ankohet Këshillit të Diasporës për qeverinë dhe Sorosin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti sot (20 Dhjetor) Këshillin Koordinues të Diasporës, delegacion i drejtuar nga Mark Gjonaj. Ish-kryeministri i shpallur ‘non grata’ nga...

Lajme të tjera

Web TV