I ftohti në vend/ Në këto akse problematike duhet të lëvizni me zinxhirë

Ngricat dhe dëbora kanë pushtuar vendin tonë këto ditë shkurti duke shkaktuar dhe mjaft problem me qarkullimin.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë një njoftim mbi gjendjen e rrugëve duke paralajmëruar lëvizjen me zinxhirë në akse të caktuara.

Në Rajonin Verior akset Lusen-Bushtricë, Kuben-Vasie, vetëm 10 km e fundit, Qafë Dragalicë-Steblevë kalohet me zinxhirë.

Në Rajonin Qëndror nuk ka patur rreshje por në aksin Lunik-Steblevë rekomandohen zinxhirë prej ngricës.

Prezencë ngricash ka patur edhe në segmentet Krujë-Sarisalltik, Elbasan – Gjinar dhe rruga e “Qafë Krrabës”.

Është bërë shpërndarja e kripës nga kontraktorët dhe po mbahen në monitorim të vazhdueshëm.

Në Rajonin Juglindor akset Boboshticë-Dardhë, në km 5–14 dhe Gërmenj-Leskovik rekomandohet kalimi me zinxhirë për shkak të erës së fortë.

Në Rajonin Jugor gjatë natës ka pasur reshje bore në Qarkun e Korçës, shoqëruar me erëra të forta në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit.

Ndërkohë eshtë bërë pastrimi dhe kriposja e aksit dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.

Rekomandohet që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje, të përdorin zinxhirë në segmentet e rekomanduara, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.