Drejtuesja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, shpjegon për gazetën “Fjala” gjendjen në sistemin e drejtësisë, që nga procesi i vetingut e deri tek institucionet e reja të ngritura së fundmi. Sipas saj, me mënyrën se si u krye vetingu u prodhuan boshllëqe në sistem, ku vonesa e ngritjes së KLP-së çoi edhe në vonesën në ngritjen e SPAK-ut. Ky institucion, sipas saj, po vuan nga kapacitetet në burime njerëzore dhe kompetenca lëndore e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për hetimin dhe gjykimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Znj. Skëndaj, si e gjykoni zhvillimin e procesit të vetingut deri më tani?
Vetingu apo rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësoj se është një nga shtyllat kryesore të reformës në sistemin e drejtësisë, e cila ka sjellë rezultate të ndjeshme dhe të dukshme, sa i takon pastrimit të sistemit nga gjyqtarë apo prokurorë që kanë pasur probleme në drejtim të kriterit të pasurisë (në shumicën dërrmuese), të kriterit të figurës apo lidhjeve me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. Në tërësi këtë proces do ta vlerësoja me nota pozitive, pasi monitorimi i realizuar nga vëzhgues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) ka evidentuar se në përgjithësi, organet e vetingut e kanë respektuar të drejtën për proces të rregullt të gjyqtarëve apo prokurorëve. Seancat dëgjimore me subjektet e vetingut janë vlerësuar nga vëzhguesit e KSHH-së, në respektim të rregullave të publicitetit, solemnitetit dhe etikës. Me gjithë rastet e diskutueshme sa i takon respektimit të së drejtës për proces të rregullt janë të ilustruara në raportet e monitorimit të KSHH-së dhe konsistojnë në afatet e ngushta që u janë lënë në dispozicion subjekteve të vetingut, për të paraqitur prova shtesë, konkurrimi midis së drejtës për t’u mbrojtur efektivisht të subjektit dhe parimit për të zhvilluar një proces brenda një afati të arsyeshëm dhe që nuk e zvarrit qëllimisht atë etj. Monitorimi i procesit të vetingut ka evidentuar vështirësitë apo paaftësinë e disa prej subjekteve të rivlerësimit për të paraqitur të dhëna për një periudhë mbi 15 apo 20 vjet më parë, në mënyrë të veçantë atëherë kur sistemi bankar nuk ka funksionuar në mënyrën e duhur, kur ka pasur informalitet etj. Kjo evidenton nevojën për të shqyrtuar në mënyrë sa më objektive, profesionale dhe proporcionale nga organet e vetingut paaftësinë provuese të një kategorie subjektesh që janë në këto kushte. Pavarësisht nga kontributi që kanë dhënë ankimet e komisionerëve publikë dhe vendimmarrjet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si instancë e dytë në drejtim të unifikimit të jurisprudencës së vetingut, sërish ekziston nevoja për ta konsoliduar më tej këtë jurisprudencë, me qëllim që të mos cenohet parimi i barazisë mes gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen këtij procesi. Në të kaluarën, janë vërejtur raste sporadike kur për subjektet që kanë pasur ngjashmëri në drejtim të fakteve apo specifikave të çështjes, është mbajtur qëndrim i ndryshëm, duke sjellë ose shkarkimin, ose konfirmimin e tyre në detyrë.
A është futur në kolaps sistemi i drejtësisë si pasojë e vetingut nga lart – poshtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve?
Së pari, vlerësoj se procesi i vetingut duhet të fillonte nga nivelet e larta dhe më pas të zbriste në nivelet më të ulëta. Kjo për arsye se një gjykatë më e lartë ka diskrecion konform legjislacionit në fuqi, të konstatojë dhe korrigjojë shkeljet e një gjykate më të ulët. Nëse vetingu do të fillonte nga nivelet më të ulëta, kjo do të minimizonte hapësirën për të korrigjuar vendimmarrjet e gjykatave më të ulëta nga ato më të larta. Në drejtim të pasojave, pavarësisht nga cili kah do të fillonte pastrimi, në çdo rast krijohen problematika lidhur me eficiencën e sistemit të drejtësisë. Megjithatë, në vlerësimin tim pasojat do të ishin më të rënda në rastin nëse procesi do të fillonte nga poshtë-lart, pasi do të bënte që gjyqtarëve të nivelit të lartë t’u vinte radha për t’u rivlerësuar pas 5 apo më shumë vitesh.
Së dyti, nuk ishte menduar që procesi i vetingut do të sillte shkarkimin e një numri të konsiderueshëm njerëzish. Deri në fund të dhjetorit, raporti mes shkarkimeve dhe konfirmimeve është shumë i afërt. Rreth 37% e subjekteve janë shkarkuar, 43% janë konfirmuar në detyrë dhe pjesa tjetër është dorëhequr. Në këtë drejtim, legjislatori mund të ishte treguar më i kujdesshëm për sa u takon parashikimeve dhe burimeve njerëzore që do të plotësonin këtë vakum. Megjithatë, pavarësisht këtij konstatimi, nuk është vetingu në vetvete si proces ai që solli vakanca tepër shqetësuese në gjykatat e nivelit të lartë, por është fakti se reforma pati pengesa dhe bllokime që zgjatën për gati 2 vjet. Ngritja me vonesë e Këshillave (Gjyqësor/Prokurorisë) dhe mosfunksionimi i KED 2017 dhe 2018 ndikuan te mosfunksionimi i harmonizuar i strukturave të reja të drejtësisë. Sikurse dihet, këto institucione janë kyç për të plotësuar vakancat e krijuara në sistemin e drejtësisë në të tria shkallët, përfshi këtu edhe Gjykatën Kushtetuese dhe ngritjen e ILD-së (ky i fundit është emëruar në janar të këtij viti). Tashmë që këto institucione janë ngritur, shqetësuese për vendin tonë janë burimet njerëzore të kufizuara për plotësimin e vakancave të krijuara në sistemin gjyqësor dhe në atë të Prokurorisë. Parashikimi i legjislatorit në këtë drejtim nuk ishte i duhuri, pasi nuk u shoqërua me një studim paraprak nëse vendi kishte apo jo profesionistë që të plotësonin vakancat, por mbi të gjitha të plotësonin kriteret e forta kushtetuese dhe ligjore për vende si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë apo edhe kriteret e forta ligjore që janë vendosur për pranimin e magjistratëve të rinj dhe shkollën që e kanë të detyrueshme ta përfundojnë para se të marrin statusin si gjyqtar dhe prokuror.
Si mendoni, cilat janë pasojat që ka prodhuar vakumi i krijuar në sistemin e drejtësisë?
Pasojat e krijuara janë ato që, për fat të keq, prekin qytetarët, duke cenuar aksesin e tyre në drejtësi, eficiencën e gjyqësorit, duke ndikuar në zvarritjen e proceseve për shkak të mbingarkesës tepër shqetësuese me të cilën po përballet trupa e gjyqësorit, duke mos i dhënë mundësinë për të pasur një mjet juridik efektiv ankimi, për shkak të bllokimit të vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, e cila po përballet me një stok tepër të lartë dosjesh dhe bllokimit të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese etj.
A mendoni se SPAK po vuan kolapsin e krijuar nga vetingu, duke hetuar çfarëdolloj çështjeje dhe mund t’i lërë mënjanë ato që lidhen me krimin e organizuar dhe hetimin e zyrtarëve të lartë?
Goditja e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të nivelit të lartë përbën një nga pritshmëritë më të mëdha të publikut për SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme, në kuadër të reformës në drejtësi. Por, SPAK dhe Gjykata e Posaçme u ngritën me vonesë, për shkak se organet e tyre të emërtesës, KLP dhe KLGJ, u ngritën me vonesë. Është e vërtetë që një numër kandidatësh për në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme nuk e kaluan me sukses procesin e vetingut, çka solli që 8 prokurorë, nga 10 që kërkoheshin minimalisht, të emërohen në Prokurorinë e Posaçme, ndërkohë që për Gjykatën e Posaçme është bërë caktimi i përkohshëm në detyrë i ish-gjyqtarëve të Krimeve të Rënda (në pritje të procesit të vetingut), ndërkohë që një numër relativisht i vogël gjyqtarësh janë emëruar përfundimisht, pasi e kanë kaluar me sukses vetingun. Por, nuk mund të fajësohet vetingu dhe rezultatet e tij pasi në vlerësimin tim është një filtër i fortë kontrolli për ata që do të hetojnë dhe gjykojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ajo çka vlen të diskutohet është kompetenca lëndore e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për hetimin dhe gjykimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur. Duke ditur nivel tepër shqetësues të përhapjes së krimit të organizuar në vendin tonë si dhe faktin që veprat penale në fushën e korrupsionit janë të përhapura gjerësisht si në sektorin privat dhe atë publik, në të gjitha nivelet e nëpunësve (të rangut të ulët, të mesëm apo të lartë) dhe duke parë që vendi ynë ka burime të kufizuara njerëzore (gjyqtarë dhe prokurorë), të interesuar për të qenë pjesë e strukturave apo që plotësojnë kriteret, në këtë kontekst vihet në diskutim fakti nëse Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme mund të përballojnë apo jo me sukses volumin e çështjeve që pritet të hetohen dhe gjykohen. Në këtë drejtim, mund të lindë nevoja për të kufizuar kompetencën e tyre lëndore dhe për të pasur si primare veprat penale të kryera nga zyrtarët e lartë. Por kjo do të kërkonte ndryshime në Kushtetutë dhe do të përbënte një çështje tepër të debatueshme.
A e ka kapacitetin e duhur SPAK-u për të hetuar zyrtarët e lartë? Dhe, nëse jo, çfarë duhet bërë në këtë rast?
Mendoj që i kanë të gjitha instrumentet e duhura ligjore për të hetuar dhe për të vendosur para përgjegjësisë penale zyrtarët e lartë. Lidhur me kapacitetet nuk mund të shprehem, pasi këto institucione janë në hapat e parë të funksionimit të tyre. Të vlerësosh kapacitetet do të thotë të monitorosh dhe analizosh veprimtarinë e tyre dhe efikasitetin e forcës goditëse si në drejtim të hetimit dhe të dënimit të zyrtarëve të nivelit të lartë. Është ende herët për të bërë këtë vlerësim. Për më tepër, ne sot nuk kemi ende një Byro Kombëtare Hetimi funksionale, pra SPAK nuk është krijuar plotësisht pasi SPAK përbëhet nga Byroja dhe Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndaj, do të ishte e parakohshme të bëj ketë vlerësim për kapacitetet, sa kohë kjo strukturë ende nuk është krijuar, por është në proces krijimi e sipër.
Intervistoi: Bardhi Quku