Me ironi për mediet shqiptare, nga një burg i sigurisë së lartë në Ekuador, ka folur ai që konsiderohet një nga personat më të rrezikshëm shqiptar. I dënuar për trafik droge, i gjurmuar për vrasje, arratisje dhe një mori ngjarjesh të tjera në disa vende të Europës, Gramoz Rexhepi, allias Dritan Rexhepi, nga Velça e Vlorës, ka folur gjatë e gjerë në një intervistë për gazetarin Artan Hoxha. Ai në fakt ka treguar disa detaje interesante në lidhje me akuzën e rëndë të vrasjes me pagesë të dy punonjësve të policisë në Fushë-Krujë, ndërkohë që ka dhënë edhe fakte tronditëse për sa i përket asaj historie të rëndë dhe të zakonshme për kohën në vendin tonë.
Në reagimet e tij, njeriu i akuzuar si ‘truri’ i krimit më të rëndë që ka përjetuar vendi në këtë dekadë, mohon në mënyrë kategorike të jetë ai i implikuar në atë histori. Po ashtu ai refuzon të ketë njohje me Altin Hajrin dhe asnjë nga personat që ai dyshohet që ka komunikuar me ta nga burgu në Ekuador. I arrestuar dhe i dënuar nga drejtësia e vendit latin, ai pretendohet se ka bërë lëvizjen e një sasie prej 249 kg kokainë. Në fakt në dëshminë e tij, Gramoz Rexhepi del aq i pafajshëm saqë duket se gjithë bota ia ka me hile. Ai tregon se në të gjithë jetën e tij ka bërë vetëm një lëvizje droge në sasinë modeste prej 5 kg, ndërkohë mohon në mënyrë kategorike të jetë ai personi për të cilin flet gjithë policia e Botës.
Po ashtu ai duke treguar se është djali që ka dashur të bëhet jurist po nuk e la ‘fati’ se i zuri pritë, ka treguar edhe me ironi që mediat shqiptare e kishin bërë kille dhe se ai s`mund të ishte i tillë meqë kishte dashur të mbaronte shkollën e lartë në degën që merret me drejtësinë. Në fakt, prej më shumë se 10 vitesh është folur në mediet shqiptare se Gramor Rexhepi donte të shkollohej për Drejtësi, se ishte i dyshuar jo vetëm në vrasjen me pagesë të policëve po edhe në një sërë ngjarjesh të tjera të rënda në vend që lidheshin me trafikun e drogës sidomos në zonën e Vlorës. Madje edhe pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet, emri i tij lidhet me ngjarje të rënda që kanë tronditur vendin, sigurisht në rolin e udhëzuesit ose porositësit!
(Fjala.al)
Intervista nga Artan Hoxha
Grupi hetimor pretendon se ju keni folur me familjen Prenga dhe u keni thënë se kush e ka kufomën e vëllait të tyre, madje u keni treguar dhe emrat e personave që kanë kryer pengmarrjen; bëhet fjalë për shtetasit, Gentian Doçi, Altin Hajri, Korado Doda?
Nuk ka asgjë të vërtet, po të them që nuk kam folur me askënd nga këta persona që përmendën aty. Madje as nuk i njoh dhe as i kam takuar kurrë këta persona!
Po me Altin Hajrin ke njohje, ke kontaktuar ndonjëherë me të?
Policia e ka gjetur vet kush ka folur me këtë person dhe çdo gjë tjetër rreth tij. As e njoh dhe as kam folur kurrë me këtë person, as e kisha dëgjuar ndonjëherë më parë.
Po pse e kanë lidhur me emrin tuaj me këtë ngjarje?
Këtë dëshiroj ta mësoj edhe unë, se ma kanë bërë familjen një grusht dhe prindërit i kam në moshë të thyer. Mbas gjithë kësaj që ka ndodhur edhe unë vet jam shumë i interesuar për të parë kush fshihet pas kësaj historie. Madje i bëj thirrej çdo personi që ka dijeni mbi vendin ku mund të jetë fshehur trupi i viktimës, të njoftojë autoritetet që familjarët e tij të kenë një mundësi ku të ngushëllohen për dhimbjen e tyre.
Në momentin e arrestimit tuaj në Ekuador, ju ishit në listën e 10 personave me të kërkuar nga Interpoli, ndërkohe në adresën tuaj ishin lëshuar 3 kartela të kuqe arrestimi nga vendet e BE-së. Në listën e 18 personave më të kërkuar që policia britanike ka publikuar me 4 shkurt 2013, emri juaj përfshihej në 10 të parët për rrezikshmëri shumë të lartë. Pse ka ndodhur ky fakt?
Nuk e di këtë gjë, por mbase ka ndikuar fakti që unë jam arratisur disa herë nga burgu, në Shqipëri, Itali apo Belgjikë. Policia britanike me sa di unë nuk ka publikuar kurrë asgjë ndaj meje, sepse unë nuk kam shkelur kurrë në ishull e aq më pak të kem patur probleme. Në Angli publikimin që unë kam parë aty e ka dhënë një agjenci private investigimi nga një telefonate anonime, ndërsa unë ndodhesha në Ekuador. Shkrimin e bazuar mbi këtë agjenci e ke të publikuar edhe sot në internet. Pastaj bazuar mbi këtë shkrim lajmet në Shqipëri apo dhe në disa vende të tjera t Evropës u manipuluan apo e trilluan historinë për tu dukur më e bukur, mbase për të tërhequr më shumë vëmendjen e publikut. Situata ishte identike si u veprua në 2006-n apo siç po fryhet tani me rastin e fundit. Për të vërtetuar këtë kam vulat në pasaportën që kam përdorur në atë kohë. Ky informacion më pas u publikua nga mediet që e intriguan si histori të vërtet, gati në të njëjtën mënyrë si po sillen dhe në rastin e tanishëm.
Aktualisht sa dënime të tjera janë dhënë për ju në Evropë?
Fillimisht në Shqipëri më dhanë burgim të përjetshëm, por pastaj çështja u rigjykua dhe u vendos me 25 vite burg. Ky vendim është dhënë nga gjykata e Krimeve të Rënda me 23 maj 2013, dhe është në pritje të gjykimit nga Gjykata e Lartë, pasi Gjykata Kushtetuese në mars 2018, e ka kthyer çështjen për rigjykim. Shpresoj shumë që aty të dalë e vërteta, pasi dy personat e tjerë që ishin dënuar me mua nga 20 vite burg, Shefqet Seferi dhe Sokol Halili tashmë janë liruar si të pafajshëm. Dosja ime u veçua dhe tashmë i dënuar përfundova vetëm unë. Jam arrestuar pasi u arratisa nga Shqipëria në qytetin e Amsterdamit në Holandë me 30 mars 2008. Nga aty më ekstraduan në Itali pasi nga përgjimet telefonike rezultoja i përfshirë në një trafik kokaine. Italianët mu qepen pas dhe besoj se në Amsterdam ishte këmbëngulja e tyre që më arrestuan. Në Itali më dënuan me 25 vite burg për trafikimin e 5 kilogramëve kokainë. Me gjykim të shkurtuar mbeti 16 vite e 8 muaj burg. Unë aty kam bërë vetëm tre vite burgim sepse më pas, me 17 mars 2011, jam arratisur nga burgu i Vageras në Pavia.
Mediet në Spanjë ju kanë cilësuar si mbreti i arratisjeve kur jeni arrestuar në vitin 2011 në Barcelonë nga policia spanjolle. Aty jeni akuzuar se keni grabitur një shumë të madhe, afro 1 milionë e gjysmë euro në një bankë, bashkë me persona të tjerë. Çfarë ka ndodhur në Barcelonë?
Nuk është e saktë ajo qe është thënë në atë kohë. Mediet spanjolle më kanë akuzuar për 101 të zeza por nuk ka asgjë të vërtet, ndryshe do të isha në burg në Spanje jo në Ekuador ku ndodhem tani. Në Spanjë unë nuk kam bërë asnjë grabitje, aq më tepër banke. Unë jam arrestuar me 26 qershor 2011, rastësisht dhe mbasi verifikuan kush isha më ekstraduan në Belgjike pas një muaji. Operacioni i policisë u zhvillua në lagjen ku unë qëndroja me qira, dhe unë jam kapur rastësisht. Nëse do të kisha grabitur një bankë aq më tepër me një shume të tille parash, nuk do të më ekstradonte Spanja për pak javë në Belgjike, ku unë kisha një dënim minimal por do të më mbante aty. Në Spanje unë u arrestova për motive ekstradimi në Belgjikë, pas një muaji u ekstradova se në Spanje nuk kisha asnjë akuzë.
Pavarësisht kësaj që sapo thatë, por nofkën “mbreti” i arratisjeve nga burgu nuk ua kanë vënë kot?!
Jam arratisur tre herë nga burgjet, por nuk i kam bërë askujt dëm. Jam munduar të mos lëndoj askënd gjatë veprimeve të mia të arratisjes. Kam ikur gjithnjë me zgjuarsinë dhe zotësinë time. Çdo i burgosur në botë kërkon të arratiset, vetëm po nuk iu dha mundësia. E vetmja gjë qe kam peng që nga viti 2006, kur u arratisa nga qelitë e izolimit në Durrës, janë ata dy policët e Durrësit që i futen në burg për arratisjen time. Atyre u kërkoj sinqerisht falje, se ishin hallexhinj. Më kujtohet që blinte njëri një ditë gazetën dhe tjetri ditën tjetër që të mos harxhonin 500 lekë të vjetra. I urdhëruan të më linin vetëm dhe më pas i futen në burg pasi ika unë. Unë u arratisa pasi e pashë se donin të më bënin kokë turku. Kjo është vërteta. Anton Martinin, prokurorin e çështjes në atë kohë e ke gjallë pyete çfarë pretendonte nga unë.
Kur jeni arrestuar për herë të fundit në Shqipëri dhe për çfarë akuzash?
Për herë të fundit jam arrestuar në Tiranë, më 26 janar 2006, ndërsa po pija kafen e mëngjesit me një shokun tim në ‘Hotel Tirana’! Sapo me arrestuan, të gjitha gazetat dhe televizionet me akuzuan për 16 vrasje. Me cilësuan menjëherë, arrestohet vrasësi me pagesë, për grabitje, etj. Po atë ditë, me forca të shumta policie më morën nga Tirana dhe më dërguan në Durrës, pasi ngjarja për të cilën akuzohesha kishte ndodhur në territorin e qarkut të Durrësit.
Ju ndërkohë akuzoheshit për vrasjen e 3 shtetasve, ekzekutimin në rrethana cilësuese të dy policëve Arben Keqi e Durim Kasmi si dhe për plagosjen e rëndë me pasojë vdekjen e pronarit të lokalit Raim Bakiasi?
Ajo është një histori e gjatë që kërkon disa netë dimri për ta treguar. Në fakt unë jam akuzuar jo për dy policë por vetëm për rastin e Durim Kasmit, dhe atij personit tjetër. Së pari nuk e di se si prokuroria sajoi një person krejt të pabesueshëm. Gjeti një hallexhi që nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte. Një farë Shefqet Seferi, i cili nuk e di në çfarë rrethanash në atë kohë firmosi çfarë i tha prokurori për të më bërë mua kokë turku për një ngjarje vërtetë shumë të rëndë, sepse humbën jetën 2 persona. Fillimisht dhe atë e dënuan me 20 vite burg por më pas e shpallën të pafajshëm. Gjatë hetimit ai deklaroi se një person nga Nikla, që kishte probleme hasmërie e kishte kontaktuar që ky të organizonte një vrasje duke gjetur vrasës me pagesë. Sipas akuzës se prokurorisë ky kishte gjetur dy persona nga Vlora, Sokol Halili dhe unë, dhe na kishte paguar për të bërë vrasjen. Me këto deklarime të cilat po ky person i rrëzoi gjatë procesit në gjykatë, u dënuam 3 veta përfshire dhe atë vet. Unë u dënova fillimisht me burgim të përjetshëm, më pas me 25 vite burg, Sokol Halili me 20 vite burg dhe Seferi me 20 vite burg. Me vonë gjykata e ndau dosjen, dhe personin që pretendohej se kishte organizuar vrasjen e shpalli të pafajshëm për mungesë provash, personin tjetër që akuzohej bashkë me mua për vrasjen po ashtu e shpalli të pafajshëm. Vetëm unë që u gjykova në mungesa u dënova me 25 vite burg në gjykatën e Krimeve të Rënda me 23 maj 2013. Pas një historie të gjatë gjyqesh në të gjitha shkallët e gjyqësorit, në mars 2018 Gjykata Kushtetuese ktheu në Gjykatën e Lartë për gjykim dosjen time. Aktualisht jam në pritje të gjykimit në Gjykatën e Lartë, ku kam shpresë që në fund të dalë e vërteta, pasi tani edhe dy “bashkëpunëtoret” e tjerë në këtë ngjarje kanë fituar pafajësi. Mua për të drejta të barabarta më takon pafajësi në çdo gjykatë të planetit se është e njëjta çështje identike.
Duke parë gjithë këto ngjarje ku ju jeni përfshirë gjatë jetës tuaj, vrasje policësh, trafik droge, arrestime, arratisje të bujshme nga burgu, dënime të rënda në disa shtete, tani kur keni mbushur 40 vjeç dhe ndërkohë ju presin dhe tri dënime të tjera me burgime të gjata, çfarë ju vjen ndërmend kur ktheni kokën pas?
Unë në vitin 2005 kisha ndërmend të mbaroja universitetin, Fakultetin për Drejtësi, pra të diplomohesha si jurist dhe pastaj të shihja se çfarë do të më sillte jeta. Nuk isha nisur për tu bërë killer me pagesë si më akuzuan për vrasjen e dy policëve dhe të një personi tjetër që kur isha 18 vjeç dhe as trafikant droge. Të jesh killer me pagesë dhe të studiosh për tu diplomuar si jurist janë dy pole ekstreme. Se kështu i bie që jam “killer me diplomë juridiku”! Dhe këto mediet në Europë apo aty në Shqipëri mirë që nuk e kanë ditur këtë fakt se pale çfarë do më kishin sajuar. Me këtë CV “killer me pagesë me diplomë juristi” më të vërtet që do të kisha përfunduar në top-listë dhe do të kisha kapur faqet e para. (qesh) Po mirë që Shqipëria është një grusht vend, dihet kush ka qenë dhe kush janë killerat. Unë nuk kam asnjë bela mbi supe të këtij niveli, nuk kam asnjë hasëm, nuk kam asnjë armik. Skam asnjë pasuri që të më dërgojnë dhe atë formularin e KÇK-së.
Ju jeni arrestuar disa herë dhe jeni dënuar për trafik ndërkombëtar droge, madje jeni ndër shqiptarët e parë në mos i pari fare që jeni dënuar për trafik droge në Ekuador?
Ashtu si më ka marrë jeta mua çfarë prisnit të bëja?! Të thashë doja të bëhesha jurist, dhe përfundova i akuzuar për vrasje me pagesë, madje për një krim që dënohesha me burgim të përjetshëm. Kisha dy rrugë, t`i dorëzohesha një sistemi të padrejte dhe të kalbur në Shqipëri që do më çonte në burgim të përjetshëm apo të kërkoja një mundësi të dytë për të bërë diçka tjetër me jetën time. Por ajo që më ndodhi në Shqipëri më ndoqi pas gjithë jetën, dhe kudo që të shkoja nuk mund të jetoja apo punoja lirisht. Isha shpallur një person shumë i kërkuar nga Interpoli në çdo cep të botës. Pra duhej të jetoja gjithnjë me rrezikun se diku, dikush një ditë do më kapte. Në këto kushte nuk mund të gjeja një punë normale, nuk mund të bëja një jetë të lirë. Sërish e vetmja zgjidhje që mu ofrua ishte të siguroja paratë për të jetuar në mënyrë të paligjshme. Për këtë shkak u futa në trafikun e drogës. Jam marrë me drogë në Holandë kur ika nga Shqipëria sepse nuk punoja dot, nuk kisha as dokumente. Instinkti i mbijetesës me çoi në atë drejtim. Më pas në Itali me arrestuan me 5 kile drogë. Në Ekuador më akuzojnë si i përfshirë në atë ngarkesën e 249 kg kokaine, por ajo u kap në banesën e 4 personave që e pranuan në gjykatë se ishte droga e tyre, madje sot pas 6 vitesh janë të liruar me kusht. Nuk mu kap mua droga, prandaj nuk e kam pranuar kurrë akuzën. Por edhe në këtë lloj jete, jo normale dhe të paligjshme, jam mundur gjithnjë të bëj miq dhe të jem korrekt aq sa të lejon kjo lloj jete dhe ky lloj “biznesi” të jesh korrekt. Pavarësisht çfarë me është dashur të kaloj apo të vuaj mendoj se kam bërë vetëm miq, nuk kam armiq. Populli thotë secili mban kokën e vet mbi supe dhe gjithkush nga ne mban përgjegjësi për ato që bën në të vërtetë dhe jo ato që ia sajojnë të tjerët. E vërteta nuk është ajo që kam dëgjuar këto ditë të flitet në Shqipëri, të paktën për mua. Nuk e di çfarë provash ka në të vërtetë policia apo prokuroria sepse nuk kam parë asnjë polic apo asnjë prokuror të flas publikisht me prova apo me vendim gjykate. Gramoz Rexhepi mban përgjegjësi për ato që bën personalisht jo për ato që të tjerët duan apo dyshojnë se i bëj unë. Nuk është se kisha qejf të madh të jepja intervistë, as kam ndonjë kënaqësi të jap intervistë, madje as kam dhënë kurrë më parë. Sepse jam bërë i “famshëm” në mediet shqiptare apo ndërkombëtare pa folur asnjëherë me to. Por këtë herë rrethanat më detyruan ta bëj këtë gjë, për të treguar si është e vërteta realisht dhe se nuk mund të mbaj mbi shpinë akuza kaq të rënda për ngjarje që jo vetëm nuk i kam organizuar apo kryer unë, por as kam patur dijeni për to dhe personat e përfshirë në këto ngjarje.