Çështja penale në ngarkim të Arben Qatos, inxhinierit kolaudues të LSI-së, është pushuar nga gjykata e Durrësit.
Kujtojmë se Arben Qatos i doli emri si një nga kolauduesit abuzivë të ndërtimeve pa lejë në qytetin e Durrësit dhe zonën e Golemit.
Prej abuzimeve të shumta, madje edhe në hotelin e tij “Vila Palma” në Golem, Arben Qato, në tërmetin e 26 nëntorit 2019 humbi ndërtesën buzë detit, ku nga shembja mbeti i vdekur babai i tij Sadik Qato dhe fatmirësisht shpëtoi njëri nga djemtë e tij.
Në 5 dhjetor 2019 ka raportuar se ky kolaudues ka falsifikuar dokumenta, lidhur me kolaudimin e objektit shumë katësh që ndodhet në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” dhe që njihet ndryshe si kompleksi “Kamelia”. Për kolaudimet fiktive dhe jo reale, Arben Qato në muajin korrik 2019 është marrë i pandehur nga prokuroria e Durrësit, e cila ka ngritur ndaj tij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Qato në cilësinë e inxhinierit kolaudues, ka kryer kolaudimin e pallatit “përbindësh” në Golem që quhet kompleksi “Kamelia”, që pas kolaudimit nga Qato, pronari i pallatit solli dhe shumëfishimin e kateve. Sipas prokurorisë ky kolaudim është kryer në muajin Maj 2012, duke shkelur të gjitha rregullat e urbanistikës dhe pa pasur asnjë dokumentacion konkret për objektin ekzistues.
Veç Arben Qatos i pandehur për “Ndërtim pa lejë” është marrë dhe pronari i “përbindëshit” “Kamelia” Enver Shala, e bashkë me të dhe ish-kryekomunari i Rrashbullit, Hysen Gashi, Merita Zeqaj,Valentin Stanaj, Alketa Blakaj dhe shoqëria “Universal Engineering 08″shpk. Por kur në datën 5 shkurt, pritej që gjyqtarja paraprake e çështjes, Eda Kaja, të kalonte për gjykim dosjen penale në ngarkim të pandehurve të mësipërm, ajo ka vendosur pushimin e çështjes penale, duke e cilësuar se nuk ka prova materiale.
Gjyqtarja Kaja ka një lidhje shoqërore me Dëshira Qato, bashkëshorten e të pandehurit në këtë çështje Arben Qato, shoqëri kjo që evidentohet edhe në profilin e tyre në rjetin social “Facebook”. Por pavarësisht këtij pushimi Dëshira Qato dhe Arben Qato, vijojnë të jenë në kërkim pasi në një vendim tjetër gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tyre masën e arrestit në burg në mungesë për akuzën e vrasjes.
Në vendimin e saj të pushimit të dosjes penale gjyqtarja Eda Kaja thotë se:“…në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata bindet plotësisht se, i pandehuri Hysen Gashi për shkak të pozitës së tij si Kryetar i Komunës Rrashbull i zgjedhur, nuk ka marrë në asnjë rast pjesë në pregatitjen, përpunimin dhe vleresimin paraprak ligjor dhe teknik te cdo lloj dokumentacioni te paraqitur bashkë me kërkesat për dhënien e lejeve të ndërtimit, pasi nuk ka patur një marrëdhenie direkte me Zyrën e Urbanistikës se Komunës Rrashbull ku mblidhej dhe përpunohej ky dokumentacion…”.
Më tej në vendim kjo gjyqtare shton se:”…organi i akuzës nuk ka arritur në një konkluzion të qartë dhe llogjik përsa i përket përcaktimit e plotësimit të elementeve të përgjegësisë penale në lidhje me akuzat e atribuara ndaj të gjykuarve. Vërtetimi i akuzave në fjalë, përsa i përket veprimeve të të gjykuarve, nuk ka respektuar standartin ligjor të provimit përtej çdo dyshimi të arsyeshëm…”.
Në fund të vendimit gjyqtarja Eda Kaja, ka çmuar se:”…ndaj Enver Shaba dhe shoqeria “Shala-E-CO”, Hysen Gashi, Arben Qato, Merita Zeqaj, Valentin Stanaj, Alketa Blakaj dhe shoqëria “Universal Engineering 08″shpk, nuk duhet të vazhdojë ndjekja penale për “Ndërtim të paligjshem” dhe “Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashëpunim…”. Pavarësisht këtij vendimi të marë në datën 5 shkurt 2020, prokuroria e Durrësit tashmë e ka apeluar atë në gjykatën e Apelit, duke kërkuar prej kësaj gjykate që të rrëzojë këtë vendim të padrejtë dhe të futë çështjen penale për gjykim ndaj të pandehurve të mësipërm.
Vendimi i gjykatës
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Enver Shaba
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit shoqeria “Shala-E-CO”
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Hysen Gashi
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Arben Qato
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurës Merita Zeqaj
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Valentin Stanaj
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurës Alketa Blakaj
- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit shoqëria “Universal Engineering 08”