Tërmeti i 26 nëntorit,Denaj: Asnjë kontroll tatimor në bizneset e dëmtuara

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Paketë fiskale lehtësuese, pezullim i kontrolleve tatimore, evidentimi, llogaritja dhe njohja e dëmeve në aktive qarkulluese, heqja e penaliteteve për dorëzimin me vonesë të deklaratave tatimore, pezullimi dhe shtyrja e pagesave të detyrimeve tatimore të tatimpaguesve të dëmtuar dhe zbatimi i menjëhershëm i procedurave për ndërprerjen e përkohshme të veprimtarisë janë masat që do të merren në favor të bizneseve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Përmes një letre, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, i ka kërkuar Administratës Tatimore që në rajonet e prekura nga tërmeti të jetë e fokusuar në mbështetje të bizneseve të dëmtuara, me qëllim krijimin e të gjitha lehtësive dhe mbështetjeve që lejojnë dispozitat ligjore në fuqi.

Letra

Ministrja Anila Denaj u ka kërkuar tatimeve të evidentojnë të gjitha kategoritë e bizneseve të dëmtuara nga tërmeti në territorin dhe zonat ku është shpallur gjendja e emergjencës dhe evidentimin, llogaritjen dhe njohjen e dëmeve në aktive afatgjata (ndërtesa/makineri).

Në letër Denaj thotë se shpenzimet e biznesit për rikuperimin e dëmeve të tërmetit në vendet e shkatërruara të biznesit, do të jenë shpenzime të njohura biznesi (neni 20 i ligjit të tatimit mbi të ardhurat) pasi ato i shërbejnë vazhdimësisë së veprimtarisë dhe prodhimit të fitimit në periudhat e ardhshme.

Shpenzimet e rikonstruksionit/rindërtimit të objekteve të dëmtuara do të jenë shpenzime të njohura biznesi qoftë si shpenzim amortizimi kur ato janë mbi 15% e vlerës së aktivit (shkronja “b” paragrafi “1” neni 21 i ligjit të tatimit mbi të ardhurat), qoftë si shpenzime korente kur janë më pak se 15% e vlerë së aktivit.

“Do të njihen si shpenzime të zbritshme vlera kontabël e mallrave që janë dëmtuar/shkatërruar dhe janë të papërdorshme, për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur ‘zona të fatkeqësisë natyrore’.

Në udhëzimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, krahas dispozitave për nxjerrjet jashtë përdorimit të mallrave të dëmtuara, do të detajohen procedura që do zbatohen në këto raste fatkeqësish”, – thuhet në letër.

Penalitetet dhe pagesat

Për të gjitha bizneset e dëmtuara nga tërmeti në zonat e fatkeqësisë natyrore, Administrata Tatimore dhe strukturat e apelimit do të heqin gjobat për deklarim të vonuar të çdo deklarate të kërkuar nga legjislacioni për periudhat tatimore të zgjatjes së gjendjes së emergjencës. Për bizneset e dëmtuara nga tërmeti në zonat e fatkeqësisë natyrore, bazuar në kërkesën e tatimpaguesit, Administrata Tatimore shtyn afatin për pagesën e detyrimeve tatimore të deklaruara nga këto biznese (neni 77 i ligjit të procedurave tatimore).

Pas pagimit të 20% të detyrimit tatimor, pjesa tjetër e detyrimit mund të shtyhet duke mos vendosur këste pagesash deri në rifillimin e punës apo tejkalimin e gjendjes së mungesës së likuiditeteve nga tatimpaguesit. Gjithashtu për tatimpaguesit e dëmtuar, sidomos bizneset e vogla, të cilët vendosin të ndërpresin përkohësisht veprimtarinë, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Administrata Tatimore të marrin masa për përshpejtimin e procedurave dhe eliminimin e vonesave.

Kontrollet dhe paketa

Për të gjithë kohëzgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, në territorin dhe zonat ku është shpallur, administrata tatimore pezullon kontrollet tatimore apo verifikimet në bizneset e dëmtuara nga tërmeti, përfshirë edhe auditet e planifikuara paraprakisht, përfundon letra e ministres së financave për tatimet. Krahas masave të menjëhershme brenda kuadrit aktuali ligjor, Ministria e Financave po përgatit dhe një paketë lehtësuese për bizneset e prekura nga tërmeti. Ministria e Financave ka hartuar një draft udhëzim, i cili i jep zgjidhje një nga kërkesave më shumë të artikuluara nga biznesi, për njohjen, si shpenzime të zbritshme të dëmeve nga tërmeti.

Lexo edhe :  Kompensimi i pronarëve/ Hapen aplikimet, përfitojnë ata që preken nga ndërtimet informale

Ndryshimet e udhëzimit për tatimin mbi të ardhurat (i cili është në fazë paraprake dhe nuk ka kaluar ende në qeveri) njohin për biznesin e dëmtuar si shpenzime të zbritshme, vlerën kontabël të mallrave dhe të aktiveve të mbetura që janë dëmtuar dhe shkatërruar.

Në udhëzimin nr. 5, datë 30.1.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, në fund të pikës 3.5, shtohen paragrafët me këtë përmbajtje: “Njihen si shpenzime të zbritshme edhe (i) vlera kontabël e mallrave dhe (ii) vlera kontabël e mbetur e aktiveve që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur ‘zona të fatkeqësisë natyrore’”.

Dokumentet e biznesit

Udhëzimi i ministres së Financave përcakton se biznesi duhet të paraqesë pranë drejtorive rajonale të tatimeve, listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara dhe të shkatërruara.

Në listë duhet të përfshihet në mënyrë të detajuar sasia për çdo lloj aktivi të dëmtuar; faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara. Administratës Tatimore biznesi do t’i dorëzojë edhe raportin e hartuar nga institucionet vlerësuese për shkatërrimin e aktiveve afatgjatë, pra të tokës, ndërtesave dhe makinerive.

Komisioni Evropian zbardh strukturën e “ndihmave” për Shqipërinë, donacionet për tërmetin, vetëm 293 milionë euro janë dhuratë

Komisioni Evropian zbardh “strukturën” e parave të premtuar për Shqipërinë për rindërtimin e pasojave që la tërmeti i 26 nëntorit. Prej 1,15 miliardë eurove, të premtuara 17 shkurt në konferencën e donatorëve në Bruksel, vetëm 295 milionë euro janë donacione.

853 milionë euro janë në formë huaje dhe rreth 3.4 milionë euro do të jepen në formë shërbimi apo mallrash. Të dhënat zyrtare të Komisionit Evropian tregojnë gjithashtu një panoramë tjetër të vendeve donatore, bazuar vetëm te paratë e dhuruara, në formë grantesh. Emiratet e Bashkuara Arabe me 70 milionë euro janë vendi që ka bërë donacionin më të madh në formë dhurimi si shtet individual, duke u ndjekur nga Turqia me rreth 44 milionë euro.

Vendi i tretë në listë dhe i pari mes vendeve të Bashkimit Evropian është Gjermania, me 11 milionë euro. Ndjek Zvicra me 9 milionë euro, Italia me 5 milionë euro, Katari me 4.6 milionë euro, SHBA me 4.3 milionë euro dhe Holanda me 3 milionë euro. Franca ka dhuruar vetëm 1 milionë euro, ndërkohë që ka dhënë 60 milionë euro në formë huaje. Komisioni Evropian me 115 milionë euro është donatori më i madh në absolut.

Të gjitha këto para të dhuruara do të vijnë në formë grantesh. Ndërkohë në lidhje me fondet e ofruara në formë huaje, në krye të listës është Banka Islamike për Zhvillim me 383 milionë euro, e ndjekur nga Banka Botërore me 106 milionë euro e më pas Banka Evropiane e Investimeve si dhe Banka e Zhvillimit të Këshillit Evropian me nga 100 milionë euro secila. Po të bëjmë një krahasim mes dy listave zyrtare, atë të pjesëmarrësve me atë të donatorëve vëmë re disa detaje të tjera interesante.

Monako, Maroku, Letonia, Lituania, Irlanda, Kanadaja, Izraeli, por edhe Vatikani dhe Spanja ishin të pranishëm në konferencë por nuk kanë dhënë asnjë formë donacioni për Shqipërinë për të përballuar situatën pas tërmetit të datës 26 Nëntor. Madje edhe Maqedonia e Veriut nuk ka dhënë asnjë para në formë grantesh apo huaje, por vetëm 100 mijë euro në mallra apo shërbime.

Të fundit

Barcelona shkatërron Valencian me goleadë, katalanasit tregohen të pamëshirshëm

Barcelona rikthehet te fitorja në La Liga. Katalanasit triumfuan me rezultat të çmendur 7-1 ndaj Valencias, në një ndeshje...

Giorgia Meloni në Arabinë Saudite, marrëveshje bashkëpunimi 10 miliardë dollarë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zhvilluar sot një takim dypalësh me Princin dhe Kryeministrin e Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman. Takimi u zhvillua në një...

Përgatitjet e socialistëve për zgjedhjet e 11 majit, Koçi: Në terren 140 kandidatë

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në një intervistë televizive, foli për përgatitjet që PS po bën për zgjedhjet që pritet të...

SHBA nis aksionin për ‘goditjen’ e emigrantëve pa dokumente, qindra dëbime dhe arrestime

Autoritetet amerikane po arrestojnë tashmë qindra emigrantë pa dokumente në ditë dhe po i dërgojnë ata në vendet e tyre të origjinës, duke përmbushur...

Manchester United rikthehet tek fitorja, Djajtë triumfojnë në transfertën e Fulham

Manchester United ka siguruar një fitore minimale në transfertë ndaj Fulham, duke marrë pikë të rëndësishme për klasifikimin dhe moralin. Skuadra e Amorim, përsëri nuk...

Lajme të tjera

Web TV