– Oligopoli/ Tarifat e telefonisë celulare, Shqipëria më e shtrenjta në rajon
-Shqipëri/ Paguajmë më shumë për të folur brenda vendit sesa në roaming
Në fillim të shkurtit kompanitë e telefonisë celulare rritën në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën vlerë tarifat për paketat 30 ditore me parapagim. Rritja ishte 200 lekë. Pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës nga konsumatorët nisi hetimi i tregut. Autoriteti i Konkurrencës vendosi të detyrojë kompanitë e telefonisë celulare që operojnë në vendi të mbajnë të pandryshuar çmimin e paketave me parapagesë deri në përfundim të hetimeve.
“Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se: Nga monitorimi i zbatimit të vendimit nr. 680, datë 14.02.2020, “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare”, vihet re se operatorët: Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom kanë ndërprerë aplikimin e paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë. Sjellim në vëmendje se në pikën II të vendimit nr. 680, datë 14.02.2019 thuhet: “Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore”- bën të ditur Autoriteti i Konkurrencës.
Vodafone Albania, Albtelecom dhe Telekom Albania rritën me 200 lekë paketat me parapagim, por Autoriteti i Konkurrencës vendosi që të pezullojë rritjen. Kompanitë që shkelin vendimin, gjobiten me 10% të vlerës së xhiros. Autoriteti i Konkurrencës vendosi të urdhërojë kompanitë që të ndërpresin në mënyrë të menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, aplikimin e paketave të reja standarde 30-ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom.
Komisioni i Konkurrencës vendosi të marrë masa të përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
“Në mbledhjen e tij të datës 14.2.2020, shqyrtoi çështjen me objekt: Marrja e masës së përkohshme në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe vendosi ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30-ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom”, – thuhet në vendim.
Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.
“Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të këtij vendimi, ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5% të xhiros mesatare ditore, derisa ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom të veprojnë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme”, – thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Tarifat, lum ankesash nga konsumatorët
Drejtor i Ankesave në Qendrën për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa, në një prononcim për gazetën “Fjala”, pohon se ka marrë shumë ankesa nga qytetarët në lidhje me rritjen e tarifave të telefonisë celulare. Ai pohon se AKEP nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me sjelljen e kompanive të telefonisë celulare në treg.
Kompanitë e telefonisë celulare kanë rritur tarifat për paketat me parapagim 30-ditore. A keni marrë ankesa nga konsumatorët?
Fenomeni i rritjes së çmimeve në mënyrë abuzive e spekulative në dëm të xhepit të konsumatorëve shqiptarë, fatkeqësisht, është kthyer në praktikë zhvatjeje çdo vit. Vetëm këto ditë janë mbi 132 ankesa nga Tirana e rrethet që shprehen se të 3 kompanitë celulare kanë rritur çmimin me 200 lekë.
Po AKEP, në dijeninë tuaj, ka marrë masa? Kush duhet t’i mbrojë konsumatorët?
Autoriteti i AKEP-it hesht, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po të njëjtin qëndrim heshtjeje ka aplikuar edhe në vitin 2018 dhe në vitin 2019. Konsumatorët ndihen të braktisur e të pambrojtur. Ata nuk dinë se a ka hetuar Autoriteti ndonjëherë sa duhet të jenë kostot reale që duhet të blejë konsumatori. Në pritje të përgjigjes, nga AKEP-i, pas kësaj do t’u bëjmë thirrje publike konsumatorëve të braktisin për një afat të pacaktuar këta miliarderë të shitjes së ajrit. Kompanitë i ke derë më derë e lagje në lagje duke çorientuar qytetarët me të ashtuquajturat oferta, por sapo të fusin në kthetra, vazhdon zhvatja për ditë e pa mëshirë.
Kompanitë në Shqipëri
T MOBILE, (Ish-AMC) është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë celulare në vitin 1996 dhe ka funksionuar si kompani shtetërore deri në shtator të vitit 2000, kur u krye privatizimi i 85 për qind të aksioneve, pjesë e cila u ble nga Cosmote Group, operatori celular në Greqi, e cila është vetë pjesë e grupit OTE, operatorit incumbent në Greqi. Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës zotëroi rreth 12.6% të aksioneve të Telekom Albania Sh.a, deri në vitin 2008, kur u krye dhe shitja e kësaj pjese ‘Cosmote Group’. Afërsisht 2.4% të aksioneve zotëroheshin nga aksionerë të vegjël (punonjës të AMC në kohën e privatizimit) të cilat më pas janë blerë nga Cosmote Group. Deutsche Telekom është aksionari më i madh i OTE. Në Korrik 2015, Albanian Mobile Communications ndryshoi emrin në Telekom Albania.
Vodafone Albania Operatori
Vodafone Albania është licencuar si operatori i dytë kombëtar i shërbimit celular në Shqipëri më 9 qershor 2001. Aksionerët e Vodafone Albania janë Vodafone Europe B.V dhe Vodafone Panafon International Holding B.V, të cilët zotërojnë secili 50 përqind të aksioneve. Në 3 Gusht 2001 Vodafone Albania filloi ofrimin e shërbimeve të saj GSM në Shqipëri.
Albtelecom Operatori
Albtelecom është licencuar si operatori i tretë kombëtar i shërbimit celular në Shqipëri me 1 Mars 2004. Liçenca i është dhënë Albtelecom si pjesë e paketës së privatizimit të kësaj kompanie, proces i cili përfundoi në vitin 2007. Operatori Eagle Mobile filloi ofrimin e shërbimeve celulare në mars 2008 nën emrin Eagle Mobile sh.a ka funksionuar si kompani me vete me 100% pronësi të Albtelecom sh.a deri me 31.01.2013, duke u përthithur më pas nga Albtelecom sh.a.! Pas bashkimit të dy kompanive shërbimet celulare ofrohen nga Albtelecom sh.a. Albtelecom sh.a ka si aksioner kryesor Cetel Telekom Iletisim Sanayi Ve Ticaret me 76% të aksioneve.