Elvi Sidheri: Dorëshkrimi i romanit të parë më humbi në avion

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Intervista/ Shkrimtari Elvi Sidheri rrëfen udhëtimet e jashtëzakonshme që e frymëzuan në krijimtarinë letrare

Nga Leonard Veizi

Ai është njohësi i mirë i botës latine dhe i mentalitetit të asaj ane sigurisht. Dhe botën e gjerë, që fillon nga Roma e shtrihet më tej se Andet, nuk e ka parë nga dritarja e shtëpisë së tij, dhe as në mënyrë viruale përmes një ekrani high definition. Lënë mënjanë Ballkanin dhe Stambollin Aziatik, por dhe Evropën e epërme, e nisur nga Madriti Iberik ka mbërritur për t’u ulur këmbëkryq në Brazil. Dhe nuk është çudi që në udhëtimin e ardhshëm të na surprizojë me më shumë se kaq. Ndërkohë, në rrugëtimet e tij të herë pas hershme duket se është ndjerë gjithmonë e më i dashuruar, por dhe i frymëzuar, padyshim, për atë çfarë ka ndjerë nga prekja e tij kureshtare dhe e drejtpërdrejtë. Përkthyes i njohur por dhe shkrimtar njëkohësisht, në këtë intervistë për “Fjala.al”, Elvi Sidheri rrëfen mbi krijimtarinë e tij letrare, sepse për përkthimet, padyshim, do të flasim një herë tjetër:

Elvi Sidheri – shkrimtar, përkthyes

 “Emigrantja”, titullohet romani juaj i parë. Si u motivuat për të shkruar këtë libër?

Emigrantja është një roman i ngjizur në mendjen time prej shumë kohësh tashmë, me një sërë peripecish gjatë udhës së sendërtimit të tij, që ndoshta meritojnë një roman më vete, e rrjedhimisht, edhe motivimi për të ka qenë pakëz i ndryshëm.

Fillimisht motivim parësor më ka ardhur rreth 15 vite më parë në Madrid, gjatë qëndrimit tim në Spanjë, kryesisht i shtyrë nga përvojat e mia të shumta, edhe atëherë, me njerëzit, kulturat, doket, rajonet dhe mendësitë e Ballkanit përgjithësisht, të përqendruara në emigrimin masiv të shqiptarëve në Greqi pas vitit 1990.

Ishte një motivim që buronte nga njohja ime personale e rrethanave të emigrimit të shqiptarëve në Greqi, dhe i Greqisë në vetvete, jo si emigrant, por falë origjinës së pjesshme familjare me rrënjë në Greqinë e sotme, duke e shtjellur këtë fazë historike në Greqinë e shqyrtuar si shoqëri, me tërë nënshtresat e saj, përfshirë shqiptarët e shumtë vendas, arvanitasit, shqiptarët e zonave kufitare me Shqipërinë e veçanërisht me Korçën në Maqedoninë Greke gjer në Selanik, çamët ortodoksë, e gjithashtu pakicat e tjera kombëtare në Greqi, sllavofonët, vllehët, pomakët, turqit, duke e sintetizuar emigrimin shqiptar të pas-1990, në një diapazon më gjithëpërfshirës, tutje mendjengushtësisë e shablloneve, me një protagoniste femër, shqiptare, nënë familje, po edhe grua e paepur, duke simbolizuar gruan shqiptare që padyshim në emigrim ka mbajtur peshën më jetike në çdo aspekt.

Dhe ishte Spanja ajo që ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë për të nisur kapitullin e parë?

Spanja ndoshta më pati ndihmuar për t’u shkëputur mendërisht, jo vetëm fizikisht nga Shqipëria, po edhe Ballkani gjithaq, pasi gjer atëherë, falë edhe profesionit tim si përkthyes, e kisha shkelur thuajse pëllëmbë për pëllëmbë siujdhesën tonë të lashtë kryeneçe, e pikërisht në një nga këndet më piktoreske në qendër të Madridit, në muajin gusht, në brigjet e lumit të këndshëm Manzanares, pata shkruar këtë roman, atëherë tërësisht me dorë, pra në dorëshkrim.

Në fluturimin e parë drejt Tiranës, kompania spanjolle kombëtare ajrore, Iberia, gjithsesi “u kujdes” që valixhet e mia, ku ndodhej edhe dorëshkrimi i librit Emigrantja, të humbisnin, e kështu kapitulli “romani i parë”, u duk përfundimisht i mbyllur, gjersa 8-9 vite më pas, falë një ngulmimi të pareshtur shpirtëror, iu riktheva shkrimit të këtij romani, duke ndier një tjetër motivim përtëritës kësaj radhe, për vetë romanin dhe mua si shkrimtar.

Kuptohet punova në laptop, duke e rishkruar nga e para, duke iu përmbajtur trungut origjinal të shkruar në Madrid, por të shtuar me përvojat e mia të viteve të mëpasme, një pjekuri të pamohueshme të ofruar bujarisht nga koha dhe rezultati ishte një roman i shpëtuar nga pluhuri i harresës dhe mëkati i humbjes.

Pas disa ripunimeve të tjera, ngaqë, gjykuar edhe përvojat e shumë kolegëve të mi shkrimtarë, romani i parë vazhdimisht ripërpunohet, e çdo shkrimtar do ta rishkruante përherë nga fillimi veprën e parë, më në fund Emigrantja u botua tetorin e vitit 2019, ndonëse i dyti në radhë në rang botimi.

Gjithsesi, Dy Botë” e pa dritën e botimit i pari, por për nga radha vjen i dyti i shkruar. Po ky roman si erdhi tek ju?

Lexo edhe :  Rishikohet buxheti, në shkurt ndahet bonusi i dytë për pensionistët

Romani i dytë, ishte një motivim më i vetvetishëm dhe më i shpejtë për t’u shndërruar në roman të shkruar, si çdo përvojë e dytë, jo vetëm në letërsi, ku tanimë është krijuar shtrati i krijimit letrar.

Faktikisht, romani “Dy Botë” falë një ndërthurje rrethanash, ndonëse është romani i dytë që kam shkruar, gjeti i pari dritën e botimit, përpara romanit tim të parë “Emigrantja”.

Ishte një vendim i imi duke ndjekur shtysën e brendshme, dhe besoj se ishte vendimi i duhur sidoqoftë, duke parë efektet e këtij veprimi cazë të pazakontë.

“Dy Botë” është një roman sërish i motivuar nga përvojat e mia, kuptohet, e gjithashtu i motivuar e frymëzuar nga bota përreth, falë karakterit tim kureshtar, njohjes së shumë kulturave, vendeve e gjuhëve të huaja nga ana ime, si folës i shumë gjuhëve të huaja, e rezultati është një roman ku ndihet larmia e shartimit të frymës burimore femërore shqiptare, me nuancat më rrëzëllitëse të disa prej kulturave më të epërme të Europës Perëndimore, nga Spanja në Zvicër e Danimarkë, dhe nektari joshës i Brazilit më ekzotik, më dehës e më të mirëfilltë, e gjitha përmes ngjarjeve, jetës emocionuese, ulje-ngritjeve, dashurive jonkovencionale, këmbëngulljes, hijeshisë dhe ëndjes për të jetuar të një vajze shqiptare nga Tirana.

Ndodhitë e përshkruara në këtë roman nisin pikërisht gjatë ditëve të zjarrta të pranverës së vitit 1999 me vërshimin e refugjatëve shqiptarë nga Kosova në Shqipëri, romani ndjek një rrjedhë kohore nëpër dy dhjetëvjeçarë, diçka e ngjashme edhe me romanin Emigrantja.

Çfarë vështirësish ka shkrimtari shqiptar pasi mbaron së shkruari një libër e deri tek botimi i tij?

Shkrimtari shqiptar ka, në fushën e vet, kuptohet, të njëjtat vështirësi që ka thuajse çdo profesionist tjetër shqiptar në fushën e tij përkatëse, rrjedhimisht, nevojitet të jemi largpamës, të kemi durim, të sajojmë mënyra për t’u botuar, asnjëherë në kurriz të cilësisë së botimit, duke iu përmbajtur me përpikmëri të gjitha detajeve të një botimi të mirëfilltë, përkundër faktit se botimi, shpesh shndërrohet në sipërmarrje biblike (edhe Noeja e kish pasur më të lehtë ndërtimin dhe mbushjen e varkës me të gjitha speciet shtazore në kohën e Përmbytjes Universale, seç e kanë shkrimtarët të botojnë libër në kushte shqiptare), kur llogarisim vështirësitë me të cilat përballet autori në shumicën e rasteve.

Për këtë arsye nevojitet të tregohemi “krijues”, ne krijuesit letrarë, edhe në lidhje me botimin, duke e ngarkuar shpesh veten me detyra që normalisht nuk do na rëndonin, si gjurmimi, qëmtimi dhe gjetja e mënyrës për t’u botuar.

Gjithsesi, për fat mënyra ka, e botimi, edhe në kushte shqiptare, arrihet, falë përkushtimit, tonë si autorë, po edhe botuesve seriozë e dashamirës, duke i ofruar lexuesit, përkundër gjithçkaje, letërsi të mirëfilltë.

Jetojmë në vitet e vrullshme të kibernetikës, ku bota shihet përmes një celulari. Në këto kushte a shkon libri te lexuesi?

Libri te lexuesi mendoj se arrin të shkojë, ndonëse edhe këtu parantezat nuk mungojnë lidhur me temën në fjalë. Shpeshherë pandehim se mjafton që libri të botohet që ta quajmë çështjen të mbyllur dhe suksesin të arritur, ndërkohë që mungon hapi thelbësor, që libri të arrijë te lexuesi.

Lexuesi, sado të ketë ëndje për të lexuar, sërish nuk ka si ta dijë sa dhe çfarë romanesh botohen në vazhdimësi, çfarë përmbajtje kanë, çfarë risish ofrojnë, çfarë domethënie kanë për aktualitetin e letrave shqipe, kush i ka shkruar, çfarë veçorish ngërthejnë, përse do nevojitej të lexoheshin, e këto gjëra tejet të rëndësishme nevojitet t’i bëhen të ditura lexuesit në mënyrën e duhur në momentin kur romani del nga shtypi, detyrë kjo që i takon vetë autorit/autores pikësëpari, paskëtaj botuesit, shtypit, mediave, etj.

Jetojmë në kohën e rrjeteve sociale, që nëse përdoren frytshëm, jo veç për të bubërruar së koti në timeline, atëherë shpërndarja e lajmit për botimin e një romani, thelbi i tij, kritikat letrare të rastit, gjithçka mund të kryhet kështu.

Me pak fantazi, që shkrimtarëve s’na mungon, mund t’ia dalim.

Të fundit

Rikthehet shërbimi i detyruar ushtarak? Deputeti i Ramës zbulon nismën e fortë të PS

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Xhemal Qefalia zbuloi në emisionin “Off the Record”, se mund të ndërmerret në të...

Shqetësimet e reja: Inteligjenca artificiale mund të shkatërrojë artistët

Muzikanti britanik, Paul McCartney ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale (IA) mund t’i “shkatërrojë” artistët nëse miratohet një ndryshim i propozuar i ligjit për të...

Zjarri te Komuna e Parisit nisi nga kompresori i frigoriferit të një marketi

Zjarri që ra pasditen e sotme në kompleksin e pallateve “Kika” në zonën e Komunës së Parisit la pas tre automjete të djegura dhe...

72% e mjeteve, më të vjetra se 15 vjet/ Shumë trafik e ndotje, cilat janë rrugëzgjidhjet

Në fund të vitit të kaluar, u hap për qarkullim Unaza e Madhe e Tiranës. Ndërtimi i saj, që pritet të përfundojë plotësisht brenda...

Të gjithë njëlloj/ The Economist: Po jetojmë në epokën e kirurgjisë plastike

Klientët e rinj në vendet në zhvillim kanë nxitur lulëzimin e kirurgjisë plastike. Rënia e kostove dhe përgjithësimi i standardit të bukurisë po nxisin...

Lajme të tjera

Web TV