Mbretëresha e Anglisë, është zhvendosur sot në mëngjes nga Bakingam Palas për të shkuar në Kështjellën Uindsor, ku pritet të qëndrojë përgjatë gjithë periudhës që do të vazhdojë pandemia e koronavirusit. Mbretëresha është larguar nga Londra për në Kështjellën Uindsor, duke krijuar kështu një vetë-distancim.
Monarkja u pa teksa largohej me makinë nga Bakingam Palas së bashku me qentë e saj. Një prej këtyre të fundit, qëndronte i ulur pranë monarkes 93-vjeçare. Mbretëresha po zhvendoset në shtëpinë e saj historike në Berkshajër, një javë më shpejt nga sa ishte parashikuar, ndryshe nga vitet e tjera, ku pritet të qëndrojë edhe pas mbarimit të periudhës së Pashkëve.
Ndërkohë Princi Filip ka udhëtuar me helikopter nga Farm Ud në Sendringem drejt Uindsorit, për t`u bashkuar me gruan e tij. Ndërkohë, Bakingam Palas ka njoftuar anullimin e një sërë evenimentesh publike, përfshirë festat në kopshte dhe meshën vjetore “Maundy” në Kishën e e Shën Gjergjit, kjo “si një masë paraprake, por edhe për arsye praktike”.
Në deklaratën e Bakingam Palas thuhet:”Me shqetësim të thellë, dhe për arsye praktike në rrethanat aktuale, do të bëhen një sërë ndryshimesh në protokollin e Mbretëreshës. Madhëria e saj do të transferohet në Kështjellën Uindsor përgjatë periudhës së Pashkëve më 19 mars, një javë më herët nga sa ishte planifikuar”.
Në deklaratën e Pallatit Mbretëror, sqarohet ndër të tjera se “ka të ngjarë që Mbretëresha të qëndrojë atje edhe pas periudhës së Pashkëve”. Të ftuarit, që do të merrnin pjesë në tre festat e kopshtit që mbretëresha organizon zakonisht në muajin maj, do të kenë mundësi të jenë të pranishëm në këtë event në pranverën e vitit 2021.
Festa e monarkisë (Trooping of the Color), dhe 75-vjetori i festimeve të Ditës së Fitores, nuk janë anuluar ende, por nuk ka gjasa që ato të zhvillohen. Edhe pse duket se masat e ndërmarra nga Pallati Mbretëror, pasojnë ato të qeverisë britanike, ato janë marrë në fakt më herët se epidemia të përhapej masivisht në Mbretërinë e Bashkuar. Madhëria e saj besohet se gëzon shëndet të mirë, edhe pse ajo pritet të festojë muajin e ardhshëm 94-vjetorin e saj të lindjes. S.T