Përhapja e koronavirusit në Kosovë, asnjë marrëveshje për gjendje të jashtëzakonshme

Mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti, nuk ka asnjë marrëveshje rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si masë për të përballuar situatën e krijuar me Covid-19.

Ndërkohë që Thaçi insiston se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme, një gjë të tillë nuk mbështetet nga kryeministri Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës është shprehur se insitucionet e vendit janë duke u menaxhuar mirë pas përhapjes se koronavirusit në Kosovë.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë, ende nuk janë mbaruar të gjitha mundësitë për tu përballur me rrethanat aktuale.

Erzen Vraniqi, këshilltar politik i kyreministit Albin Kurti tha për Radion Evropa e Lirë, se rrethanat për gjendje të jashtezakonshme janë vetëm atëherë kur janë mbaruar të gjitha potencialet dhe institucionet nuk mund të përballen me situatën e krijuar.

“Deri më tani institucionet po menaxhojnë plotësisht me situatën. Potenciali edhe njerezor, edhe spitalor, edhe i sigurisë, edhe i furnizimeve me prodhimet kryesore, qoftë ushqimore, qoftë higjienike është në nivel të kënaqshëm”, tha Vraniqi./fjala.al