Tri mënyrat se si mund të marrë fund koronavirusi

Profesori në Universitetin Hacettepe në Ankara, Mehmet Ceyhan, thotë se rregulli i parë për mbrojtjen kundër koronavirusit është ruajtja e higjienës si dhe larja e shpeshtë e duarve.

Sipas tij, koronavirusi mund të përhapet tek njerëzit gjatë periudhës së inkubacionit, që varion nga dy deri në 14 ditë.

“Ky virus përhapet përmes organeve të frymëmarrjes, ashtu sikur gripi, meningjiti, pneumonia dhe fruthi. Në rastet e SARS dhe MERS, infektimi mund të ndodhë pasi të fillojnë simptomat, por në COVID-19, infeksioni ndodh në periudhën e inkubacionit. Për këtë arsye, është me rëndësi jetike të merren masa paraprake, të zbatoni izolimin shoqëror dhe të jeni të kujdesshëm në lidhje me higjienën”, thotë Ceyhan.

Koronavirusi është më ngjitës sesa SARS dhe MERS.

Sipas profesorit ende nuk ka ndonjë vaksinë për koronavirusin, ndërsa kërkimet vazhdojnë.

“Ne nuk e dimë nëse do të zhvillohet ndonjë vaksinë, apo nëse është zhvilluar ndonjë, dhe sa të suksesshme do të jenë rezultatet. Nuk ka garanci”, shprehet ai për Anadoly Angecy.

Duke folur për hulumtimin e vazhdueshëm të vaksinave në SHBA, profesori shprehet se “Vaksina për të cilën SHBA është duke punuar është e ndryshme”.

“Ata po rishikojnë vaksinën e zhvilluar më parë për SARS, por që nuk është përdorur, për të parë nëse do të jetë efikase te COVID-19. Gjenetikisht, COVID-19 është 85 për qind i ngjashëm me virusin SARS”.

Profesori arrin në përfundimin se ekzistojnë tre skenarë të mundshëm që të përfundojë pandemia.

“Shumë njerëz do të bëhen imunë duke ndaluar përhapjen e virusit, ose do të zbulohet një vaksinë dhe njerëzit do të bëhen imunë në këtë mënyrë. Mundësia e tretë është që virusi të pësojë mutacion dhe të humbasë fuqinë për të infektuar njerëzit. Pandemia mund të përfundojë vetëm me njërin nga këto tre skenarë. Në rastin e SARS, u konstatua se virusi pësoi mutacion dhe përfundoi në atë mënyrë”.

Lexo edhe :  Donald Trump nuk dorëzohet, ka një thirrje të fundit për Europën

Koronavirusi ka vrarë më shumë se 15.000 njerëz në gjithë botën, ku një nga vendet më të goditura është Italia e cila ia ka kaluar tashmë edhe Kinës, me mbi 6 mijë viktima.