Me spitalet që kanë mungesë të pajisjeve dhe mjekëve, të cilët gjithnjë e më shumë po largohen nga vendet e tyre, shtetet ballkanike po friksohen gjithnjë e më shumë, kur shikojnë se si po i shkatërron koronavirusi fqinjët e tyre evropianë shumë më të pasur.
“Nëse vende shumë më të mëdha dhe më të pasura, nuk po munden t’a ndalojnë përhapjen e shpejtë të virusit, atëherë çfarë mund të pritet nga e vendi ynë?”- pyet Zoran Hristovski, banor i Shkupit rreth të 40-ve.
Ky është një shqetësim që ka prekur të gjithë Ballkanin, dhe shumë njerëz po presin me nervozizëm që koronavirusi të prekë edhe cepat më të varfër të Evropës. Qëkur u zbulua rasti i parë me COVID-19 në rajon një muaj më parë, rreth 25 njerëz kanë vdekur, ndërsa numri i të prekurve është rritur në më shumë se 2.000.
Situata është nënvlerësuar, duke pasur parasysh testimet e kufizuara. Nëse Ballkani do ta reagojë kaq ngadalë, ai mund ta pësojë më keq se Italia apo Spanja. Mjekët paralajmërojnë se sistemet e kujdesit shëndetësor që janë të dobëta, do të futen në kolaps.
Rajoni është prekur tashmë nga kriza e ikjes së trurit, ku me dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë mjekë dhe infermierë, po largohen jashtë vendit çdo vit, të joshur nga paga më të mira dhe më pak korrupsion në Perëndim.
Në Maqedoninë e Veriut, çdo vit gjysma e studentëve që mbarojnë për mjekësi, ikin pas diplomimit drejt vendeve si Gjermania, thotë Nikola Brzanov, një mjek 38-vjeçar i shërbimit të urgjencës, i cili drejton një organizatë për mjekët e rinj profesionistë.
“Zakonisht ata që ikin jashtë, janë mjekët më të mirë”-shton ai. Vendet e Ballkanit, kanë nivelet më të ulët të densitetit të mjekëve në Evropë, sipas të dhënave të disponueshme nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).
Shqipëria ka nivelin më të ulët, me vetëm 1.2 mjekë për 1000 banorë, e ndjekur nga Bosnja dhe Rumania me përkatësisht 2 dhe 2.2, thotë OBSH. Numri i infermierëve në Bullgari, është përgjysmuar gjatë 30 viteve të fundit, ku së fundmi ata kanë protestuar se janë të mbingarkuar me punë dhe të keqpaguar,
Mungesa të mëdha të personelit ka dhe në Kosovën e varfër, ku shumë banorë udhëtojnë zakonisht në vendet fqinje për të marrë një trajtim më të mirë – mundësi kjo që nuk është më e mundur pas mbylljes së kufijve. “Situata është alarmante, dhe ne nuk duhet ta fshehim”- thotë Blerim Syla, presidenti i sindikatës shëndetësore të Kosovës, që vlerëson se sektorit i mungojnë rreth 5.000 mjekë dhe infermierë.
Në një përpjekje për të motivuar stafin spitalor dhe shtuar radhët e tij, kryeministri shqiptar Edi Rama ka premtuar një bonus prej 1.000 eurosh (1.100 dollarë) për mjekët në pension dhe studentët e mjekësisë, të cilët dolën vullnetarë.
Serbia, që reagoi më ngadalë me masat kundër koronavirusit, ka deklarar se muajin e ardhshëm do të rrisë me 10 për qind pagat e punonjësve të shëndetësisë. Të vetëdijshëm për mundësitë e pakta që kanë sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor, shumë qeveri në rajon morën masa për bllokimin e aktiviteteve publike, me shpresën se do të shmangnin shtimin e rasteve.
Shqipëria mbylli shkollat dhe ndaloi mbledhjet masive në 9 mars. Që atëherë, autoritetet në të gjithë rajonin e banuar nga rreth 48 milionë banorë, kanë vendosur masa gjithnjë e më të rrepta, duke e futur kështu Ballkanin nën karantinë.
Në disa vende, ministrat e Shëndetësisë janë bërë heronj me daljet e tyre të herë pas hershme për të informuar publikun. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka frymëzuar memet në internet, që e përshkruannë atë si një “Supermeni”, ndërsa homologu i tij në Zagrebit është quajtur “hero-korona i Kroacisë”.
Koha do të tregojë nëse masat e bllokimit, do të vazhdojnë dhe më gjatë. Ndërkohë, mjekët janë të shqetësuar sa i përket mungesës së pajisjeve spitalore, çka i ka lënë tërësisht të papërgatitur përpara një krize të tillë. Për shembull, Maqedoninë e Veriut dhe Kosova, kanë rreth 130 aspiratorë, për një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh.
Për të siguruar mjaftueshëm shtretër, spitalet e Shkupit po largojnë të gjithë pacientët, përveç atyre që kanë nevojë për terapinë intensive thotë Brzanov nga shoqata e “Mjekëve të Rinj”. Ndërkohë, ka një mungesë të mjeteve themelore mbrojtëse, si maskat dhe syzet për mjekët dhe infermierët në vijën e parë të punës.
“Ne i kemi parë maskat mbrojtëse vetëm në TV”- tha një mjek rumun në Bukuresht. Në verilindje të Rumanisë, një spital u detyrua të mbyllet përkohësisht, pasi rreth 50 mjekë dhe infermierë u infektuan me koronavirus.
Vendimi i fundit i Brukselit, për të kufizuar eksportet e mjeteve mbrojtëse, alarmoi shumë nga vendet e rajonit që nuk bëjnë pjesë në BE, veçanërisht Serbinë, pasi presidenti i këtij vendi e falenderoi Kinën për ndihmën e shpejtë që i dha.
Florian Biber, ekspert i Ballkanit në Universitetin e Gracit në Austri, tha se Gjermania dhe vendet e tjera që “rekrutojnë në mënyrë të vazhdueshme mjekë dhe infermierë” nga rajoni, duhet ta shlyejnë fajin, që e kanë lënë Ballkanin në këtë situatë pikërisht në këtë emergjencë shëndetësore.
Edhe qeveritë e rajonit “nuk kanë investuar në kujdesin shëndetësor”, duke e shoqëruar eksodin e emigracionit me korrupsion, shton ai. “Dhe kjo gjë bëhet e dukshme në kohë krize”-përfundoi Biber./ S.T /Fjala.al