Nga Bojan Stojkovski “zdnet.com”
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e epidemisë së koronavirusit, autoritetet në vendin e vogël ballkanik të Malit të Zi, kanë zgjedhur të ndërmarrin disa masa ekstreme. Qeveria ka nisur publikimin e listave që përmbajnë të dhënat personale të qytetarëve të vetë-karantifikuar, për të cilët mendohet se kanë rënë potencialisht në kontakt me koronavirusin vdekjeprurës COVID-19.
Qytetarët e vetë-izoluar, janë emërtuar në bazë të historisë së tyre të fundit të udhëtimit, pasi janë kthyer nga vendet që konsiderohet se kanë një shkallë të lartë të infektimit. Që nga e shtuna e shkuar, emrat dhe vendndodhjet e afro 6.000 njerëzve, janë publikuar në faqen zyrtare në internet të qeverisë malazeze.
Me një popullsi prej pak më shumë se 600 mijë banorë, kjo do të thotë në këtë listë janë përmendur afërsisht 1 për qind e qytetarëve. Deri më tani, Mali i Zi ka regjistruar 70 raste me COVID-19, me vetëm 1 të vdekur. Emrat në faqen e qeverisë, janë grupuar në bazë të lokalitetit dhe vendndodhjes, për t’i dhënë mundësi qytetarëve të tjerë të kontrollojnë rastet e mundshme
në zonën e tyre.
Në faqe, janë të shënuara datat e fillimit dhe mbarimit të izolimit të tyre, në mënyrë që njerëzit e zonës të kenë mundësi të identifikojnë ata që shkelin karantinën e tyre. Sipas autoriteteve malazeze, vendi është përballur me zgjedhjen e vështirë midis shëndetit të qytetarëve, dhe mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
“Ne vlerësuam në fund, se e drejta e shëndetit dhe jetës, ishte mbi të drejtën e mbrojtjes së pakushtëzuar të të dhënave personale. Kjo është arsyeja, pse tani nuk është koha për interpretime ligjore, por për të shpëtuar jetë”- deklaroi kryeministri malazez Dushko Markoviç.
Agjensia e vendit përgjegjëse në luftën kundër virusit, vendosi të publikojë të dhënat personale që javën e kaluar, pasi mori aprovimin nga Agjensia Malazeze për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Por, sipas disa avokatëve të të drejtave dixhitale, disa aspekte të kësaj mase janë problematike.
“Nuk ka asnjë bazë të përshtatshme ligjore, për publikimin e të dhënave shëndetësore të qytetarëve në internet, pasi ato hyjnë në një kategori të veçantë të dhënash, dhe gëzon një nivel më të lartë të mbrojtjes”-u shpreh në një deklaratë Fondacioni SHARE me qendër në Ballkan,
një organizatë që promovon të drejtat dixhitale dhe liritë në internet.
“Edhe qëllimi i kësaj mase është gjithashtu i diskutueshëm”- thekson organizata. Kjo masë drastike, ka përçarë edhe vetë shoqërinë malazeze, teksa autoritetet që e kanë ndërmarrë këtë masë mund të bëhen përgjegjësese, nëse vërtetohet se e kanë shkelur kushtetutën e vendit.
“Ata që janë pranë qeverisë, pretendojnë se publikimi i emrave, do t’i nxisë njerëzit që të vetëizolohen, para se të vendosin të shkelin karantinën”- thotë për ZDNet, Luka Nikoliç një politolog malazez. Nga ana tjetër, aktivistët për të drejtat e njeriut, dhe disa qytetarë besojnë se është e papranueshme dhe joefikas etiketimi publik i njerëzve, që nuk kanë kryer ndonjë shkelje
ligjore.
Por kur të përfundojë kjo situatë, do të bëhet një vlerësim nëse ky veprim ishte apo jo i dobishëm. Ndërkohë, edhe në Bosnjen fqinje autoritetet lokale ndërmorën këtë javë një hap të ngjashëm, duke publikuar emrat dhe adresat e atyre që janë në izolim. Në fillim, lista përmbante edhe numrat e tyre të telefonit, por këto të fundit u fshinë më vonë.
Gjithsesi, autoritetet federale boshnjake, vendosën që tani e tutje të bëjnë publike të dhënat personale të atyre që përpiqen të shkelin masat e izolimit. “Mendojmë se nuk është i paligjshëm, publikimi i të dhënave minimale për njerëzit që shkelin ligjin”- tha në një deklaratë Agjencia Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Bosnje.
“Ata po shkelin ligjin e atyre që mbrojnë veten e tyre, dhe që po kursejnë jetë njerëzore. Për rrjedhojë, interesi publik e tejkalon të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale”- thuhet më tej në deklaratë”. Por Fondacioni SHARE, vëren se qeveritë duhet të jenë shumë të kujdesshme në lidhje me publikimin e të dhënave personale të qytetarëve.
“Kur qytetarët të jenë shëruar, qeveria mund të fshijë të dhënat nga faqja e saj, por kjo nuk mund të garantohet për pjesën tjetër të internetit. Në këtë mënyrë, këto të dhëna mund të mbeten përgjithmonë publike”- thekson organizata.
S.T