Në Kosovë janë shënuar edhe 12 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin total të të infektuarve në 106.
Kjo u bë e ditur në njoftimin e IKSHPK-së, ku u tha se nga testimi i 69 mostrave të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, 12 prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të IKSHPK-së:
Nga data 08.02.2020 deri me 30.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.151 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej (106) raste me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.242 kontakte të rasteve.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 30 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 760.337 raste të COVID-19 dhe 36.862 raste të vdekjes. Numri më madh i rasteve raportohet nga SHBA (152.631), Italia (101.739), Spanjë (85.195), Kina (81.470), Gjermani (63.929), Irani (41.495), Francë (40.174), Mbretëri të Bashkuar (22.141), Zvicër (15.760), Belgjikë (11.899), Holandë (11.750), Turqi (10.827), Austria (9.541) duke vazhduar me vendet fqinje si Greqi (1.212), Kroaci (790), Serbi (785), Slloveni (756), Maqedoni e Veriut (285), Shqipëri (223) dhe Mal i Zi (91).
Deri me 30 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretërisë së Bashkuar janë raportuar këto raste të vdekjes: Itali (11.591), Spanjë (7.340), Francë (2.606), Mbretëri e Bashkuar (1.408), Holandë (864), Gjermani (560), Belgjikë (513), Zvicër (333), Turqi (168), Austri (108), Danimarkë (77), Greqi (43), Poloni (26), Luksemburg (22), Hungari (15), Serbi (16), Slloveni (11), Shqipëri (11), Maqedoni e Veriut (7), Kroaci (6) dhe Mali i Zi (1).