Nga Roberto Saviano “La Reppublica”
E gjithë pasuria e grumbulluar, fluksi i vazhdueshëm i investimeve në miliarda dollarë që qarkullon edhe orët e vona të natës; të gjithë shkencëtarët që erdhën këtu nga e gjithë bota; të gjitha njohuritë e tyre, statistikat, algoritmet; të gjitha paratë që qarkullojnë çdo vit në Wall Street:30.1 trilionë dollarë; që të gjithë këto nuk ndihmuan dot në shpëtimin e Nju Jorkut nga pandemia e koronavirusit.
Pasi paraja – dhe fuqia blerëse dhe vendimmarrëse që buron prej saj – nuk është e disponueshme për të gjithë. Prandaj, ajo shndërrohet në një mjet që del në sipërfaqe vetëm kur duhet përballuar një problem, por nuk parashikon se si mund ta shpëtoni veten.
Nju Jorku, është një simbol i kapitalizmit bashkëkohor, në aspektin e tij më krijues të kërkimit të pamëshirshëm të ideve të reja, në vokacionin e tij gjenial për të mirëpritur risitë, edhe para se sa të piqen kushtet për përdorimin e tyre:Silicon Valley, nuk do të kishte hedhur asnjë hap përpara pa kapitalin financiar të Nju Jorkut.
Këtu gjendet oksigjeni, që ka lejuar ekzistencën e korporatave më të mëdha në botë. Çdo pjesë e Nju Jorkut, përkon me kapitalizmin bashkëkohor, madje me “fytyrën” e tij më të egër dhe shantazhuese, ashtu si edhe me rregullat e financave. Prandaj, spekulimet dhe pamëshirshmëria, janë vlera e vetme:fitorja e produktit më të mire, dhe e sjelljes më të keqe.
Nju Jorku është presidenti Donald Trump, gjyshi i të cilit Frederik (që vdiq nga Gripi Spanjoll në vitin 1918), ishte pasuruar gjatë epokës së “etheve të arit” në Klondajk, duke iu siguruar minatorët shërbime që nuk ishin gjithnjë të ligjshme, dhe duke u marrë me aktivitete të paligjshme, me disa bashkëpunëtorë mafiozë.
Ndëkohë i ati, Fred ishte ortak me Uilli Tomazelon, një biznesmen i lidhur me familjet mafioze Gambino dhe Gjenoveze; dhe që përdori një të dënuar të lidhur me Cosa Nostra në SHBA, Xhon Kodin, për të menaxhuar kompanitë e tij të ndërtimit.
Në këto orë Nju Jorku i pathyeshëm, që e ndjen të kaluar dhe të largët tashmë sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001, e kupton se është sërish i brishtë, dhe se njerëzit që i duhen sot, janë pikërisht ata që tregu i ka katandisur për bukën e gojës, për shkak të rrogave të tyre shumë të ulëta:shoferët, infermierët, magazinierët, punëtorët e ndërmarrjeve të pastrimit.
Dhe kështu, vendi që investon vetëm në kërkim dhe zhvillim 553 miliardë dollarë në vit (sipas të dhënave të publikuara në faqen e Shtëpisë së Bardhë), e sheh sot veten me 75 për qind të studentëve të shkollave publike nën ose në kufirin e varfërisë, dhe ku shumë prej tyre janë të pastrehë.
Po flas për fëmijë dhe adoleshentë, të cilët pa mensën e shkollës, mbeten pa ngrënë. Dhe nuk na habit më renditja që e klasifikon SHBA-në një nga vendet më të pasura në botë, por që ka një nga hendeqet më të mëdha për midis pagave të menaxherëve dhe atyre të punëtorëve.
Problemi është në thelb sistemi:pasi ai beson se të mësosh, do të thotë të zgjedhësh vetëm më të mirët, dhe se mësimi i të gjithëve, në vend se të kërkojë më të mirët, i harxhon burimet që mund të përdoren diku tjetër. Fakti që punëtorët në të gjithë planetin, ëndërrojnë të shkojnë në SHBA për t’i mbijetuar këtyre kushteve, nuk pëputhet automatikisht me nënshkrimin e një “pakti të kënaqësisë”:radhët e gjata përpara ambasadave të SHBA-së, nuk e konfirmojnë realizimin e ëndrrës amerikane, por thjesht që “thërrimet” që bien nga tavolinat e amerikanëve, u japin atyr një mundësi më të madhe të mbijetesëse sesa po të rinin në Kuliakan, Benin apo Rexho Kalabria.
Dhe tashmë Nju Jorku, gjithnjë dyshues për gjithçka që vjen nga jashtë, pasi është i ndërgjegjshëm se në fund ka tashmë gjithçka, e ndjen se duhet të ketë frikë, por gjithsesi nuk ka një vetëdije të plotë mbi rrezikun. Perceptimi i gabuar, se kjo është një epidemi që prek vetëm të moshuarit, dhe besimi se Amerika në fund ia del gjithmonë, bëjnë që frika të mos ketë depërtuar ende deri në palcë.
Amerikanët ndjehen ende më të rrezikuar nga humbja lirisë së tyre të lëvizjes, sesa nga pandemia. Në Nju Jork, baret janë mbyllur, metroja vazhdon të jetë në punë, por në të qarkullojnë shumë pak njerëz. Megjithatë bllokimi nuk është ende i plotë:kujdestarët e qenve, që në disa lagje janë më të shumtë në numër se dadot e fëmijëve, janë hequr nga puna, në mënyrë që pronarët e qenve të mund të dalin jashtë, me arsyetimin se po shëtisin në natyrë kafshët e tyre shtëpiake.
Frika në Nju Jork, mori formën e zemërimit ndaj Trumpit, që në fillim e mohoi emergjncën, edhe kur Kina vendosi nën karantinë 60 milion njerëz, dhe kur Evropa u mbërthye keq nga epidemia. Dhe vetëm ditët e fundit, ai e ka kuptuar rëndësinë e situatës. Edhe guvernatori i Nju Jorkut, Endrju Kuomo, reagoi me vonesë.
Por ai gëzon një besim më të madh tek publiku, pasi e ka treguar se interesi i tij kryesor është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve. Një sjellje kjo e pazakontë, pasi në SHBA “të mbrosh interesin”, do të thotë të lejosh të fitosh, dhe për këtë arsye të blesh atë që të nevojitet.
Në ditët e para të alarmit mbi Covid-19, masat parandaluese morën një lloj ngjyrimi politik:ata që e respektuan distancimin shoqëror ishin demokratët, që u tallen dhe u clësuan si fanatikë nga Trumpianët, të cilët jo vetëm që nuk e respektojnë distancën e sigurisë, por e përdorin atë si një metaforë të hipokrizisë së “radikalëve elegantë”, pra të atyre pretendojnë se kundërshtojnë padrejtësitë, por që në realitet ruajnë një distancë prej tyre.
Emigrantët meksikanë dhe portorikanë, po vetëofrohen si zëvendësues në supermarkete dhe magazina. “Frikë nga koronavirusi?” – më thotë Izraeli, një i ri meksikan që punon në një kompani pastrimi- “Do të të shpjegoj se çfarë ndodh pas 2 ditësh të kaluara në shkretëtirë, dhe me vetëm gjymë uji litri të mbetur.
E kam kaluar 3 herë shkretëtirën:aty të merret fryma, goja të bëhet e purport, dhe lëkura e verdhë. Sa më shumë që të tjerët kanë frikë nga koronavirusi, aq më shumë punoj unë. Ata që e kalojnë shkretëtirën për të ardhur këtu, mund t’i mbijetojnë edhe Covid-19, nëse paguajnë dyfishin…“.
I mësuar të mos ketë asnjë garanci për jetën, Izraeli ndihet tani i fortë, dhe ka iluzionin se përfitimet e arritura do të jenë edhe pas emergjencën. Por e vërteta është, se ai as që e di nëse do të ketë ende punë kur të mbarojë makthi i pandemisë, dhe kur Amerika të bëjë bilancin e dëmeve që ka shkaktuar kjo krizë në ekonominë e saj.
Në Nju Jork ka edhe një përmbysje të situatës së infektimeve:sëmurën me shumë të rinjtë, ndërsa të moshuarit janë vetëm 9 për qind e rasteve. Dhe kjo prirje, është në përputhje me një qytet që u kërkon të rinjve të jenë shumë më aktivë, të dominojnë marrëdhëniet, të konsumojnë dhe harxhojnë më shumë para.
Ky nuk është një qytet për të moshuarit, dhe sa më shumë që e dëgjoj këtë refren, aq më shumë mendoj se “një qytet që nuk është për njerëzit e moshuar”, do të thotë thjesht një qytet që nuk është për qeniet njerëzore. Nëse nisni përzgjedhje sipas moshës, atëherë jeni gati për çdo lloj përzgjedhje tjetër:sipass fesë, kombësisë, apo përkatësisë etnike.
Megjithatë, për një italian është e pabesueshme të shihet shpejtësia me të cilën Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për t’u përballur me urgjencën, shpejtësinë me të cilën palestrat dhe stadiumet po shndërrohen në spitale, dhe gatishmërinë që po tregojnë sektorët e shëndetësisë dhe ushtrisë.
“Sëmundjet epidemike, nuk janë ngjarje të rastësishme që prekin shoqëritë në një mënyrë kapriçioze, dhe pa asnjë paralajmërim”- shkruan Frenk Snouden, historiani më i rëndësishëm i epidemive në SHBA. Përkundrazi, sipas tij secila shoqëri prodhon dobësitë e veta specifike. Studimi i tyre, do të thotë të kuptosh strukturën e shoqërisë, standardin e saj të jetesës dhe përparësitë e saj politike.
Në këtë kuptim, sëmundjet epidemike, kanë qenë gjithmonë domethënëse, dhe sfida e historisë dhe mjekësisë është të deshifrojë kuptimet që ato kanë. Gjatë një epidemie, dalin në pah të gjitha karakteristikat tipike të popujve.
Kështu, koronavirus ka lartësuar veçantësinë, dhe ka nxjerrë në pah edhe më shumë nervat e zbuluara të secilit vend:e kemi parë këtë gjë në Kinë, me censurën dhe menaxhimin autoritar të emrgjencës; në në Korenë e Jugut, me shfrytëzimin e teknologjisë së kontrollit.
Në Itali, virusi tregoi së pari çorganizimin endemik të vendit, pastaj shtysën heroike, empatinë dhe bujarinë e individëve; në Francë u përhap mosbesimi ndaj informacioneve që vinin nga jashtë, kufijtë e tolerancës me të cilin u prit alarmi, dhe në fund operacioni i ndërhyrjes; Gjermania ka treguar edhe një herë ashpërsinë e saj, efektivitetin e një makinerie që funksionon, dhe atë të një ekonomie solide, por që e konsideron si kurth çdo strategji të përbashkët që nuk drejtohet nga ajo vetë.
Debati që u zhvillua në SHBA, nuk është reflektimi i instiktit prej kauboi që kanë amerikanët, por fsheh diçka shumë komplekse dhe më të thellë:le të shpëtojë kush është në gjendje të shpëtojë veten e tij, kush të këtë fatin të shpëtojë veten e tij.
Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, koncepti për shtetin perceptohet si një pakt, si një marrëveshje me Leviatanin – shteti më jep disa garanci të caktuara, dhe unë si këmbim pranoj të kem kufizime, duke i lënë hapësirë monopolit të dhunës së ligjshme – por nëse Leviatani nuk mund të më mbrojë pasi është në krizë, atëherë më takon mua ta bëj, të përgatitem për t’u mbrojtur dhe sulmuar për të mbijetuar.
Covid-19, rrezikon rrezikon të mbetet në historinë e kapitalizmit, si rënia e Murit të Berlinit në komunizëm: këtu përfundon koha që kemi jetuar, dhe nga këtu do të lindë diçka e re. Një zinxhir është i fortë, po aq sa hallka e tij më e dobët. Dhe këtë po e kuptojmë më shumë se kurrë në këto momente që është kështu:nëse Izraeli, meksikani i ri që ka frikë nga etja dhe shkretëtira më shumë sesa nga koronavirusi, do të mbajë vendin e tij të punës dhe garancitë e dhëna në kohën e pandemisë, nëse pjesa tjetër e Evropës, duke ndjekur shembullin e Portugalisë, rregullon pozicionin e të gjithë emigrantëve që presin të marrin një leje qëndrimi, duke i lejuar grupet më të pafavorizuara të kenë qasje në sistemin e mirëqenies sociale, mund të themi se shoqëria do
ta përdorë tragjedinë për të përmirësuar veten e saj. Nëse kjo nuk do të ndodhë, kur gjithçka të duket se mbaroi, do të na mbetet vetëm një orë frymëmarrje, para se të vijë katastrofa e radhës. /Përgatiti: Silvana Tresa /Fjala.al