Dashamirësit e librit, posaçërisht në këtë kohë të karantinës së detyrueshme shkaku i virusit korona, kur leximi mund të ndihmojë shumë në përballimin e sfidave të shumta të saj, librin “Gjurmë të pashlyeshme”, të autores Basrie Murati-Sakiri, tani mund ta porosisin edhe te “Libraria Shqiptare në diasporë”. (https://www.librariashqiptare.ch/product-page/gjurmë-të-pashlyeshme).
Basrie Murati-Sakiri është autore edhe e librit “Bleibende Spuren”, i botuar vitin e kaluar nga njëra prej shtëpive më të njohura botuese të Zvicrës, “Rotpunktverlag”. Ky libër vazhdon të tërheq me sukses vëmendjen e lexuesve të shumtë në Zvicër.
“Libraria Shqiptare në diaporë”, e cila vepimtarinë e vet e ushtron në Zvicër, sipas historikut të prezentuar më 22 shkurt 2020 në faqen e saj në Facebook, është “online Bookstore” i parë shqiptar në diasporë. Ajo ka për qëllim t’u mundësoj lexuesve që librat e preferuar, të shkruar në shqip apo të përkthyer në gjuhën shqipe, t’i kenë në shtëpitë e tyre. Njëkohësisht synon që shqiptarët e diasporës t’i mbajë sa më afër gjuhës shqipe. Në këtë kuadër, janë qindra libra, për të gjitha moshat dhe të kategorive të shumta, që “Libraria Shqiptare në diasporë” ua ofron lexuesve shqiptarë që jetojnë në mërgim.
“Një ditar i mbushur me ngjarje dramatike, të cilat po i jetonte Kosova në vitet 1988-1989. Është kjo koha kur Serbia përmes tankseve ia kishte hequr Kushtetuten e vitit 1974 dhe autonominë e cunguar që buronte prej saj. Një libër ku autorja Basrie Murati- Sakiri pasqyron përpjekjen e saj, si 18-vjeçare, dhe brezit të saj për të drejta të Kosovës dhe liri kombëtare. Luftën e saj të bërë në dy fronte: kundër shtypjes së Serbisë dhe sistemit patriarkal të kohës. Si pasojë, në përpjekje për t‘i shpëtuar ndjekjes dhe burgosjes, detyrohet të jetojë për tre muaj fsheht. Pasi jetesa e tillë ishte e pa mundur për një kohë të gjatë, detyrohet të emigrojë”. Ky është përshkrimi që “Libraria Shqiptare në diaporë” i ka bërë librit “Gjurmë të pashlyeshme”.