Kryetarja e grupit parlamentar të opozitës, Rudina Hajdari deklaroi sot se deri më tani ka mundur të ndihmojë 92 familje me ndihma ushqimore.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Fjala, Hajdari theksoi se ka ndihmuar familjet të cilët nuk kanë mundësi ta përballojnë këtë periudhë të vështirë në këtë kohë karantine.
Ajo deklaroi se kur të gjithë jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, shumë qytetarë nuk e kanë luksin të punojnë nga shtëpia apo të mos shkojnë në punë për shkak se në fund të ditës atyre u duhet të sigurojnë gjërat më bazike për familjen e tyre.
Deputetja ndau me ne faktin se shumë shqiptarë i kanë shkruar asaj për të ndihmuar bashkëkombësit e tyre në këto ditë të vështira.
Ndër të tjera Hajdari sqaroi se Qeveria duhet ta bëjë sa më të lehtë përballimin dhe mbulimin ushqimor të domosdoshëm të familjeve.
Dy javë më parë Hajdari deklaroi se do të ndihmonte të paktën 5 familje në ditë, ajo iu bëri thirrje atyre qytetarëve që kanë nevojë për ushqime që t’i shkruajnë në inbox.
Ditën e parë ajo ndihmoi 5 familje në zonën e Laprakës, në zonën e saj elektorale, dhe një ditë më pas ajo deklaron se 8 familje morën pako ushqimore.
INTERVISTA E PLOTË E RUDINA HAJDARIT
Si ju nisi ideja dhe çfarë ju shtyu për të ndihmuar çdo ditë 5 familje me ushqime.
Në këtë kohë të vështirë, kur të gjithë jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, shumë qytetarë nuk e kanë luksin të punojnë nga shtëpia apo të mos shkojnë në punë për shkak se në fund të ditës atyre u duhet të sigurojnë gjërat më bazike për familjen e tyre.
Ndaj dhe e mora këtë iniciativë, pikërisht për të ndihmuar këto familje të cilët nuk kanë mundësi ta përballojnë këtë periudhë të vështirë, duke shpresuar që kjo ndihmë e vogël të sjellë një ndryshim sado të vogël tek këto familje.
E nisa në zonën e Laprakës, e cila është edhe zona që unë përfaqësoj, por me shpresën që do të më bashkohen edhe të tjerë në këtë nismë që ta zgjerojmë edhe hartën e shpërndarjes së ndihmave.
Sa familje keni ndihmuar deri tani dhe si është gjendja e tyre?
Deri më tani kemi ndihmuar 92 familje me ndihma ushqimore. Gjendja sigurisht është e keqe, janë familje që s’kanë të ardhura, dhe sidomos nga situata e tanishme e shkaktuar nga virusi, gjendja e tyre është përkeqësuar.
A u janë bashkuar miqtë tuaj kësaj kauze?
Më janë bashkuar shumë miq, por edhe njerëz që unë s’i njoh, më kanë shkruar dhe kanë shprehur dëshirën që t’i bashkohen kësaj nisme. Më vjen mirë që kam arritur të sensibilizoj dhe njerëzit, që të tregohen solidarë e të ndihmojnë familjet në nevojë.
A mendoni se kjo është zgjidhja e dukur në këto momente dhe çfarë duhet të bëjë ndryshe qeveria
E kam theksuar edhe më përpara, situata të tilla janë të vështira për t’u menaxhuar dhe kontrolluar për çdo qeveri në pushtet. Ndaj duhet një bashkim forcash, por pesha kryesore i bie pushtetit ekzekutiv, si dhe atij lokal, që ndihmon dhe orienton çdo qytetar drejt zgjidhjes.
Për mua kjo ka patur shumë probleme, sidomos në mënyrën se si janë trajtuar njerëzit e zakonshëm. Mendoj se ky ekzekutiv nuk di të komunikojë me qytetarët e tij, fjalë ka shumë por vepra ka shumë pak.
Kreu i qeverisë ka një mënyrë shumë të ashpër, udhëheq me një mentalitet dominues dhe autokrat, si dhe me metoda agresive për të bindur njerëzit për masat dhe menaxhimin e situatës. Ka një diferencë shumë të madhe me vendet perëndimore që tek mënyra e komunikimit publik dhe trajtimit të situatës.
Së dyti, një plan ekonomik social duhet të ishte bërë menjëherë dhe të ishte gati. Pse vende të tjera si Serbia, Kosova, Greqia kanë arritur ta bëjnë këtë më shpejt dhe në mënyrë më të drejtë dhe që realisht është e hartuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre në këto kohë të vështira dhe të pasigurta.
Së treti, ekzekutivi duhej menjëherë të ndihmonte bizneset e vogla dhe të mesme. Fjalë shumë dhe vepra shumë pak. Theksoj se vendi ynë ka patur shumë probleme dhe vonesa për të menaxhuar pasojat ekonomike të kësaj krize dhe kjo do t’i kushtojë qytetarëve tanë.
Po ashtu shtetasit shqiptarë duhet të lejohen të hyjnë ne vendin e tyre. Jemi i vetmi vend që nuk po e bëjmë këtë gjë. Edhe pse ata janë rezidentë diku tjetër, është e drejta e tyre të kthehen aty ku e kanë shtetësinë pranë familjarëve të tyre.
Ndërkohë nga ana tjetër, masat për pezullimin e aktiviteteve dhe shmangien e grumbullimeve janë të domosdoshme për të kufizuar përhapjen e këtij virusi, por qeveria duhet të jetë e gatshme të mundësojë likujdim të humbjeve dhe falimentimeve që mund të ndodhin si shkak i kësaj situate. Qeveria duhet ta bëjë sa më të lehtë përballimin dhe mbulimin ushqimor të domosdoshëm të familjeve.
Qeveria duhet të fillojë të reflektojë, që tek mesazhet terrorizuese, tek frika dhe fryma totalitare që po shpërndan.
Mesazhi juaj për të gjithë shqiptaret në këto ditë të vështira?
Duhet të jemi të gjithë të bashkuar për ta luftuar virusin Covid19, që ta kalojmë me sukses këtë sfidë të vështirë. Është një luftë e pazakontë që nuk njeh as kufij dhe s’do t’ia dijë për njeri, të gjithë jemi të barabartë përpara saj dhe duhet t’i përvishemi luftës.
Heronjtë e mëdhenj të kësaj lufte pa dyshim janë mjekët, infermierët dhe e gjithë trupa mjekësore që qëndron në vijën e parë dhe po sakrifikon aq shumë, përfshirë edhe jetën e tyre për të ndihmuar njerëz të tjerë.
Prandaj qëndrimi në shtëpi dhe zbatimi i rregullave është e vetmja zgjidhje, vetëm kështu mund ta kalojmë dhe të ndihmojmë dhe ata njerëz që po sakrifikojnë aq shumë për të gjithë shoqërinë sot.
Duhet të jemi të paqshëm, të kuptueshëm me njëri-tjetrin, ta përdorim këtë kohë për t’u kujdesur për veten dhe për familjen, si dhe për të gjetur kënaqësi në ato gjëra që kemi humbur nga jeta e shpejtë.
Tani kemi mundësi për të reflektuar dhe për të qëndruar më pranë familjes dhe për të kuptuar vlerat e vërteta të jetës dhe çfarë na duhet për të ecur përpara dhe për të patur jetë më të përmbushur dhe kuptimplotë.
Intervistoi: Laert Miraku