Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano i ka cilësuar masat e qeverisë në këtë periudhë epidemie si të pamjaftueshme.
Në një intervistë për Enkel Demin me “Abc-ja e mëngjesit” Shano theksoi se ndihma që qeveria ka dhënë apo premton të japë në drejtim të njerëzve dhe ekonomisë ka disa karakteristika.
Sipas tij një karakteristikë e parë ka qenë sjellja e qeverisë në drejtim të fitimit të kohës; duke qenë e paqartë, duke vonuar pagesat, duke qenë e paqartë në instrumentat që ajo do të përdorë.
Më tej eksperti i ekonomisë thotë se “kura” që po përdor qeveria është më keq sesa vetë problemi.
“Një gjë është e sigurtë; të varfërit do të jenë akoma edhe më të varfër, klasa e mesme do të varfërohet dhe do zbresë shkallë. Të vetmit që nuk do të preken do të jenë shumë të pasurit dhe bankat private. Të gjithë të tjerët do ta ndjejnë fort këtë krizë”- tha Shano.
Eksperti shton se sa më shumë të vonojnë këto masa nga qeveria, aq më keqe do jetë situata na pret në vijim.
“Vendi po qeveriset keq, po qeveriset nga infeksionistë, as nga epidemiologë jo. E bazuar kjo, ‘po qe se bëjmë këtë, do na vdesin kaq’. Kjo është e pavërtetuar. Hipoteza e infeksionistëve sot po dëmton fort jo vetëm ekonominë, por po dëmton shëndetin e 95% shqiptarëve të shëndoshë. E dyta, kam folur edhe më herët për instrumentat që ka në dorë një qeveri si rishikimi total i buxhetit, eliminimi të gjitha shpenzimeve të panevojshme, duke filluar nga PPP-të e deri tek shpenzimet operative që nuk duhen. Ministria e Financave duhet të dalë dhe të deklarojë që e ka bërë këtë gjë. Qeveria mund të marrë borxh, siç po merr borxh rëndshëm në tregun e jashtëm dhe të brendshëm. Qeveria ka të drejtën të përdorë rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë. Pasi të shterrojnë të gjitha këto, atëherë qeverisë i mbeten edhe dy rrugë: printimi i parave dhe shtrirja në gjunjë përpara një fuqie tjetër më të madhe për t’i kërkuar para”-u shpreh Shano mes të tjerash.
Pjesë nga intervista:
Unë kam pasur një komunikim privat me dikë që është në rangje të larta botërore, i cili më thoshte para 4-5 ditësh që Shqipëria duhet të emetojë para. Unë e kuptoj thoshte që kjo mund të rrisë inflacionin, me ekonominë që ju keni inflacioni mund të rritet pas një viti, por atëherë nuk i dihet që kjo situatë mund të ketë kaluar. Pra ai thotë që BSH të presë para dhe t’i hedhë në ekonomi, këto janë biseda private. Ideja e prerjes së parasë a do funksiononte?
Vendi po qeveriset keq, po qeveriset nga infeksionistë, as nga epidemiologë jo. E bazuar kjo, ‘po qe se bëjmë këtë, do na vdesin kaq’. Kjo është e pavërtetuar. Hipoteza e infeksionistëve sot po dëmton fort jo vetëm ekonominë, por po dëmton shëndetin e 95% shqiptarëve të shëndoshë. E dyta, kam folur edhe më herët për instrumentat që ka në dorë një qeveri; është rishikimi total i buxhetit, duhen eliminuar të gjitha shpenzimeve të panevojshme, duke filluar nga PPP-të e deri tek shpenzimet operative që nuk duhen. Ministria e Financave duhet të dalë dhe të deklarojë që e ka bërë këtë gjë. Qeveria mund të marrë borxh, siç po merr borxh rëndshëm në tregun e jashtëm dhe të brendshëm. Pra, sot që flasim qeveria nuk është njësoj si në datën 31 mars kur i kishte harxhuar të gjitha paratë për tenderat. Qeveria ka të drejtën të përdorë rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë e cila mjafton për 6 muaj.
Domethënë ju mendoni se na del 6 muaj rezerva valutore e bankës?
Absolutisht që po. Rregulli ka qenë që duhej një rezervë për 4 muaj e gjysëm, ky është kanoni ekonomik. Por, që me Shkëlqim Canin,i cili ndoshta nga origjina e tij dibrane që fshehin gjëra nëpër shëpi, e çoi 6 muaj. Pasi të shterrojnë të gjitha këto, atëherë qeverisë i mbeten edhe dy rrugë: printimi i parave dhe shtrirja në gjunjë përpara një fuqie tjetër më të madhe për t’i kërkuar para. Sot që flasim jemi te borxhi, unë desha ta besoj ministren e Financave para një jave që tha ne kemi para, duket që para nuk kemi pasur përderisa ka një nxitim të madh për të marrë borxhe. Këto para janë të shqiptarëve nuk duhen konsideruar si dhuratë dhe duhet të hyjnë menjëherë në ekonomi.