Rama mohon akuzat për sistemin diktatorial: Fantazi jashtë këtij realiteti

Qeveria shqiptare po kritikohet gjithnjë e më shpesh për masat e marra për të përballuar pandeminë e koronavirust. Në një kohë kur shumë shtete në Evropë kanë filluar lehtësimin e masave, në Shqipëri nuk po ndodh e njëjta gjë, por Rama thotë se strategjia po ndiqet në bazë të zhvillimeve të brendshme.

Sipas Ramës, numri i ulët që ka Shqipëria të vdekjeve për një 1 milion banorë “tregojnë qartë se sa vendimtare kanë qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi masivisht i masave në Shqipëri.”

Kryeministri mohon akuzat që po i bëhen për instalimin e një sistemi autokratik në vend, duke i konsideruar si fantazi jashtë këtij realiteti.

“Të gjithë ekspertët kudo në botë, bëjnë thirrje për të mos e ulur vigjilencën dhe asnjë qeveri në botë, nuk ka një plan hapjeje pa shkallë, në varësi të kurbës! Ne do të vazhdojmë të zbatojmë planin tonë dhe ta adaptojmë atë sipas dinamikës së zhvillimeve në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës. Ekonomia bie e ngrihet prapë, të vdekurit nuk ngjallen më, prandaj të gjithë duhet ta kenë të qartë që ne nuk do të tërhiqemi nën asnjë presion të padijes, mendjelehtësisë e vulgaritetit, të atyre që nuk duan të kuptojnë thelbin e kësaj situate dhe flasin për diktaturë e për lloj – lloj fantazish jashtë këtij realiteti”, shkruan Rama.