Rriten shifrat, shkon në 480 numri i të infektuarve nga Covid-19 në Kosovë

Kosova, Koronavirus

Kosova ka konfirmuar edhe 31 raste të reja me Covid-19 ditën e sotme duke e çuar numrin e përgjithshëm e të infektuarve në vend në 480. Klinika Infektive sot ka raportuar edhe një rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 70 vjeç nga Ferizaj, duke e çuar numrin e vdekjeve në Kosovë në 12.

Gjithashtu autoritetet kosovare japin lajmin e mirë se pesë persona të tjerë janë shëruar ditën e sotme.

Njoftimi i Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik

“Sot më 17 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 209 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e një (31) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: dhjetë (10) raste Ferizaj, tre (3) raste Mirash, një (1) rast Mirosal dhe një (1) rast Kosinë), nëntë (9) raste nga komuna e Vitisë ( sipas vendbanimit: tre (3) raste Viti, tre (3) raste Gushicë dhe tre (3) raste Pozharan), dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Miradi e epërme-Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok .

Sot më 17 prill 2020, janë shëruar edhe pesë (5) pacient, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tetëdhjetë e katër (84).

Më datë 17 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe një rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 70 vjeç nga Neredime e epërme -Ferizaj, i konfirmuar me COVID-19 me datë 13.04.2020. Pacienti është referuar nga QMF-Ferizaj dhe hospitalizuar në Klinikën Infektive me 12.04.2020 në gjendje të rënduar. Pacienti ka patur sëmundje shoqëruese (Inflitrim pulmonar dhe Hipertension arterial).

Lexo edhe :  Lista Serbe e akuzon KQZ-në për “manipulim politik”

Nga data 08 shkurt deri më 17 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 4.124 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej katërqind e tetëdhjetë (480) me dydhjetë (12) raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.828 kontakte të rasteve”, thuhet në njoftim.