1922-2020: Shqipëria dhe shqiptarët, sa shumë ka ndryshuar?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pjesa e parë

Çfarë shkruanin dy autoret amerikane në reportazhin e tyre për shqiptarët dhe Shqipërinë? Cilat ishin sfidat me të cilat ata po përballeshin dhe si përshkruhej atmosfera politike, shoqërore dhe ekonomike në të cilën ndodheshin paraardhësit tanë që dukej sikur ishin zgjuar nga një letargji e gjatë. Artikulli i tyre përbën një dëshmi historike me vlerësime tejet realiste e pozitive për shqiptarët duke na sjellë edhe parashikimet e tyre për fatin e këtij kombi, që ata e cilësojnë “sa të ri, aq edhe të vjetër në familjen e kombeve të civilizuara”. 

Nga Armand Plaka

Ndërsa kohët kalojnë dhe 100-Vjetori i Pavarësisë tashmë ka hyrë në vitin e tetë që është lënë pas krahëve, duket se në shumëçka, ne si shqiptarë s´kemi ndryshuar aspak, ndërkohë që në shumë aspekte të tjera qëndrojmë shumë larg paraardhësve tanë. Vizionet e përpjekjet e tyre, duke pasur parasysh se çfarë mund të të ofronte situata politike, ajo shoqërore, ekonomike, industriale, teknologjike e me radhë, çuditërisht ngjajnë të kenë qenë më të përparuara, më të orientuara, ndërsa qëllimet e veprimet, padyshim më fisnike.

Faqja e parë e artikullit origjinal me autorë: Viola I. Paradise dhe Helen Campbell

Por çfarë ka ndryshuar?

Sigurisht shumë gjëra, tmerrësisht shumë dhe paradoksalisht, tmerrësisht pak, ose aspak. Nëse do të bënim pyetjen; për mirë apo për keq, sërish do të kishim ndoshta një përgjije të dyjëzuar. Këto janë ato ç´ka më vijnë ndërmend ndërsa shfletoj një botim nga viti i largët 1922. Duke mos iu përmbajtur domosdoshmërisht një date apo një kalendari fiks historik, kjo prurje besoj se është pikënisja që çdokush të bëjë vetë një bilanc për ato çka pretendova më lart.

Bëhet fjalë për një reportazh relativisht të konsiderueshëm (në terma të volumit gazetaresk), botuar në faqet e një reviste amerikane, e cila tashmë prej vitit të largët 1939, nuk ekziston më, përveçse në arkiva. Qysh në titullin e saj “Shqipëria, një komb i ri në një botë të vjetër”( “Albania – a new nation in an old world”, By Viola I. Paradise and Helen Campbell,  fq. 566-580, Scribner´s Magazine, London, 1922), duket se artikulli tenton të thotë diçka, të mbartë një mesazh.

Udhëtimi nëpër Shqipëri, më konkretisht nga Tirana në Korçë, i dy gazetareve amerikane (për të cilat nuk dimë të themi shumë, përveçse rezultojnë edhe si të angazhuara në rrethet poetike të fillimshekullit të 20-të në SHBA), takimet me njerëz të thjeshtë, fshatarë e qytetarë, e madje edhe ministra e zyrtarë të rangjeve të ndryshme, na përcjellin më së miri, jo vetëm atmosferën e kohës, por pajisur me statistika e vlerësime, mundohen të bëjnë edhe një perspektivë për të ardhmen e Shqipërisë.

Vullnetarë që zbrisnin në Tiranë nga malet për të ndihmuar qeverinë të shtypte kryengritjet në mars 1922

Ndërsa flasin për shanset e Shqipërisë në përballje me një epokë të re të industrializmit agresiv që kishte përfshirë mbarë botën e civilizuar asokohe, autorët shtrojnë në fund disa pyetje, përgjigjet e të cilave duket se do na marrin kohë t´u përgjigjemi, jo vetëm nga ditët e sotme, por edhe ato të ardhme.

Qysh në rreshtat e parë të reportazhit, autoret në fjalë, kalojnë shpejt në vlerësime që ngjajnë mëse aktuale edhe sot, duke na bërë të mendojmë se zhvendosja në kohë, nuk do të thotë domosdoshëmrisht, zhvendosje në diskutime e prioritete: 

Ndërsa sheh të tilla gjëra që të sugjerojnë në pamje botën e vjetër të Turqisë, për një moment harron se Shqipëria është rrugës për t´u shndërruar në një shtet modern. Por kanë mbetur gjëra që ta kujtojnë atë kohë gjithsesi: Ministri i Punëve Publike punon duke kaluar nëpër sheshin qendror sëbashku me disa inxhinjerë të sjellë nga qeveria austriake; aty-këtu biznesmenë të huaj, të shfaqur në Shqipëri pas lejimit të konçesioneve; në distancë prej aty, dëgjohet një bandë e vogël muzikore që përpiqet të luajë “Peer Gynt Suite”, një sonatë nga Mozart, përzier me këngë të reja shqiptare; dhe ngado që shkel, sheh njerëz që flasin rreth planeve për ndërtimin e Shqipërisë së re…“.

Po kështu kontrastet që ofronte Shqipëria e kohës, ngjasojnë shumë me realitetin që akoma vijojmë të jetojmë.

„Juve mund t´iu duket akoma një vend plot kontraste“, na thotë dikush, … Shumë prej nesh akoma e bluajnë grurin në gurë mulliri nëpër shtëpi; ndërsa qyteti i Korçës ka mundur të mbledhë ndërkohë para për ta nisur postën me aeroplan dhe ka dërguar studentë drejt Francës për të studiuar aeronautikë.  „Dukuni pas 5 vjetëve“, thotë dikush „dhe do na shihni si të gjithë vendet e tjera europiane”.

Fshatarë në pazarin e qytetit, duke këmbyer lajme nga rajonet nga të cilat vinin dhe diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë, ndërsa presin për klientë

A nuk ngjan kjo sentencë e shprehur nga një i ri shqiptar i kohës, e njejtë me hamendësimet e aspiratat tashmë tridhjetëvjeçare, që janë bërë shumë frekuente prej bashkëkombasve të tij rreth 100 vjet më pas, në lidhje me anëtarsimin tonë në BE?

Por le të kalojmë më tej:

Shqipëria nuk e sheh vetën si pjesë e Europës `me rrugë dhe me tren elektrik, duke gjarpëruar mes maleve, dhe me dritë elektrike`. Në Shkodër tashmë ka dritë elektrike`, ndërhyn një djalosh, `dhe tubacione uji të pijshëm`.  Dhe prisni pak sa të shohim edhe Korçën. Thuajse gjithkush mban veshje europiane. “Ne nuk jemi akoma të civilizuar, por ne ia kemi nisur kësaj udhe. Ne kemi një parlament kombëtar“. “Problemi ynë është“ – thotë diksuh tjetër, “se ne kemi shumë kohë për të rikuperuar”. “Është një hendek i madh para nesh, mund të themi. Por tashmë që ne jemi të lirë, ai bën një gjest demonstrativ që tregon se gjithçka është e mundur.

Pasi i bëjnë një rezyme historisë së hershme e të vonë të shqiptarëve deri në atë kohë, duke theksuar se shqiptarët vërtetë kishin vuajtur shumë etj., i rikthehen sërish problematikës sw kohës për t´i bërë një skaner situatës (aktuale), përpjekjeve për civilizim dhe orientimit të perspektivës së Shqipërisë.

Lexo edhe :  Një vit që ikën dhe një tjetër që vjen

Ekspertët ligjorë po planifikojnë hartimin e kodeve të reja, duke bërë një shkrirje të kodeve të vjetra osmane me ato napoleoniane. Ekspertëve të financave, u duhet të ndërtojnë çdo gjë nga hiçi, pasi vendi nuk posedon sistem bankar, nuk ka monedha kombëtare… Sipas zonës ku je, mund të përdorësh lira italiane, të mbash në dorë monedha ari të vjetra austriake….

Sigurisht se në krahasim me ato çka na ofrojnë dy autoret në vitin e largët 1921, Shqipëria duket të ketë bërë shumë përpara, duke na e sjellë fort kontrastin me atë kohë. Ndërkohë, diçka e pandryshuar duket se është çështja e harmonisë fetare, e cila ashtusikurse edhe sot u bënte përshtypje gjithmonë të huajve që vizitonin këtë vend.

Zyrtaret e Klubit të Grave të Korçës ( Në foto gratë e besimit musliman, e kanë hequr perçen )

Mikpritja shqiptare, një religjion

Një element i rëndësishëm, të cilit i rezervohet shumë vend në artikull, është mikpritja shqiptare. Kjo cilësi e fundit, fatmirësisht në ditët e sotme është një nga virtytet më të mira që i kanë mbetur shqiptarëve e që duket se në paraardhësit e tyre ka qenë e rrënjosur edhe më fort, siç na sugjeron pasazhi në vijim:  

Sado i varfër të jetë mikpritësi yt, ai në çdo rast do ta refuzojë pagesën që i ofrohet….Mikpritja është religjion në Shqipëri. Ajo, citonin asokohe autoret amerikane, aplikohej në masë nga të pasur e të varfër“. Kështu, duke e ilustruar me mjaft shembuj konkretë rrëfimin e tyre, ata theksojnë diku se fjala “mikpritje” nuk përbën vetëm një simbolikë figurative për shqiptarët, por është një realitet i prekshëm.

Kurioziteti dhe dëshira për të komentuar e mësuar më shumë se ç´mendonin të huajt rreth Shqipërisë, na rezulton të jetë prezente thuajse në të njejtën masë edhe në ditët e sotme: Biseda vërtitej shpesh rreth Shqipërisë, duke na u marrë mendimi se ç´mendonim ne për situatën atje, ndërsa pyeteshim vazhdimisht për vendin tonë, Amerikën.

Korça, aromë europiane

Por sa europiane ishte Shqipëria dhe cili qytet bënte dallimin? – A kishte një dallim të madh mes fshatit dhe qytetit? – Këtë e gjejmë gjithashtu të pasqyruar në vlerësimin e mëposhtëm: Korça bënte një kontrast të madh me atë çka kishim parë gjatë pesë ditëve udhëtim. Në Korçë gjithkush vishej si europian. Nëpër kafenetë e qytetit njerëzit lexonin të rejat e fundit të gazetave që dilnin tri herë në javë….Gjithandej mund të dëgjoje anglisht, pasi thuajse çdo i rritur i familjeve korçare kishte qenë në Amerikë“.

Pavarësisht se në disa aspekte sigurisht se ndjehet akoma orientalizmi dhe prania fshatare në qytet, gjithsesi, të dyja autoret theksojnë se qyteti të jep një atmosferë moderne. Për diferencën mes fshatit dhe qytetit janë të vetëdijshëm edhe shqiptarët, porse fshatari gjithsesi duket i zgjuar, me vetëbesim, dhe jo i dhënë pas servilizmit. Mbase kjo vjen nga fakti se ai ka një copë tokë. …edhe kur ai është fare analfabet, ai është mëse i qartë dhe kërkon të penetrojë e të marrë vesh çka ndodh në vend.

Amerika, respektohej dje dhe sot

Ndërsa tregon se shqiptarët e kishin për zemër të kënduarin, diku autorët theksojnë: Ndërkohë përsëritej apeli që Amerika ta njihte pavarësinë e Shqipërisë, gjë të cilës i këndohej edhe kënga. Në çdo rast, edhe kur ke të bësh me fshatarët më injorantë, ata e dinë nevojën e Shqipërisë për njohje nga fuqitë e mëdha. Në mënyrë paradoksale, sheh se historia përsëritet, paçka se këtë radhë, pas 90 viteve, vetëm me një pjesë të kombit shqiptar, i cili qënien e tij të pavarur, akoma e lidh me “çështjen e njohjeve ndërkombëtare”.

Ndërsa flet me Ministrin e Brendshëm (në fakt autoret nuk e përmendin, por merret me mend se mund bëhej fjalë për Ahmet Zogun, i cili po përjetonte një kulm në karrierën e vet të hershme, duke drejtuar fushatat qeveritare për shtypjen e kryengritjeve antiqeveritare, ndërsa pas pak javëve do të priste edhe emërimin si kryeministër), për zakonet e fshtaravë shqiptarë, ai i pohon se interesi i tyre për ngjarjet politike në vend ishte i madh dhe se ai shpesh merrte prej tyre edhe këshilla.

Në artikull, një pjesë shumë domethënëse, në fakt, janë edhe fotot e përcjella nga autoret, të malësorëve e fshatarëve shqiptarë, të cilët shkonin vullnetarë për të ndihmuar forcat qeveritare në shtypjen e kryengritjes.

Ligje të mira, por problem mbetet implementimi

Ndonjëherë, sipas ministrit, ligjet janë vërtetë të mira e nuk mungojnë, por ndoshta nuk është pjekur plotësisht koha për implementimin e tyre. Ky pohim fatkeqësisht mbetet një realitet po aq prezent edhe në ditët e sotme, por duket se ndryshimi është shumë i madh, pasi në atë kohë vërtetë mund të bëhej fjalë për “mospjekjen” aq sa duhej të kohës, kurse sot kjo s´përbën asnjë arsye të qenësishme.

Të fundit

Ekspertët e sigurisë paralajmerojnë: NATO nuk eshtë gati për nje luftë

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët. Pavarësisht stërvitjeve masive të...

Meloni me ‘mision sekret’ në SHBA: Do të takojë Trump, por nuk dihet pse

Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump. Një takim...

SHBA, funerali shtetëror gjashtëditor i ish-presidentit Jimmy Carter

Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia. Jimmy Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt...

“Në fillim jam trembur…”, Eno Popi tregon raportin e veçantë me të bijën

Prej vitesh, Eno Popi jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare jetojnë atje, ndërsa Eno, për shkak të punës së tij,...

Përfshihen nga flakët dy banesa në Pogradec

Dy banesa janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 në Pogradec. Dy banesat janë përfshirë nga zjarri pasi mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV