Një shtetas rumun ka gjetur një mënyrë sa të tmerrshme aq edhe gjeniale për të dërguar shqiptarë drejt Anglisë.
42-vjeçari Costel Nicuta kishte arritur të dërgonte përmes kamionit të tij disa herë emigrantë, kryesisht shqiptarë në mënyrë të paligjshme drejt Anglisë, duke përdorur një metodë që nuk ishte përdorur ndonjëherë më parë.
Por, Nicuatas nuk i eci gjatë dhe u kap nga policia britanike duke u dënuar me tre vjet dhe katër muaj burg.
Metoda e tij ishte e thjeshtë, ai lyente kamionin e tij, por edhe vetë emigrantët me lëndë kimike dhe qentë e kufirit nuk i afroheshin për të kontrolluar ngarkesën.
Por, më 27 shkurt të këtij viti oficerët e Forcave Kufitare e pikasën metodën e 42-vjeçarit rumun kur kontrolluan vetë kamionin. Policia gjeti brenda kamionit tre emigrantë shqiptarë të fshehur në një ndarje të vogël sekrete nën çatinë e rimorkios së rumunit.Rrobat e emigrantëve shqiptarë ishin të mbuluara me një lëndë kimike zbardhuese. Po ashtu edhe vetë drejtuesi i kamionit ishte lyer me këtë përbërës.
Efektivët e policisë kufitare vunë re se në rimorkio kishte një erë të fortë të lëndës kimike.
Policia shoqëroi tre emigrantët shqiptarë për t’iu nënshtruar një trajtimi mjekësor përpara se t’i dorëzonin në polici.
Nga ana tjetër 42-vjeçari rumun u akuzua për ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa gjykata e dënoi atë me tre vjet e katër muaj burg.Ministri për Emigracionin Chris Philp tha se “Ne po punojmë me forcat e rendit dhe partnerët ndërkombëtarë për t’u siguruar që ata që tentojnë të kontrabandojnë njerëz të përballen me gjithë forcën e ligjit. Kjo ishte një përpjekje e tmerrshme për të kontrabanduar njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme. Shpresoj që burgosja e Nicutës të përçojë një mesazh të qartë tek kushdo që merret me këtë lloj kriminaliteti; do të kapen dhe do të sillen para drejtësisë.”/Përshtati nga Metro.co.uk, për Fjala.al, B. Quku