Rikard Ljarja/ Vdekja që do ta çojë në Apogjeun e legjendës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Që nga ky çast ai do kthehet në legjendë, dhe heronjtë e legjendave nuk janë kurrë të gjallë. Sepse në të gjallë ata janë thjesht punëtorë, ndërsa vdekja, ajo i çon në Apogje…

…Nuk mund të përcillej aq thjeshtë e aq pa zhurmë për në banesën e fundit. “Është shumë më e bukur, shumë më njerëzore kaq thjeshtë”, do të shprehej mes ngashërimit Marjeta. Dhe ndoshta kishte të drejtë. Sepse dhe një ceremoni madhështore, me homazhe të lodhshme e bandë që luan marshe funebër, nuk do të sillte asgjë më shumë tek emocionet njerëzore. Në fund të fundit, ai iku të takojë Krijuesin, por në celuloid vepra e tij mbeti e plotë.

Rikard Ljarja ishte 77 vjeç. Dhe i mbushi veç pak ditë në parë, në 1 prill. Sepse në 1 prill kishte lindur, në vitin 1943, pikërisht në Shkodër, vendin e kulturës që nxori jo pak aktorë të talentuar ashtu si dhe artistë të tjerë.

Me një repertor për t’u pasur zili, Rikardi do të mishëronte të paktën 27 role në kinema. Dhe si i tillë, ai ishte vazhdimisht i pranishëm në ekranin e madh, por dhe në televizione, filmat e të cilit transmetohen në vazhdimësi. Ai ishte Dritan Shkabaj që hapte shkollat në Mirditën e pas luftës, fillrojtësi modest me emrin Ded, Lluka apo Naimi, si teknicien e burokrat, apo dhe Fitimi një mekanik arrogant. Dhe këto janë aq pak në jetën e tij filmike.

Rikardin e gjen kudo në filmin shqiptar, ai aktor, regjisor dhe në dy raste edhe si skenarist. Në këtë mënyrë mund të thuhet se ai e plotësoi tërësisht egon e tij profesionale, për më tepër kur këtyre u shtoi dhe botimin e katër librave, tre prej të cilave romane. Pra ishte një artist shumëdimensional, dhe i tillë do të mbetet tanimë.

I martuar me Marjetën, gjithashtu aktore emblematike, ai do të luante në dy filma me të: “Në pyjet me borë ka jetë” dhe “Rrethi i kujtesës”.

Ishte 53 vjeç kur luajti në filmin e fundit, dhe padyshim, do të mund të ishte po aq aktiv në vitet e mëpasme, si aktor e regjisor. Por nuk ishte e lehtë në një Shqipëri të trazuar, ku filmi ashtu si dhe shumë arte të tjera, për një kohë të gjatë nuk patën dot frymëmarrjen e duhur.

Rikard Ljarja nuk do të jetë më prezent në tavolina miqsh e aktivitete kulturore. Por ai do të ketë vazhdimisht ndikim tek brezat, sepse gama e gjerë e roleve të tij i jep mundësinë kujtdo të gjejë diçka nga vetja tek një personazh.

Lexo edhe :  Berisha i drejtohet Ramës: “Nëse prek votën, s’do kesh vend mbi tokë”

Ai u përcoll në vendlindjen e tij në Shkodër për të çuar në vend amanetin e tij. Dhe jo vetëm se lindi në këtë qytet, por se i pas diplomimit në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë, tetë vite me radhë kontribuoi si aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni”.

Por ceremonia e varrimit të tij është diktuar nga rregullat e pandemisë. Me maska në fytyrë, por dhe me lot në sy, njerëzit e mbledhur poshtë banesës e kanë përcjellë mjeshtrin e madh drejt banesës së fundit me duartrokitje. Dhe kurrsesi, nuk mund të jenë duartrokitjet e fundit për të…/Fjala.al

JETËSHKRIM I SHKURTËR

Rikard Ljarja, lindi në 1 prill të 1943 në Shkodër, ndërsa njihet nga shqiptarët për rolet e tij në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër kurse në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë.

Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Filmografia

Viktimat e Tivarit (1996)
Fletë të bardha – (1990) Shoku Emir
Pesha e kohës – (1988), Vasili
Rrethi i kujtesës – (1987), Mjeku
Në prag të jetës – (1985), Andrea
Pranverë e hidhur – (1985) Xha Teli
Skëterrë ’43 – (1980), Andrea
Radiostacioni – (1979) Komandanti
Në pyjet me borë ka jetë – (1978), Luka
Ilegalët – (1976) Tosti
Në fillim të verës – (1975) I deleguari i qarkorit
Rrugicat që kërkonin diell – (1975) Gaqo Tipografi

Rrugë të bardha – (1974) Deda
Shpërthimi – (1974) Inxhinjer Iliri
Ndërgjegja – (1972) Fitimi
Yjet e netëve të gjata – (1972)……xhandari
Kur zbardhi një ditë – (1971) Komisari
Plagë të vjetra – (1968)…….Naimi
Ngadhnjim mbi vdekjen – (1967)..Perlati
Duel i heshtur – (1967) Skenderi
Komisari i dritës – (1966) Dritan Shkabaj
Monumenti

Regjisor

Pesha e kohës – (1988)
Kur hapen dyert e jetës – (1986)
Fundi i një gjakmarrjeje – (1983)
Dita e parë e emrimit – (1981)
Sketerre 43 – (1980)
Radiostacioni – (1979)
Në pyjet me borë ka jetë – (1978)

Skenarist

Pesha e kohës – (1988)
Kur hapen dyert e jetës – (1986)

Të fundit

“Frutat dhe perimet me pesticide dhe mishi me salmonelë”/ Çfarë po konsumojmë?

A.Ç., prej disa ditësh gjendet i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, për shkak të helmimit nga ushqimi nga...

300 sëmundje janë të kurueshme që para lindjes

Identifikohen 300 sëmundje gjenetike të kurueshme që para lindjes ose në ditët e para të ardhjes në jetë. Diagnostikimi bëhet i mundur falë testeve...

Vota e shqiptarit jashtë, si leku që zhvlerëson euron në kurrizin tonë!

Nga Artan Fuga Përherë ka pasur një mekanizëm për t'i përçudnuar zgjedhjet për në Kuvend. Ose ka ndodhur diçka që e ka tërhequr vëmendjen gjetiu...

Rruga nënujore më e gjatë dhe më e thellë në botë

Norvegjia po ndërton tunelin më të gjatë dhe më të thellë nënujor në botë, një nga projektet inxhinierike më ambicioze të Europës, i cili...

Intervistë me kandidaten e “Koalicionit Euroantlantik”, në Qarkun e Korçës

Nevoja për zërat e grave në pluralizmin demokratik dhe politik, është sa bindëse, aq edhe domosdoshmëri e komunikimit të tyre,  si shprehi të humanizmit...

Lajme të tjera

Web TV