Dy Gjergjët e mëdhenj të historisë arbërore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Për shansin tonë të madh, historia mesjetare e arbërorëve ka pasur burra trima, udhëheqës politikë dhe strategë ushtarakë që janë njohur në krejt Evropën por dhe në Azinë e Vogël. Dhe nga historia e shkruar kemi mësuar se më i madhi ndër të gjithë është Gjergj Kastrioti.

Por a është vetëm ai kulminacioni i historisë mesjetare kundër pushtimit osman dhe barrikada e Evropës së Krishterë?

Po të lexosh nëpër rreshta, historia na thotë se në fakt nuk është vetëm një Gjergj, ai i pari që për të dytë mban emrin Aleksandër për nder të luftëtarit të madh maqedonas, por edhe një Gjergj tjetër, që qëndresën për të mbrojtur trojet e principatës së tij i kishte nisur shumë vite para se Gjergj Kastrioti të shfaqej në Krujë dhe në 28 nëntor të vitit 1443 të ngrinte flamurin me shqiponjën dykrerëshe në kalanë e saj.

Ai është Gjergj Arianiti.

Më ka intriguar gjithmonë emri i Arianitit. Dhe kjo u thellua edhe më tepër kur në një intervistë të hershme, tek konsumonim një kafe me profesor Aleksandër Meksi, i shquar në fushën e restaurimit të objekteve të kultit, më foli për madhështinë e Gjergj Arianitit, duke vënë shenja barazimi me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin. Në kërkimet e mëpasme Gjergj Araniti u lartua si figurë, falë punës së disa historianëve me emër të cilët janë referuar në jo pak dokumentacione.

Por emri i Gjergj Arianitit prej shumë e shumë vitesh është lënë në harresë. Madje pas vitit 1455, emri i tij zhduket nga vjetarët e historisë. Megjithëse ai vdiq në vitin 1463.

Në mënyrë krejt të padrejtë ai është njohur gjerësisht si i ati i Donikës, me të cilën u martua Gjergj Kastrioti. Dhe dukej sikur nuk ishte gjë tjetër veçse vjehrri i Princit të Epirit. Por është njohur edhe si xhaxhai i Moisi Golemit të Dibrës, pjesëtar i Besëlidhjes së Lezhës dhe një nga gjeneralët më të aftë të Skënderbeut me detyrën e komandantit të rojeve kufitare.

Po pse, këto ishin vlerat e vërteta të një luftëtari si Gjergj Arianiti?

Edhe pse filmi artistik “Skënderbeu” nuk e lë pas dore figurën e Gjergj Aranitit, i cili ia lëshon me bujari pozicionin e tij djalit të Kastriotëve, si pasardhës, përsëri figura e tij mbetet e pa zbuluar. Për të dihen fakte të përgjithshme. Por pakkush është futur më në thellësi.

Skënderbeu nuk ka qenë një fenomen i shkëputur në historinë arbërore. Ai nuk vinte nga boshllëku. Madje Noli thotë se edhe princër të tjerë kishin arritur më parë t’i bashkonin shqiptarët në luftë kundër Perandorisë Osmane. Por më i dëgjuari është kohëshoku dhe vjehrri i Skënderbeut: Gjergj Arianit Komnen Topia Golemi.

Megjithatë, dihet se Gjergj Arianiti i bëri ballë i vetëm ushtrisë osmane. Në vitin 1432 Gjergj Arianiti thirret për t’i prirë revoltës popullore në një sërë kryengritjesh që kishin shpërthyer në vend. Në këtë kohë ai ishte 36 vjeçar. Gjergj Arianiti dhe ushtria e tij u ndesh me osmanët në Kurvelesh në 1433, ku i shkaktoi ushtrisë perandorake të parën disfatë në përballje me forcat arbërore. Mes viteve 1432-1434, Gjergj Arianiti korri fitore të njëpasnjëshme.

“Arianiti i Komnenit fitoi një lavdi të shkëlqyer, dyke bërë vepra të përkujtuarshme, dhe që ahere u bë njeri i dëgjuar. Fama e tij si mbrojtës i krishterimit kundër turqve u përhap ne to gjithë oborret e Evropës, hoqi vërejtjen e Evropës së krishtere mi Shqipërinë për herën e parë, dhe lartësoi emrin shqiptar në sytë e Perëndimit”, do të shkruante Fan Noli tek “Historia e Skënderbeut, që botimin e parë e ka në shtypshkronjën Dielli të Bostonit në vitin 1921.

Lexo edhe :  Konventa e PL-së, zbardhet agjenda, ndryshimet në statut dhe...

Në vitit 1944 Gjergj Arianiti u fut në Besëlidhjen e Lezhës që u mbajt në kishën e Shën Kollit dhe pas kësaj do të luftonte bashkë me Gjergj Kastriotin.

Gjergj Arianiti njihet me disa emra. Emrin e vërtetë e ka Aranit Komneni, por më së shumti njihet si Gjergj Araniti. Mirëpo ai ishte dhe Guljem Arianiti, ishte dhe Gjorg Golemi, por është njohur dhe me trajtën sllave të mbiemrit si Golem Arianit Komnenoviç. Në legjendat popullore e thërrasin Gjorg Golemi. Në bustin e tij të vendosur në qytetin e Librazhdit shkruhet: Gjorg Golemi Araniti. Ndërsa emri i tij i plotë në veprën e Nolit “Historia e Skënderbeut” sipas asaj që ai ka shkruar në origjinal është: Gjerq Arianit Komnen Thopia Golemi, që po sipas tij ishte princi i Kaninës, i Himarës, i Çermenikës dhe i Shpatit në jug.

Një referat i profesor Dhimitër Shuteriqit mbi këtë temë hedh edhe më shumë dritë. Por materialet për Gjergj Aranitin nuk mungojnë.

Në këtë mënyrë sot mund të themi pa drojë se nuk ka vetëm një, por dy Gjergja të mëdhenj: Gjergj Arianiti dhe Gjergj Kastrioti, por që gjerësish njihet historia e njërit prej tyre, e Gjergj Kastriotit.

Në fakt, zbulimi tërësor i historisë së Gjergj Arianitit nuk do ta zbehte aspak rolin e madh të Kryeheroit  Gjergj Kastriotit. Dhe kjo do t’u bënte shumë më tepër nder shqiptarëve. Sepse deri tani është folur për 25 vitet e qëndresës së Gjergj Kastriotit, kur më parë se ai të futej në rol si kryekomandanti i ushtrisë, një tjetër Gjergj do t’u bënte ballë hordhive osmane, me po aq trimëri, dhe pa u thyer asnjëherë për 35 vite me radhë. Dhe ishte Gjergj Arianiti.

Në një punim të tijin, “Gjorg Golemi, midis legjendës dhe historisë” studiuesi skrupuloz Dhimitër Shuteriqi thotë se: “Ka qenë një qëndresë e lavdishme 35-vjeçare, më e gjatë se ajo që udhëhoqi Gjergj Kastrioti, gati 25-vjeçare, në vitet 1443-1468… Dy ekspedita rresht kundër aranitëve i drejtoi vetë sulltani.”.

Prof. Franz Babinger, i universitetit të Munihut, që njihet dhe si autori i librit “Fundi i Arianitëve”, në një ligjëratë të tij shprehet: “Gjergj Arianiti, figura e të cilit duhet vû me të drejtë krahas me atê të dhandrrit të tij Gjergj Kastrijotit.

Deri tani, Gjergj Kastrioti mban titullin e madh të “Heroit Kombëtar”. Sheshi kryesor në Kryeqytetin e Shqiptarëve, Tiranë, por dhe në Prishtinë, mban emrin e tij. Në Krujë gjithashtu ka një monument madhështor kushtuar Gjergj Kastriotit. Në shumë qytete të Evropës dhe në Amerikë ka buste për nder të tij si dhe emërtime rrugësh.

Gjergj Araniti pothuaj nuk ekziston. Ndërkohë që ai meriton edhe një titull të lartë edhe një monument dinjitoz. Por ai përfaqësohet vetëm me një bust në qytetin e Librazhdit, meqenëse kjo trevë mendohet se ishte dhe qendra e zotërimeve të tij.

A është e drejtë kjo?

Përse të kemi vetëm një, kur mund të kemi dy Gjergja të mëdhenj? Përse të mos bëjmë përpjekje për ta lartuar emrin e Gjergj Arianitit, për të treguar se në luftërat mesjetare Arbërisë nuk i kanë munguar burrat trima dhe me mend, dhe se në këtë kuadër nuk jemi të përfaqësuar vetëm nga një njeri? Sepse realisht ne kemi më shumë se një të tillë dhe nuk kemi përse sforcohemi për të lartuar të paktën edhe një emër tjetër, siç bëjnë ato vende pa heronj, që u ngrenë monumente deri në qiell heronjve mite, sepse heronjtë e vërtetë u mungojnë.

 

Të fundit

Meta uron vjehrrën për ditëlindje: Edhe 100 pranvera Super Fatos, zonjës së hekurt

Ilir Meta ka uruar vjehrrën për ditëlindje. Ai ka ndarë një foto në Facebook me Fatime Kryemadhin, nënën e...

Derbi Tirana-Partizani/Fanatics-at “djegin” rrugët e kryeqytetit, nisin marshimin (Video)

Pak orë na ndajnë nga derbi kryeqytetas ku sonte në orën 19:00 luhet derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Sfida e javës së 33-të në...

Harroni takimet monotone. Ja disa ide për të zgjuar shkëndijat gjatë verës

Të gjithë e urrejnë rutinën! Sidomos në çift. Takimet e parashikuara janë armiku i shkëndijave dhe fluturave në stomak. Por, fatmirësisht me verën afër,...

Rrahën të miturin pasi pinë alkool, zbardhen detaje të reja nga ngjarja në Elbasan

Tre të rinj janë vënë nën hetim nga Policia e Elbasanit pasi mbrëmjen e së shtunës kanë kanë goditur me grushte dhe shkelma një...

Zvetënimi i teorive të konspiracionit në demokraci dhe Ilir Meta

Nga Ben Andoni Nuk ka orë, ditë të mos postohen e përcillen lajme për ish-presidentin dhe të ardhmen e fatit të Ilir Metës. Ka kaq...

Lajme të tjera

Web TV