Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në Facebook, shihet se si efektivët e policisë, me në krye drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, monitorojnë të gjithë zonën e bregdetit shqiptar.
Vetë Veliu shprehet se futja e qytetarëve në det është rreptësishtë e ndaluar, deri në një njoftim të dytë.
“Pas inspektimit të pikave të kontrollit në Gjirokastër dhe në Llogara, jemi në zonën e gjelbër. Për qytetarët e kësaj zone, fasha orare për lëvizjen nuk duhet keqpërdorur. Kjo mundësi e dhënë veç ndërgjegjësimit të qytetarëve do të monitorohet edhe nga Policia e Shtetit.
Qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm që kjo situatë stabël në zonat e gjelbërta të jetë në vazhdimësi, duke u dhënë mundësi zonave të tjera t’i shtohen kësaj skeme. Për të gjithë zonat e bregdetit ndalohet të futesh në det. Qytetarët të mos frekuentojnë plazhet deri në një urdhër të dytë që do përcaktojë si do të veprohet me plazhet,”- shprehet Veliu ndër të tjera.
Kujtojmë se Policia e Shtetit ka ngritur postblloqet në zonat e gjelbra për të ndaluar futje e qytetarëve nga zona të tjera, që janë të prekura nga Covid-19.