Katër viktima brenda 2 orësh; Policia ‘ngrihet në këmbë’, kontrolle në disa qytete

Pas një periudhe të gjatë dhe të qetë, Shqipëria është tronditur sot nga vrasjet e shumëfishta. Katër vrasje brenda 2 orësh janë regjistruar pasditen e sotme në Lezhë dhe në Durrës.

Kjo situatë ka vënë në alarm Policinë e Shtetit, e cila është vënë në gatishmëri maksimale dhe ka ngritur disa postblloqe. Postblloqet janë ngritur jo vetëm në Lezhë dhe në Durrës, por edhe në Tiranë dhe Fushë-Krujë.

Dy persona u gjetën të vdekur në një kodër në Lalm të vjetër të Lezhës. Ata u identifikuan si Kol Murrani dhe Preng Simoni, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Ndërsa në Durrës u ekzekutuan në një atentat dy vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia. Ata ishin duke lëvizur me makinë kur janë qëlluar me bershëri armësh, duke mbetur të vdekur në vend. Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka mbërritur në vendngjarje për të ndjekur nga afër hetimet.