Epidemia e koronavirusit ka bërë bashkë Ilir Metën dhe Edi Ramën duke miratuar me konsensus ndryshimet në Kodin Penal për shkelësit e karantinës. Përbetimet e 2 Marsit kundër mazhorancës u harruan nga presidenti dhe komisioni hetimor i PS-së për shkarkimin e tij po ashtu…
Po çfarë fshihet pas kësaj marrëveshje të re akoma nuk dihet; Nëse ajo është shtrirë dhe tek krijimi i Gjykatës Kushtetuese apo në një aleancë të re politike.
A do të ketë një pranverë të re në marrëdhëniet mes tyre dhe çfarë humbet Lulzim Basha nga një aleancë e mundshme Meta-Rama?! Flasin për gazetën Fjala Lorenc Vangjeli dhe Spartak Ngjela
Nga Blerina Gjoka
Nga dy zyrat më të rëndësishme të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u dhanë sinjale paqeje javën që shkoi; duke bërë bashkë në firmosjen e Kodit Penal që dënon shkelësit e karantinës, Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama.
Aq e beftë ishte kjo marrëveshje, në distancën prej pak metrash që ndan Presidencën nga Kryeministria, sa deputetët e mazhorancës së drejtuar nga Rama u gjetën të befasuar kur iu servirën ndryshimet ligjore për miratim të hartuara nga zyra e Presidentit.
Ata ngritën kartonët jeshilë si në një kor qorr dhe nisën të pyesin veten se çdo të bëhet me komisionin hetimor të ngritur për të shkarkuar kreun e shtetit?! Meta nga ana tjetër harroi përbetimet e datës 2 Mars në një podium të kuq para mijëra qytetarëve që iu bashkuan thirrjes së tij për mbrojtjen e Kushtetutës.
Por, pyetja që ngrihet për Metën është; A nuk u shkel Kushtetuta nga këto dispozita ligjore të reja? Ato u kritikuan nga Komisioni i Venecias, nga organizatat e mbrotjes së të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët i konsiderojnë si shkelje të Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut.
“Dënimet e propozuara në Kodin Penal për parandalimin e pandemisë “Covid-19” cwnojnë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve,”- thuhej në reagimin e përbashkët të 30 organizatave. Komisioni i Venecias në një opinion të përgjithshëm, duke cituar ligjet mbi “gjendjen e jashtëzakonshme” mbi masat që po marrin vende të ndryshme lidhur me pandeminë “Covid-19”, thekson nevojën për transparencë dhe zbatim të Kushtetutës.
“Kompetencat e “gjendjes së emergjencës” janë abuzuar nga qeveritë autoritare për të qëndruar në pushtet, për të heshtur opozitën dhe për të kufizuar të drejtat e njeriut në përgjithësi,” thuhej në opinionin e këtij komisioni ndërkombëtar, që aq shumë ia kanë besuar zgjidhjen e konflikteve së fundmi institucionet zyrtare të Tiranës.
Marrëveshje e re, apo paqe e përkohshme?!
Në politikën shqiptare nuk ka më asnjë çudi, aq më shumë kur bëhet fjalë për protagonistë të vjetër të saj si Edi Rama dhe Ilir Meta, që në 30 vite tranzicion kanë ditur të bashkëjetojnë e të ndajnë pushtetet dhe kanë luftuar deri në plumbin e fundit me njëri-tjetrin.
Në publik është përceptuar një marrëveshje e re politike e padeklaruar nga ky pajtim i beftë fill pas kërcënimeve të presidentit se do të shpërndante Kuvendin me 15 Mars, ndërkohë që vetë ndodhej nën një hetim parlamentar për t’u shkarkuar. Meta u kujdes që të mohonte një marrëveshje përtej asaj që u pa në dritën e diellit dhe tha se nuk ka ndryshuar qëndrimet karshi Ramës.
Sipas tij, “bashkëpunimi u bë për interesin publik”, ndërsa Rama nuk e fshehur kënaqësinë që i dha kjo marrëveshje që vjen “pas një konflikti jo fort të largët”, tha ai. Nga ana tjetër duket se kjo marrëveshje ka frikësuar opozitën, ku partia që Meta ka themeluar dhe që sot drejtohet nga bashkëshortja e tij, vijon të jetë në koalicion.
Pas më shumë se një viti që ka dalë nga Parlamenti duke djegur mandatet si një mënyrë për të delegjitimuar parlamentin pas daljes së përgjimeve për vjedhje të votave, opozita kishte gjetur një aleat të fortë tek presidenti, i cili e ka ushtruar të drejtën e tij duke mos dekretuar shumë ligje të mazhorancës dhe duke u futur në një betejë ligjore dhe politike me të për kandidatët e rinj të institucioneve të larta të drejtësisë. Por, pas votimit të 17 Prillit, opozita nuk e di më nëse ka akoma një aleat në Presidencë, apo do t’i duhet të përballet me një betejë më të dhimbshme për të ardhur në pushtet me kalimin e Metës në krahun tjetër.
Lorenc Vangjeli: Rama e Meta bënë gjënë e duhur në kohën e duhur
Të dy palët në këtë “shkëmbim” as fitojnë dhe as humbasin gjë, thotë analisti Lorenc Vangjeli për gazetën “Fjala”. Sipas tij kjo është një sjellje normale politike, ndërsa thekson se Meta e di se 2 Marsi nuk do të përsëritet më dhe se komisioni hetimor për shkarkimin e Metës është vetëm një teatër gjysëm qesharak sepse Rama nuk e dëshiron këtë gjë.
Pas një përplasje te gjatë institucionale Presidencë-Qeveri, por edhe personale Rama-Meta, kohwt e fundit, që me nisjen e pandemisë ka një afrim të dukshëm mes tyre. Ku kreu i shtetit Meta dekretoi ndryshimet në Kodin Penal. Pse ky ndryshim kursi?
Ky është rasti klasik që shpjegon sesi anormaliteti i përditshmërisë sonë është shndërruar në normalitet dhe anasjelltas. Që çdo akt e veprim normal ngjan si anormal. Çfarë ka ndodhur realisht që po bëhet kaq zhurmë, në mungesë edhe të një fabule tjetër politike për t’u diskutuar, sa kohë që vendi dhe gjithë bota janë nën flamurin e makthit të pandemisë? Maxhoranca voton një seri ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat kërkojnë të përshtaten figura të reja krimi në kushte të pazakonta. Një nga vendet e vetme në Evropë, që nuk i kishte këto ndëshkime. Duhet t’i kishte bërë më parë sepse politika fundja këtë mision ka: të ketë vizion dhe të parashikojë. Në këtë rast, të shfletonte legjislacionin ekzistues të vendeve të ndryshme evropiane, që të mos gjendej në situatë emergjence. Por ky nuk është mëkat i ri. Të gjitha qeveritë shqiptare veprojnë në kushte emergjence. Kujtohen për shiun vetëm kur përmbyt. Për zjarrin, kur djeg, për tërmetin kur bie, për thatësirën kur i duhet të mbajë sytë nga qielli. Qeverisjet shqiptare, të majta e të djathta, vuajnë nga “Sindroma e Studentit”, që kujtohet për provimin në minutën e fundit. Presidenti i Republikës shfrytëzoi ndjeshmërinë publike, nevojën reale, kundërshtitë e grupeve të interesit dhe afroi një paketë propozimesh, të cilat u pranuan nga maxhoranca. Dhe mbas kësaj, duke e konsideruar si të nevojshme ndërhyrjen në Kod, edhe e dekretoi. Kjo është mënyra normale e funksionimit të gjërave. Në jurisprudencë, shpesh procedura ka po aq vlerë sa dhe vetë produkti. Në këtë rast, në këtë kohë të jashtëzakonshme, hapësirat që politika ka për të lëvizur instrumentat ligjorë, janë në kufinjtë e normalitetit. Kritikët e të dy palëve u llahtarisën pikërisht nga kjo gjë: po bëhet politikë normale. Shqiptarëve në veçanti, por dhe njeriut në përgjithësi, ju nevojitet një armik i përbashkët për të qenë bashkë. Pandemia është një armik i tillë. Tmerri qëndron në tmerrin që provojnë dhe promovon shumëkush nga kjo lloj “paqeje”. Të gjithë ata që duan sherr dhe ulërima, ata që varësisht ngjyrës politike që preferojnë, sugjerojnë se i mirë është luftëtari i llogores dhe jo bashkëbiseduesi, instiktivisht kuptojnë një gjë të thjeshtë: pikërisht paqja dhe toni i ulët, dialogu dhe jo armiqësia, janë kritere normale të politikës. Normaliteti i nxjerr jashtë loje dhe ju ul vlerën vetjake siç nuk e ngrenë atë, dinjitetin domethënë, b.ekët e k.rvës.
Nesër Meta do të kthejë sërish ligje dhe do ta konsiderojë Ramën si të keqen e madhe të vendit. Do të veshë kostumin e zakonshëm të luftëtarit dhe kundërshtarët e Ramës do ta kthejnë pështymën në supë që e hanë pasi ta kenë ngrohur sërish. Do ta quajnë atë si “burr’ zotni”, kurse miqtë e Ramës do ta quajnë vetë Metën si një fatkeqësi politike, do t’i kujtojnë komisionin e gjithë CV-në e tij kontaverse politike. Por kjo nuk ndryshon të vërtetën e thjeshtë të këtyre ditëve: të dy ata, Rama e Meta, bënë gjënë e duhur në kohën e duhur! Se çfarë ndodh më pas, është tjetër histori. As njëri dhe as tjetri nuk i kanë vënë veshin frazës fantastike që Sali Berisha i ka thënë ish-presidentit Ramiz Alia në vitin e largët 1989: “Kurrë mos thuaj kurrë”! Të katër këta personazhe, Alia më i hershmi, Berisha, Rama e Meta kanë gabuar pikërisht sepse kanë thënë kurrë!
A do të thotë kjo një tërheqje përfundimtare e mazhorancës për shkarkimin e Metës dhe në “kthim nderi” Meta nuk do organizojë një 2 Mars të dytë?
E shtruar në këtë mënyrë, siç dhe është diskutuar kaq gjatë këto ditë, më ngjan shumë skematike dhe si një “allishverish” periferie: të jap gjysëm litri raki, më jep një kilogram e gjysëm hudhra dhe dy copa djathtë. Nuk funksionon kështu. Të dy palët në këtë “shkëmbim” as fitojnë dhe as humbasin gjë. E thënë me fjalë të tjera, edhe nëse Meta nuk dekretonte ndryshimet në Kod, Ramës nuk i prishej asnjë punë. Thjesht do t’i shtonte një element më shumë diskutimit të tij publik kur do të rishfaqej edhe njëherë si njeriu që i duhet, jo vetëm të shpëtojë Shqipërinë nga hallet, por dhe që duhet shpëtuar nga Meta e të tjerët që nuk e lenë të qetë në rolin e tij të shpëtimtarit. Presidenti nga ana tjetër e di që nuk ka një 2 Mars tjetër për një mijë e një arsye. As nën urat e Lanës nuk rrjedh dy herë i njëjti ujë. Asgjë nuk përsëritet në të njëjtën formë. Presidenti do të kishte bërë më mirë të kuptonte se ka beteja që fitohen duke u shmangur! Dhe se ka shkaqe betejash, të cilat kompromentohen pikërisht nga lloji i armëve që përdoren. Kurse kryeministri do të kishte bërë më mirë të mos digjte urat që i interesojnë për një trill batute. Të dy së bashku e dinë që komisioni hetimor është vetëm një teatër gjysëm qesharak për budallenjtë e ngeshëm. Gënjen e tall ata që ju duket e mençur pasqyra vetëm kur i dalin përballë për t’u krehur edhe në kohë pandemie. Për ta thënë ndryshe: njeriu më i painteresuar për shkarkimin e Metës si president, dje dhe sot, sot dhe nesër, është Edi Rama.
Kjo mund të jetë paqe e përkohëshme apo do kemi rikthim në gjendjen e mëparshme të tyre në betejën e hapur dhe përplasje të forta pas krizës së pandemisë?
Kush mendon se marrëdhëniet e Kryeministrit dhe Presidentit, janë marrëdhënie njerëzore gabon. Ato janë marrëdhënie interesi dhe pushteti. Rama dhe Meta, në çdo rast që interesi i pushtetit do t’iu kërkojë të sillen ndryshe, do ta detyrojnë në çast Edin dhe Ilirin që të ribëhen bashkë. Ata janë kuzhinierë të ngjalave, klientët që i porosisin dhe i hanë ato, janë tërësisht të tjerët.
Me kthimin e normalitetit do shfaqet domosdoshmërisht çështja e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese me anëtarët e tjerë. A pritet një “përplasje parimore” Meta-Rama, apo mund të ketë një marrëveshje që qeveria do mbajë “duart larg” kushtetueses, sidomos pas raportit paraprak të Komisionit të Venecias?
Në kohë të dëshpëruara, thonë se duhet të dëgjohet muzikë e gëzueshme, por në fakt, avazi i hershëm ballkanas: “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë e do të jetë”, do të luhet sërish në Tiranë. Pavarësisht se çfarë erërash fryjnë nga Venecia. Për ironi të fatit, në këtë rast, për ndryshimin vlen të besohet më shumë tek pandemia sesa “fisnikëria” përballë Kushtetutës në vend. Një e vërtetë e thjeshtë që nuk e thotë askush: ajo që shqiptarët kanë vendosur me referendumin e nëntorit 1998, Kushtetuta që premtonte se “Këtu fillon e ardhmja”, ka vdekur. E kanë vrarë stinë mbas stine të gjitha ndryshimet kushtetuese që i kanë bërë të gjithë bashkë. Secili nga ta, Nano e Berisha, Rama e Meta e bashkë me ta, edhe një turmë larushe deputetësh, një shumicë e të cilëve, me inteligjencën e kalit të një karrocieri ezmer, i kanë vënë gozhdë të rënda arkivolit të Kushtetutës.
Zgjedhjet me gjasë për shkak edhe të pandemisë do të zhvillohen në vitin 2021, nëse ka normalitet dhe rikthim të “marrëdhënieve të mira” Rama-Meta, a mund të flitet edhe për një bashkëqeverisje mes tyre pas zgjedhjeve të 2021-it? Gjithnjë nëse blloku opozitar nuk arrin shumicën?
Parashikimi i vetëm për atë që ka gjasa të ndodhë, është që askush të mos vejë asnjë bast për parashikimin. Pandemia e bëri një gjë të tillë me pothuaj gjithçka që përbënte rutinën e jetës së shoqërisë njerëzore. Askush nuk mund ta zgjidhë këtë rebus të së ardhmes edhe nëse Rama do të ishte në këtë rast Abraham Linkolni, nëse Meta do të ishte Sharl de Goli apo nëse Lulzim Basha do të vazhdonte të ishte Lulzim Basha. Njeriu që fati i dha gjithçka në jetë, por duke i mohuar të vetmen gjë që ëndërron prej vitesh: zyrën e kryeministrit. Sepse fati ndihmon vetëm të fortët dhe rruga drejt tij shkon vetëm nëpërmjet kalvarit të sakrificës.
Spartak Ngjela
Nuk ka qeverisje Rama-Meta, sepse
Meta do goditet nga antikorrupsioni
Avokati Spartak Ngjela analizon zhvillimet e fundit politike mes presidentit dhe kryeministrit, pas dekretit të kreut të shtetit të ndryshimeve në Kodin Penal. Për Ngjelën, kryeministri Edi Rama nuk duhet të kishte pranuar “sugjerimet” e Metës për zbutjen e ligjit që parashikonte denimë të ashpra për përhapësit me qëllim të sëmundjes.
Pas një përplasje të gjatë institucionale Presidencë-Qeveri, por edhe personale Rama-Meta, kohët e fundit, që me nisjen e pandemisë ka një afrim të dukshëm mes tyre, ku kreu i shtetit Meta dekretoi ndryshimet në Kodin Penal. Pse ky ndryshim kursi?
Nuk kuptohet se ka një pakt Rama -Meta, pyetja që bëni ju është kjo: pse Meta firmosi dekretin e amendamenteve të Kodit Penal? Çështja është kështu: Meta ndërhyri me amendimin e vet për të ulur masat e dënimeve, Rama e kuptoi, ia dha uljen e masave dhe ai firmosi dekretin për kalimin e ligjit. Ai që gaboi në këto momente është Rama, sepse ligji nuk duhej të ndryshonte, për faktin që përhapja e epidemisëështë krim i rëndë për shumë shtete të Europës deri në dënim me burgim të përjetshëm por, ajo që po shohim është që Rama pranoi uljen e masës së dënimit për nenet e Kodit Penal, por shpëtonte në të njëjtën kohë zvarritjen që do t’i bënte presidenti këtij ligji, dhe nga kjo kuptohet që Rama ka dashur që ligji të dalë sa më shpejt. Kjo është arsyeja që kuptojmë ne si moment kryesor në dekretimin që i bëri presidenti një ligji.
Duke u nisur nga ky arsyetim kuptohet se nuk ka ende një bashkëpunim midis Ramës dhe Metës. Por, a do vazhdojë procesi për shkarkimin e Metës?
Sigurisht që do të vazhdojë. Në shkarkimin e Metës nuk është vetëm dëshira e Ramës, por, kuptohet qëështë edhe politika e lartë Ndërkombëtare që nuk ia pranon Metës shkeljet dhe nonsenset që bëri në lidhje me kundërshtimin e Reformës në Drejtësi dhe sidomos në konfliktin për Gjykatën Kushtetuese. Meta nuk është sjellë si një president, por si një njeri, i cili kërkon të shkatërrojë shtetin për t’i shpëtuar goditjes antikorrupsion, e cila ndërkohë i ka filluar. Meta do të shkojë me këmbët e tij drejt gjykimit në Gjykatën Kushtetuese se është personi më i akuzuar dhe që i ka sjellë shumë dëme shoqërisë shqiptare. Do të fitojë gjyqin, apo nuk do të fitojë gjyqin kjo është çështje provash; por që do të dorëzojë të gjithë pasurinë e vënë në mënyrë të paligjshme kjo është e padiskutueshme: e mira e tij është të nënshtrohet për ta kaluar më lehtë.
Me kthimin e normalitetit do shfaqet domosdoshmërisht çështja e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese me anëtarët e tjerë. A pritet një “përplasje parimore” Meta-Rama, apo mund të ketë një marrëveshje që qeveria do mbajë “duart larg” kushtetueses, sidomos pas raportit paraprak të Komisionit të Venecias?
Gjykata Kushtetuese është kërkesë e domosdoshme, e cila ka marrë formën e kushtit nga Ndërkombëtarët. Ngritja normale e Gjykatës Kushtetuese është kërkesë që ka të bëjë me të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për anëtarësimin e saj në BE. Formimin e saj sa më të shpejtë nuk e ndalon dot as Rama, as Meta çfarëdo që të bëjnë. Gjykata Kushtetuese nuk do drejtohet në riformim, as nga Meta, as nga Rama, por nga procesi i vetingut dhe i Reformës në Drejtësi. Të gjithë anëtarët e rinj të saj duhet të kalojnë procesin e vetingut dhe të garancive të mëtejme për personalitetin e tyre, por ky është një proces që deri tani nuk është drejtuar nga shqiptarët, por nga Ndërkombëtarët. Fakti që deri tani është drejtuar nga Ndërkombëtarët dhe po të vazhdojë kështu, as Rama dhe as Meta nuk kanë ndonjë gjë në dorë për të deformuar personalitetin e Gjykatës së ardhshme Kushtetuese. Ky është mendimi në lidhje me pyetjen e gjatë që bëni, dhe deri tani kjo është e vërteta. Kështu siç janë renditur gjërat në Shqipëri ne nuk kemi forca të ndershme në drejtim, që të duan më shumë shtetin se abuzimin e tyre. Korrupsioni i lartë shqiptar nuk është një fenomen sporadik, por një fenomen mbarëkombëtar që ka lindur dhe ështëkonsoliduar në strukturë nga tre ose katër qeveri të korruptura që kanë ardhur rradhazi deri tani në Shqipëri. Nëqoftëse Ndërkombëtarët do të drejtojnë me dorë të fortë antikorrupsionin qeveritar në Shqipëri, tani që po pastrohet pushteti gjyqësor, dhe në atë nivel siç drejtuan me forcë antikorrupsionin në gjykatë, mendojmë se shoqëria shqiptare do të shpëtojë nga një zgjedhë njëqind vjeçare. Kjo është shpresa jonë, dhe unë kësaj i qëndroj, sepse nuk kam parë që politika amerikane dhe politika e Bashkimit Europian të kenë tërheqje në këtë aspekt, përkundrazi, ambasadorja amerikane edhe në një kohë pandemie nuk qëndron në heshtje për avancimin e reformës antikorrupsion në Shqipëri- këtë e kanë parë të gjithë.
Zgjedhjet me gjasë për shkak edhe të pandemisë do të zhvillohen në vitin 2021, nëse ka normalitet dhe rikthim të “marrëdhënieve të mira” Rama-Meta, a mund të flitet edhe për një bashkëqeverisje mes tyre pas zgjedhjeve të 2021-it? Gjithnjë nëse blloku opozitar nuk arrin shumicën?
Zgjedhjet në vitin 2021 nuk i kemi caktuar ne, janë kushtetuese; kush ka mendur se do kishte zgjedhje të parakohshme ka qenë naiv. Kjo situatë juridike deri përpara pandemisë ka qenë e drejtuar sidomos nga politika amerikane, dhe më pas edhe ajo e BE-së dhe Gjermanisë. Asnjë shans nuk mund të ketë për një qeverisje Rama – Meta, sepse Meta do goditet nga antikorrupsioni, si një gjë e sigurt, çfarëdolloj manovre që ai mund të bëjë. Ekzistenca e vijueshme e Metës në drejtimin e shoqërisë shqiptare do të ishte shkatërrimi i Shqipërisë –prandaj, kjo kurrë nuk mund të ndodhë. Po Rama? Rama ka një provë të madhe përpara që është pandemia. Nëqoftëse këtë situatë do ta nxjerrë me sukses, por do të arrijë edhe të mos lejojë destabilizimin e ekonomisë shqiptare, atëherë do të fitojë “kredo” edhe ndërkombëtarisht, pavarësisht që edhe ndaj tij ka dyshime të mëdha për korrupsion. Pyetja juaj është që: a do vazhdojë korrupsioni shqiptar të drejtojë Shqipërinë nëpërmjet një marrëveshje të re qeverisëse mdis Ramës dhe Metës? Kjo është pamundësi absolute se Meta nuk do të vazhdojë më dhe nuk do të jetë juridikisht i pranueshëm në zgjedhjet e vitit 2021. Për Ramën do të ketë dy kushte: kushti i parë është ai që përmendëm më lart, dhe kushti i dytë është: a mund t’i fitojë dot zgjedhjet e vitit 2021 në një shoqëri të lodhur nga varfëria dhe kriza që ka krijuar ajo klasë politike në 30 vjet?