100 mijë punëtorë para Enverit në 1 maj

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rrëfimi i Muharrem Xhafës, ish-shefi i propagandës në KQ të PPSH-së. Organizimi i festës së klasës punëtore ku para tribunës brohorisnin 100 mijë vetë

 Leonard Veizi

1 Maj. Në kalendar është e shënuar me të kuqe… pushim. Dita e solidaritetit ndërkombëtar të punëtorëve në Shqipëri vazhdon të jetë krejt e pakuptimtë, festë dhe protestë së bashku. Po më së shumti duket si një mundësi për t’u shtruar këmbëkryq në sofrën e drekës ku mund të hash mish e të dendesh me birra. Reminishencë mbetur nga e shkuara. Gjithsesi për disa organizma të tjerë, si partitë e së majtës ekstreme dhe një pjesë e sindikatave, e njëjta ditë është një mundësi legjitime protestash. Muharrem Xhafa, i cili para viteve ’90 ka drejtuar sektorin e propagandës në Komitetin Qendror, ka rrëfyer se si për 15 vjet me radhë ai dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të tij organizonin manifestimin e 1 Majit, ku në tribunën e kuqë në ballë të selisë qeveritare, dilte Enver Hoxha.

 Manifestimi apo protestë

Në rrëfimin e tij Xhafa thotë se Partia e Punës e Shqipërisë e vlerësonte ditën e 1 Majit si ditën e solidaritetit ndërkombëtar të punonjësve, ndaj sipas tij në socializëm kjo ishte ditë feste, sepse demonstroheshin arritjet e një viti. “Manifestohej me gëzim dhe nuk kishte policë e xhandarë që dhunonin njerëzit. Ndërsa në kapitalizëm, kjo është dita e protestave. Nga qeveria kërkohet punë, jetë më e mirë, më shumë liri e siguri, por që nuk i jepen popullit. Në vitet e socializmit kjo ishte një festë e organizuar. Dikush mund të thotë se “i nxirrnin me zor. Ky është një shtrembërim i madh, sepse askush nuk i impononte njerëzit. Por në atë kohë kishte një garë se kush do të shkonte i pari në këtë manifestim. U mbetej qejfi kolektivave punonjëse e kuadrove të shtetit e të partisë, po të mos caktoheshin në kuadratet e parakalimit. Mirë ata që shkonin të organizuar, po 100 mijë njerëz të tjerë, që dilnin anash bulevardit me fëmijët dhe lulet në duar, kush i detyronte? Shumë kuadro kur parakalonin përballë Enver Hoxhës gjallëroheshin që të binin në sy. Por edhe Enveri vetë i shihte dhe me  memorien e tij të hekurt i fiksonte dhe i mbante mend, madje i përmendte nur na takonte pas manifestimit”, është shprehur ish shefi i propagandës në Komitetin Qendror.

 Parakaluesit e  djeshëm, sot politikanë

Ata që deri dje kryesonin kuadratet e manifestimit pas viteve ’90 u futën në Parlament. “Liderët e sotëm të politikës të “nxirrnin sytë”, po të mos vendoseshin në krye të kuadratit. Do të ishte mirë që çdo 1 Maj këta politikanë e disa gazetarë, të mbronin interesat e klasës punëtore. Një herë e një kohë, po të mos dilnin në manifestime të tilla, bëhej nami. Dilnin me portrete të Enver Hoxhës në duar. Tundnin parullat: “Rroftë PPSH”, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”. Sot, as që duan t’ia dinë se ç’bëhet për popullin”. Sipas ish shefit të propagandës në Komitetin Qendror në këtë manifestim të madh popullor Enver Hoxha dilte pa jelek antiplumbi në tribunë. Ai rruhej vetëm nga disa shoqërues. “Ishte populli ai që e mbronte. Në manifestimet e 1 Majit nuk na ka ndodhur as incidenti më i vogël, pasi organizimi ishte perfekt”. thotë Muharrem Xhafa.

Parapërgatitjet

Përgatitjet për manifestimin 2-orësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, fillonin që një muaj më parë. Ish-shefi i propagandës në Komitetin Qendror të PPSH-së, Muharrem Xhafa thotë se në drejtim të KQ vinin shumë kërkesa e ankesa nga drejtues ndërmarrjesh, kuadro të lartë të partisë e shtetit, që këmbëngulnin të parakalonin përpara tribunës së udhëheqjes. Shumë të tjerëve u mbetej hatri, nëse nuk u jepej mundësia të tregonin në sytë e udhëheqjes se sa të devotshëm ishin. Ndërsa të tjerë futnin ndonjë mik, vetëm e vetëm që të ishin të pranishëm si parakalues në krye të kuadrateve. Nëpërmjet zyrës së propagandës së aparatit të KQ, duhej të kalonte nëpër filtër gjithçka kishte të bënte me një organizim gjigant, ku përpara drejtuesve të lartë komunistë duhej të parakalonin që nga veteranët e luftës, kolektivat punonjëse, artistët e valltarët, studentët e nxënësit e shkollave të mesme, trupat ushtarake të armatës shqiptare e deri tek fëmijët. Nëpërmjet kësaj zyre fiksoheshin dhe se cilët do të ishin personat, që do të çonin lulet tek drejtuesit kryesorë të partisë e të shtetit. Po gjithashtu fiksoheshin pankartat që do të mbaheshin në duar, si dhe pjesa e parullave që do të hidheshin në drejtim të tribunës. Pikërisht më 1 Maj, ditën e solidaritetit të punëtorisë, drejtorët e ndërmarrjeve të mëdha, instruktorët e partisë, oficerët e shërbimit sekret, edhe ata të organizuar në mënyrë vullnetare, do të ishin nëpër vendet e tyre që në orët e para të mëngjesit. Parakalimi ceremonial fillonte në orën 10.00, por në orën 06.00 të mëngjesit të gjitha rrugët që të çonin për në sheshin qendror ishin të kontrolluara.

Lexo edhe :  Berisha flet për mosbindjen civile: Çliruam Tiranën për tre orë

 Organizimi

Ai ka qenë në krye të kësaj pune për 15 vite me radhë duke qenë në këtë mënyrë dhe njohësi më i mirë i këtij organizimi. Në shpjegimet e tij Xhafa thotë se manifestimi hapej me kuadratin e flamurtarëve. Pastaj vinin kuadratet e minatorëve (të kromit, bakrit, hekurit, qymyrgurit), vazhdohej me kuadratet e metalurgëve dhe pas tyre punonjësit e energjetikës. Më pas vinin kuadratet e industrisë së lehtë dhe ushqimore, për të vijuar me kuadratet e punonjësve të shërbimeve (tregtisë, shëndetësisë e komunales). Manifestimi vazhdonte me kuadratet e bujqësisë e blegtorisë. Vinin kuadratet e rinisë vullnetare, (ata që merrnin pjesë në hekurudha, brezare e hidrocentrale). Pastaj kuadratet e shkollave të mesme dhe rinia studentore. Më pas vinin të paktën 10 kuadrate ushtarakësh të të gjitha armëve, por me armatime të lehta në krahë. Pas tyre vinte një kudrat shumë i madh me pionierë ku bëhej një spektakël i vërtetë e këndohej Internacionalja. Në fund manifestimi mbyllej me kuadratin e artit (Radio, TV, Kinostudio, Opera, Baleti, Shtypi e Teatri) ku në bulevard para tribunës hidheshin valle me kostumet e të gjitha trevave dhe këndohej nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve. Rreth 100 mijë veta parakalonin në 1 Maj përballë tribunës ku ishte Enver Hoxha, Byroja Politike, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri si dhe shumë të ftuar që vinin nga shumë vende të botës dhe që ishin përfaqësues të partive marksist-leniniste. Ky manifestim transmetohej dhe si lajm nga shumë stacionet televizive të botës.

Muharrem Xhafa

 Protagonistët

Gati në të gjitha rastet organizimet e 1 Majit kishin pak a shumë të njëjtët protagonistë. Sipas Xhafës, shumë persona të djeshëm, sot ndodhen në forca të ndryshme politike. Ai shton se pikërisht këta njerëz sot e shohin 1 Majin dhe klasën punëtore me një sy tjetër, pasi në të vërtetë ata bëjnë politikën e kapitalizmit. Xhafa shprehet se në asnjë rast nuk detyrohej njeri të duartrokiste sa t’u dhembnin duart e të thërrisnin “Parti-Enver” me sa fuqi që kishin. E në këtë rast “vigjilentë” dhe “iniciatorë” të shpërthimeve frenetike, bëheshin pikërisht ata drejtues, që Xhafa thotë se sot i sheh të mbajnë fjalime kundër socializmit e pushtetit popullor në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, apo të mbrojnë të drejtat e ish-të persekutuarve, të cilët i patën dënuar vetë. “Me pjesën e entuziazmit merreshin edhe disa të tjerë, që sot e mbajnë veten për “disidentë”, shprehet ish-shefi i propagandës së KQ. Xhafa thotë se ndihmonin fort në mbarëvajtjen e manifestimit të 1 Majit edhe disa gazetarë, që përgatitnin atmosferën nëpër gazeta dhe që bënin gati skenarët plot patos, që përcilleshin me emocion nëpërmjet radios dhe televizionit. Të gjithë këta personazhe merrnin asistencën në zyrat e PPSH-së, që gjithçka që do të paraqitej përballë tribunës së udhëheqjes, të ishte brenda normave të moralit socialist. Ata interesoheshin me devotshmëri, që kuadratet që kishin nën mbikëqyrje të rezultonin sa më entuziastë. Për të gjithë këta, ish-shefi i propagandës së KQ, thotë se u shkon për shtat një shprehje e cituar nga Havel që thotë: “Njerëzit më të rrezikshëm janë antikomunistët ish-komunistë”.

Në Shqipërinë socialiste, parakalimet me rastin e 1 majit vazhduan për vite me radhë. 1 maji i vitit 1989 ishte organizimi i fundit ku klasa punëtore e organizuar në kuadratet e zakonshme parakaloi përpara Ramiz Alisë, asokohe Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së.

Tirane.1 Maj.83.- Nga e majta ne te djathte Ramiz Alia, Enver Hoxha dhe Adil Çarçani

Të fundit

Gonxhja: Mbi 100 operatorë ekonomikë të regjistruar në OBP, në 20 ditë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e vlerësoi sukses të risisë së Operatorit të Blerjeve të Përqendruara...

Përse Britania e shpalli “non grata” Sali Berishën? Flet ambasadori Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Abbott, i ftuar në një intervistë televizive ka komentuar çështjen e shpalljes “non grata” të Sali...

Dëbora shkakton problematika në Kosovë/ Bllokohen një pjesë e rrugëve

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë njofton se pas reshjeve të borës, rruga Pejë-Kullë është e pakalueshme për automjetet e rënda. Sipas përditësimit të...

“Çmime utopike”/ Kur gjermanët nuk blejnë dot dhuratat e Krishtlindjeve

14 milionë njerëz në Gjermani konsiderohen të varfër, kurse për një pjesë paratë nuk kanë rëndësi. Kontrasti bëhet i dukshëm sidomos tani në ditët...

Monedhat e huaja në rënie/ Kursi i këmbimit, 25 dhjetor 2024

Sot, më 25 dhjetor 2024, në tregun valutor, dollari amerikan blihet me 94 lekë dhe shitet 95.2 lekë. Euro sot blihet me 98 lekë, ndërsa...

Lajme të tjera

Web TV