Vetëm në periudhën e karantinës prej 51 ditësh, humbën vendin e punës 61 mijë persona, duke shtuar edhe 160 mijë të papunë të deklaruar me parë, në total rezultojnë 221 mijë të papunë, një shifër që konsiderohet dramatike.
Sektorët më të dëmtuar dhe si mund të dilet nga kriza. Flasin për Gazetën “Fjala” Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Ornela Liperi, eksperte e ekonomisë. Qeveria: Përfituan: 100 mijë punonjës pagë 26000 lekë; 46 520 biznese me xhiro nën 14 milionë lekë; 11990 punonjës kaluan në ndihmë direkte me pagën 40000 lekë.
Nga Silvana Tresa
Pas 30 viteve demokraci, vendi po përjeton krizën më të rëndë financiare, e dyta përgjatë këtyre viteve, pas asaj të firmave piramidale në vitin 1997.Që prej mbylljes së vendit për shkak të pandemisë ka ardhur momenti që të bëhet “bilanci i luftës”, që pas 51 ditëve karantinë ka shkaktuar humbje të mëdha financiare dhe rritjen e numrit të papunëve.
Edhe pse qeveria shqiptare ka akorduar paketën e dytë financiare për t`u ardhur në ndihmë individëve dhe bizneseve, duket se shuma prej 40 mijë lekësh të reja është një ndihmë momenti për të kapërcyer krizën e ditëve të sotme, por ekonomia ka nevojë për një politikë më makro, e cila gradualisht duhet të nxjerrë nga kolapsi ekonominë.
Deri më tani qeveria ka vepruar me një skenar “kursimi” duke e mbajtuar dorën disi shtrënguar, për shkak se askush nuk e di sa mund ta zgjasë pandemia dhe kur mund të rinisë aktiviteti normal, për aq sa mund të konsiderohet normale. Deri më tani qeveria ka dalë me dy paketa ekonomike si ndihmë të menjhershme që kanë lehtësuar disi biznesin dhe ekonominë e familjeve, por për biznesin konsiderohet e pamjaftueshme.
Nikolin Jaka: Biznesi në kolaps, të shtyhen edhe 3 muaj pagesat e kredive
Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka në një analizë të thelluar për gazetën “Fjala” mbi situatën ekonomike gjatë pandemisë së koronavirusit. Ai rendidit sektorët që janë më në vështirësi, duke nisur nga turizmi, baret, restorantet dhe fasoneritë.
Tre shtyllat kryesore të punësimit në vend janë dëmtuar jo vetëm për ditët e karantinës, por edhe për të ardhmen. Një nga mënyrat për një ringritje të ngadaltë të ekonomisë sipas propozimit të Dhomës së Tregtisë është shtyrja 6-mujore të pagesave të kredisë, pasi ndjehen të kërcënuar në një situtë të tillë ku bizneset nuk po e ushtrojnë aktivitetin e tyre me kapacitet të plotë.
Jaka tërheq vëmendjen se brenda garancisë sovrane, të dhënë në formën e një fondi prej 11 miliardë lekësh nga qeveria shqiptare nuk është përfshirë sektori bujqësor, që përbën një ndër sektorët parësor të ekonomisë së vendit, duke parë si nevojë akordimin e një pakete të tretë, e cila të jetë e dedikuar vetëm në mbështetje të ekonomisë prodhuese, siç janë prodhimi industrial, bujqësor dhe turizmi.
- Jaka si e keni parë ju vendimin e BSH-së për pezullimin e pagesës së këstit të kredive për një periudhë tremujore, dhe a mendoni se kjo po jep rezultat?
Natyrisht që sipërmarrja e vlerëson urdhrin e përbashkët të Kryeministrit dhe Gurvernatorit të BSH për riskedulimin e kësteve të kredisë që ka hyrë në fuqi më datë 17 mars dhe do zgjasë deri më 31 maj 2020. Sipërmarrja e vlerëson dhe e përkrah këtë lehtësi, pasi konsiderohet një proces që bën të mundur riskedulimin e detyrimeve që kanë kredimarrësit, por jo faljen e tyre.
I gjithë ky proces, mbetet në dorën e bankave të nivelit të dytë, për të operuar me shpejtësi për riskedulimin e këstit të kredisë, pasi gjendemi në një situatë kur pandemia vazhdon, dhe biznesi nuk operon me kapacitet të plotë. Në një situatë të tillë jo vetem biznesi ndjehet i kërcënuar, por edhe edhe vetë bankat e nivelit të dytë.
Jemi ende shpejt për rezultate konkrete. Pasi bankat e nivelit të dytë, kanë filluar procesin e kontakteve me bizneset, dhe jane ende në proces vlerësimi të situatës reale. Disa prej tyre mendojnë se ky proces do të shtrihet përtej 2 muajve. Procesi i ristrukturimit mund dhe duhet të shtrihet përtej muajit maj, nisur nga fakti se parashikimet e sakta rreth zgjatjes në kohë të pandemisë COVID-19 nuk dihen.
Nga informacionet që kemi, psh.Intesa Sanpaolo Albania (duke ndjekur një qasje të ngjashme të aplikuar në Itali nga Grupi Intesa Sanpaolo), ka vendosur në mënyrë autonome të zgjasë të ashtuquajturën “periudhë pezullimi ose moratorium” deri më 31 korrik, pasi në varësi të situatës bankat dhe klientët duhet të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për një periudhë afat të gjatë.
Mendojmë se zgjidhja do bëhet rast pas rasti, duke parë dhe vlerësuar realisht situatën e çdo klienti dhe biznesi, dhe duke ofruar masa lehtësuese. Vleresohet se rreth 40 për qind e kërkesave për ristrukturim, janë përtej afatit 3-mujor, e përkthyer në një volum portofoli mund të shkojë deri në 15-20 për qind.
Mbi 60 për qind e kërkesave, janë në situatën e pezullimit të përkohshëm të aktivitetit apo të ardhurave, që do të prekë aktivitetin tregtar në një periudhë përtej majit të këtij viti. Ka që tani kërkesa për shtyrje 6-mujore të pagesave të kredisë, apo dhe kreditim shtesë për të qenë korrekt me detyrimet operacionale, kur aktiviteti preket, dhe kur ka vonesa në arkëtime veçanërisht nga kompanite eksportuese, si rrjedhojë e veshtirësive nga tregu global.
A mendoni se ka qenë i mjaftueshëm fondi prej 11 miliardë lekësh, i dhënë si garanci sovrane, dhe që u është vënë në dispozicion bizneseve për të marrë kredi për të paguar e punonjësit, dhe sa efikas ka rezultuar deri më tani?
Kjo është një mase pozitive për të mbështetur me garanci sovrane në banka për kredi për biznesin e madh me xhiro mbi 14 milionë lekë. Garancia sovrane me 150 milionë dollarë, që po përdoren për kredi për mbulimin e pagave të punonjësve, kapitalin qarkullues, dhe nevojat për likuiditete.
Deri më sot, nuk kemi të dhëna për ndonjë kompani që mund të ketë përfituar nga skema e garancisë. Skema ka shumë burokraci, rregulla loje të paqarta, interpretime të ndryshme, që lënë shteg për vonesa proceduriale, dhe për rrjedhojë edhe refuzime të shumta.
Sipas VKM përkatëse të garancisë shtetërore, kushtet e renditura janë të tilla, që lejojnë interpretime të ndryshme. P.sh, bankave u kërkohet të japin kredi duke aplikuar standardet e tyre vlerësuese. Gjithashtu aplikimi trajtohet si një aplikim i një kredie normale. Brenda garancisë sovrane, konstatojmë se nuk është i përfshirë sektori bujqësor, që përbën një ndër me sektorët parësor të ekonomisë së vendit.
Gjithashtu, garancia sovrane duhet të mbulojë në mënyrë specifike kompanitë eksportuese, të cilat janë shumë të ekspozuara ndaj zhvillimeve të tregut evropian dhe më gjerë, dhe që vuajnë shumë sot nga mungesa e likuiditetit. Eksporti duhet të jetë vemendja dhe përqëndrimi kryesor nga ana e qeverisë, dhe ka një rëndësi jetike për ekuilibrin makroekonomik të vendit. Ai duhet të rigjallërohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në këtë situatë që paraqitet ekonomia e vendit sa kohë do t’u duhet sipermarrësve ta rikthejnë kredinë, edhe pse është me normë interesi të ulët, për sa kohë vendi po vazhdon të jetë i kushtëzuar prej pandemisë, dhe ushtrimi i biznesit vazhdon të jetë tepër i vakët?
Sipas statistikave që disponojmë janë rreth 61 mijë persona të cilët kanë humbur vendet e punës për periudhën 2 mujore mars- prill. Në një kohë kur ende nuk e dimë se sa do zgjasë pandemia, është shumë e vështirë të japësh afate kohore, se kur mund të rivendoset situata për ecurinë normale të ekonomisë, që biznesi të vihet në efiçencë me kapacitet të plotë.
Për rrjedhojë, edhe pagesa e kësteve të kredisë do të ketë nevojë të shtyhet për një periudhë më të gjatë kohore nga afati i përcaktuar në urdhrin e përbashkët të Kryeministrit dhe Guvernatorit të BSH, për të cilën bankat e nivelit të dytë në bashkëpunim me kompanitë, jane ende në proces vlerësimi dhe riskedulimi të pagesës së kësteve të kredive.
Sot, po t’i referohemi në veçanti kompanive që operojnë në sektoret e industrive prodhuese, po punojnë poshtë kapaciteteve të tyre, në nivelet që nuk e kalojnë 30-40 për qind. Gjithsesi, është tashmë e qartë se ekonomia reale në Shqipëri ka nevojë për mbështetje të menjëhershme. Për këtë nevojitet patjetër një paketë e tretë, e dedikuar vetëm në mbështetje të ekonomisë prodhuese (për prodhimin industrial, bujqësor dhe turizmin).
Kjo paketë duhet të ketë 2 elementë kryesorë: mbeshtetjen finaciare dhe komponentin fiskal. Në rrafshin fiskal, të gjitha detyrimet fiskale të biznesit të prekur (p.sh kur preket mbi 50 për qind e xhiros nga pandemia), duhet të riskedulohen në vitin 2021. Kjo do t’u japë mundësi kompanive të marrin frymë, dhe të menaxhojnë atë pak likuiditet që kanë. Në çdo rast, këto biznese do të jenë në pamundësi të kryerjes së pagesave.
Deri më tani qeveria shqiptare, ka dhënë paketën e dytë financiare prej 40 mijë lekësh, që mbulon periudhën prill-qershor 2020. A do të ndikojë kjo paketë për të shmangur kolapsin ekonomik?
Paketa e re e qeverisë, është e mirëpritur nga biznesi. Ajo përpiqet që të mbulojë kryesisht anën sociale të punonjësve duke mbuluar një numër të konsideruar prej rreth 170 mijë punonjës. Sigurimi i një page të tillë, padyshim mund dhe do të shërbejë edhe si oksigjen për tregun e konsumatorit.
Zbatimi me shpejtësi i një masë të tillë, është një ndihmë vërtet e madhe, edhe për vetë bizneset, por gjithmonë kjo konsiderohet më shumë si një masë sociale, pasi ekonomia ka nevojë për mbështetje të mëtejshme financiare për të shpëtuar nga kolapsi ekonomik. Po i krijohet edhe mundësi bizneseve që të marrin një kredi.
Në këtë situatë, industritë prodhuese siç janë kompanitë në fushën e fasonëve dhe eksportuese në përgjithësi, të cilët konsiderohen si më të prekurit nga pandemia, kanë një faturë shumë të lartë të TVSH-së të kredituar. Ajo që mund të bëhet për bizneset eksportuese, është që TVSH-ja e kredituar të mos t’i rikthehet menjëherë, por të shkojë në kompensimin e pjesës ë detyrimeve mujore që ato kanë ndaj shtetit.
Edhe pse realisht keto biznese, nuk punojnë me kapacitetin e tyre të plotë, deri në rreth 30-40 për qind, duhet të pranojmë se shpenzimet fikse i kanë sërish të barabarta me 100
për qind të kapacitetit, duke shtuar këtu edhe kostot shtesë për zbatimin e protokollit te shëndetësisë për situatën. Një masë tjetër lehtesuese, mund të jetë riskedulimi i pagesës së akcizës, detyrimet ndaj shtetit që paguajnë sipërmarrjet prodhuese. Të krijohet mundësia që ajo të paguhet një muaj pas shitjes se mallit, dhe jo në momentin që sapo është grumbulluar.
Gjithashtu diferenca e TVSH-së së produkteve bujqësore, po vazhdon të kthehet në një problem. Dhe jo një problem vetëm për fshatarësinë, jo vetëm për biznesin, por edhe për qytetarët.
Cili sektor do ta vuajë më shumë krizën?
Sektorët më të prekur dhe të goditur në ekonominë e Shqipërisë do jenë:hoteleri-turizmi, shërbimet tregtare (bar-kafe, restorante), sektori i argëtimit, por dhe fasoni, kryesisht në vijim të modifikimit të fortë që pritet të pësojë kërkesa për mallrat nga porositësit, si pasojë e rënies së pritshme të fuqisë blerëse, kryesisht në Europë, ku është dhe tregu më i madh i eksporteve shqiptare të këtij sektori.
Po ashtu do dëmtohet edhe sektori i bujqësisë, për rrjedhoje edhe agroindustria, që e sheh veten tejet në disavantazh, dhe thuajse në kufijtë e mbijetesës nga pamundësia për të sjellë pranë tregjeve të mëdha produktet dhe nënproduktet e këtij sektori.
Gjithashtu, edhe transporti mbetet ndër sektorët më të goditur, dhe që ka pësuar humbje të pallogaritshme, qoftë ai ndërqytetas, qoftë ai ndërkombëtar. Mbyllja e kufijve, ka krijuar jo pak probleme dhe me dërgesat e emigrantëve, dhe me vetë qarkullimin e mallrave në rrugë private. Duhet të kihet parasysh, se një pjesë e qarkullimit të mallrave realizohet privatisht nga vet qytetarët, dhe një bllokim i tillë ka krijuar jo pak probleme dhe vështirësi për vetë qytetarët.
Çfarë strategjish do të ishin më efikase për zbutjen e krizës?
Edhe qeveria shqiptare ka miratuar tashmë një paketë shpëtimi, madhësia e së cilës duhet vlerësuar në kontekstin e mundësive dhe kapaciteteve që ka qeveria, në drejtim të ofrimit të një mbështetje të madhe financiare, nisur kjo dhe nga fakti që Shqipëria vinte nga pasojat jo të pakta shkatërrimtare të tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit 2019.
Aq më tepër, duke pasur në konsideratë nivelet e borxhit publik, dhe hapësirat që ka buxheti i shtetit për të gjeneruar të ardhura dhe emetuar borxh të ri, paketa mund të konsiderohet pozitive në kushtet aktuale. Por ajo ka vend për përmirësime dhe plotësime në vijim.
Dhe ndoshta hartimi i saj duhej bërë në një konsultim edhe më të ngushtë me komunitetin e biznesit, për të identifikuar më mirë dhe për t’ju përgjigjur më me efikasitet nevojave urgjente që kanë të gjithë grupet e interesit të prekur më rënda nga kriza e pandemisë së COVID-19.
Strategjia më e mirë që duhet të ndiqet, është që në mënyrë të pashmangshme disa sektorë do të duhet të ridimensionohen dhe riformatohen, në konceptin e ndërtimit të një strukture të tillë biznesi, që do të jetë e aftë të përballojë të kolapsin në mjedisin ekonomik, sidomos duke u përqëndruar në sektoret si turizmi, industria e argëtimit, udhëtimeve, sigurimeve etj.
Sektori prodhues dhe sidomos bujqësia, do të vijojnë të mbeten sektorë jetikë, dhe madje roli i tyre në situata të tilla vjen dhe përforcohet. Nevoja për një paketë të tretë, e cila duhet të jetë ekskluzivisht në shërbim të biznesit, për sa i përket injektimit të likuiditetit, sidomos për shpenzimet e qarkullimit të këtyre bizneseve që mund të mbahen në këmbë, dhe të funksionojnë minimalisht.
Mbase duke u pasuar nga 3-mujori i katërt i vitit me disa politika sektoriale, me politika më të thella strukturore për të nisur procesin e ringritjes së ekonomisë dhe funksionimin normal të saj. Përveç këtyre, sipërmarrja kërkon nisur nga situata që është duke përjetuar si rezultat i masave shtrënguese dhe zgjatja në kohë e këtyre masave, si dhe nga fakti që ekonomia shqiptare është e brishtë për të përballuar këtë situatë të krijuar, dhe që të lehtësohen sado pak vështirësitë që po kalon biznesi, është e domosdoshme që të zbatohet një paketë financiare kurajoze nga qeveria shqiptare.
Nga këndvështrimi i NVM-ve (ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme), të gjitha këto masa janë të mirëseardhura, por është e rëndësishme që ato të jenë të arritshme përmes një procesi të lehtë administrativ. Nëse huatë, grantet dhe garancitë kërkojnë aplikime të hollësishme, kjo mund të jetë një pengesë, veçanërisht për ndërmarrjet më të vogla, të cilët e shohin veten më të goditur.
Njëkohësisht ne kërkojmë pagesë të plotë të pagës për punonjësit e bizneseve të mbyllura; eleminim të të gjitha detyrimeve fiskale për biznesin e vogël, dhe shtyrjen e afatit të pagesave për biznesin e mesëm dhe të madh deri në dhjetor 2020.
Përsa i përket garancisë sovrane, të gjitha sipërmarrjet që aplikojnë për kredi për likuidimin e pagave të punonjësve norma e interesit duhet të jetë 0 për qind, ndërsa për ato sipërmarje që aplikojnë për kredi për kapital qarkullues, norma e interesit të mos jetë me shumë se 0.5 për qind.
Qeveria shqiptare, duhet të marrë masa që të likuidojë menjeherë të gjitha sipërmarjet private për muajin prill 2020, si dhe të shlyejë në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike, që nuk janë anulluar me apo pa rishikim buxheti.
Të gjitha donacionet që sipërmarrja shqiptare do të marrë, për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës covid-19, duhet t’i njihen si një shpenzim i zbritshëm fiskal. Ndërkohë kërkojmë shtyrjen e pagesave të energjisë elektrike dhe ujit, si dhe taksave vendore. Ndërkohë, të përjashtohen bizneset nga taksa e pronës deri në përfundimin e krizës.
Komisioni i ligjeve miratoi së fundmi disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2020, që synon reduktimin në masën 7 miliardë lekë të zërave të shpenzimeve buxhetore, korente dhe kapitale, të cilat do të shkojnë për paketën financiare në mbështetje të masave anti-Covid19. A mendoni se do të ndihmojë kjo strategji, për të mbledhur më shumë para në buxhetin e shtetit?
Një nga propozimet e Dhomave të Tregtisë, dhe perfaqësive të sipërmarjes private, ka qenë dhe rishikimi në mënyrë proceduriale të përshpejtuar i buxhetit, duke hequr dorë nga investimet dhe shërbimet publike jo bazike, në përputhje me gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në mënyrë që të krijohen instrumentat e duhur financiare për të përballuar situatën e
Covid-19. Rishikimi i buxhetit, duhet të reflektojë situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi, duke pezulluar ose shtyrë në kohë pagesat e kontratave konçensionare, dhe anulimin e projekteve të tilla për të cilat ende nuk kanë filluar punimet, me qëllim pasjen e fondeve të domosdoshme për të lehtësuar rifillimin e aktivitetit ekonomik në vend.
Si i vlerësoni paketat financiare të dhëna nga qeveria shqiptare, në raport me vendet e tjera të rajonit?
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë reaguar ndaj situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit në ekonomitë e tyre, duke mbështetur financiarisht bizneset dhe individët. Në Shqipëri, në dy paketat e ndihmës financiare dhe fiskale, deri tani janë alokuar nga qeveria 360 milionë euro, shifër kjo e barabartë me 2.6 për qind të gjithë Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në një vit. Vendi ynë duket se në krahasim me Prodhimin e Brendshëm, lë pas vetëm Kosovën në paketat e ndihmës.
Ndërsa Shqipëria ka dhënë 2.6 për qind të PBB-së për situatën,Kosova është në shifrën 2.5 për qind. Por kjo është sërish shumë larg mesatares së Ballkanit Perëndimor, prej 7.3 përqind të PBB-së. Sipas shifrave të bëra publike deri tani nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ministritë e Financave të vendeve të rajonit, reagimi i tyre ka qenë i ndryshëm. Më shumë nga të gjithë në raport me PBB-në ka paguar Mali i Zi me 12.3 për qind, e ndjekur nga Serbia me 11.6 për qind. Ndërsa si shifër Serbia, ka adresuar për paketën e ndihmës shumën më të lartë, prej 5.3 miliardë eurosh.
Institucionet ndërkombëtare, kanë ngritur alarmin se kjo krizë do t’i çojë ekonomitë ndërkombëtare drejt recensionit global.A mendoni se do të gjenden forma për ta parandaluar shkuarjen drejt greminës të ekonomive botërore dhe shqiptare, qoftë kjo edhe duke shtypur para?
Nëse një qeveri shtyp paratë më shpejt se rritja e prodhimit real, ajo zvogëlon vlerën e parave, dhe kjo shkakton pa ndryshim inflacionin. Qeveritë shpesh përdorin shtypjen e parave, kur nuk mund të financojnë huazimin e tyre duke shitur bono.
Ky hiperinflacion, mund të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për një ekonomi. Shumica e shteteve anëtare te BE-së ofrojnë shtyrjen e taksave për të gjitha kompanitë, megjithëse disa skema synojnë posaçërisht NVM-të, njerëzit e vetëpunësuar ose ndërmarrjet që mbajnë të gjithë punonjësit e tyre.
Të paktën 22 shtete anëtare ose kanë filluar, ose shpallur skema të reja garancie për të lejuar kompanitë në vështirësi financiare të vazhdojnë hyrjen në financa. Të paktën 11 vende, kanë njoftuar shtyrjen e ripagimit të kredisë.
Grante të drejtpërdrejta ose injeksione në para për mikro-bizneset, dhe për të vetëpunësuarit ofrohen nga të paktën 10 shtete anëtare. Të paktën 20 vende, kanë aplikuar subvencione për paga, në veçanti, duke subvencionuar pagat e punonjësve që punojnë me orë më të shkurtra. Komisioni Evropian, ka propozuar një skemë të re pune me kohë të shkurtër, SURE, për të ndihmuar vendet më të prekura të BE-së. Kjo ka për qëllim të shpëtojë miliona vende pune gjatë krizës, dhe të lejojë motorin ekonomik të Evropës që të rindizet shpejt më pas. Këto shembuj duhet të ndjekë edhe Shqipëria.
Ornela Liperi: “Paga e luftës” në kufijtë e mbijetesës, turizmi sektori më i prekur
Ekspertja e ekonomise Ornela Liperi në një intervistë për gazetën “Fjala” ka bërë një analizim të situatës së rëndë ekonomike që po kalon vendi, e dyta pas 30 viteve demokraci pas asaj të skemave piramidale të vitit 1997. Bizneset po i tremben marrjes së borxhit me anë të kredive në një kohë që e ardhmja është e pasigurt, për këtë arsye Liperi vlerëson se fondi prej 11 miliardë lekësh i akorduar nga qeveria Shqiptare do të ishte më mirë që t`u jepej bisneseve përmes subvencionimit të pagave, në mënyrë që të ruheshin vendet e punës. Por sa të ardhura i nevojiten një familje shqiptare për të përballuar shpenzimet mujore? Sipas ekspertes “paga e luftës” e dhënë nga qeveria shqiptare prej 40 mijë lekësh është në kufijnë e mbijetesës, pasi një familje shqiptare do t`i duhet që me këtë pagë që merret vetëm një herë, të përballojë shpenzimet e 3 muajve karantinë.
Znj.Liperi si e keni parë vendimin e Bankës së Shqipërisë për pezullimin e pagesës së këstit të kredive për një periudhë 3-mujore, dhe a mendoni se kjo masë po jep rezultat e pritura?
Vendimi ka qenë pozitiv, dhe u morr që në momentet e para kur filloi mbyllja e aktiviteteve të bizneseve, që si rrjedhojë la shumë individë ashtu dhe subjekte pa likuiditetin e nevojshëm për të paguar këstet e huasë. Sipas të dhënave nga bankat, numri i kërkesave për shtyrje kredie ka qenë i lartë, dhe nga të gjithë sektorët që kanë shfaqur vështirësi. Bankierët kanë pohuar se kjo shtyrje mund të shkojë përtej afatit 3-mujor, që u përcaktua fillimisht në urdhrin e përbashkët të Guvernatorit të BSH-së, Gent Sejko dhe kryeministrit Edi Rama.
A mendoni se ka qenë i mjaftueshëm fondi prej 11 miliardë lekësh të reja, i dhënë në formën e garancisë sovrane, dhe që u është vënë në dispozicion bizneseve për të marrë kredi për të paguar punonjësit e tyre, dhe sa efikas ka rezultuar deri më tani?
Këtu nuk është çështja se sa i mjaftueshëm është fondi, por sa i përdorshëm ka qenë ai. Nga të dhënat e para, ky fond nuk është se po gjen përdorim, ose po përdoret minimalisht për disa arsye, sipas bisedave me sipërmarrës dhe banka. Së pari janë vetë bizneset, të cilat janë hezituese për të rritur ngarkesën e tyre me borxhe në një kohë që nuk kanë shumë të ardhura, dhe kur e ardhmja është e pasigurt.
Disa prej tyre mësohet se janë tërhequr, pasi nuk e kuptuan që në fillim që kjo ishte një kredi, dhe shteti thjesht dilte garant, por e keqkuptuan sikur ishte fond që ua jepte qeveria. Së dyti, bizneset që kanë një ecuri pak më të mirë, po marrin linja likuiditeti direkt nga bankat me kushte të favorshme. Së treti, bizneset i tremben dhe klauzolës që në rast të mospagesës, shteti ka të drejtë që t’u shesë aksionet e tyre.
Si rrjedhojë, kjo skemë mund të jetë e mjaftueshme në vlerë, por shanset që ajo të gjejë përdorim janë shumë të vogla. Ndoshta shteti mund të kishte ndërhyrë direkt në mbështetje të bizneseve, përmes subvencionimit të pagave, në mënyrë që të ruheshin vendet e punës.
Në këtë situatë që paraqitet ekonomia e vendit, sa kohë do t’u duhet sipërmarrësve ta rikthejnë kredinë, edhe pse është me normë interesi të ulët, për sa kohë vendi po vazhdon të jetë i kushtëzuar prej pandemisë, dhe ushtrimi i biznesit vazhdon të jetë teper i vakët?
Kjo do të jetë në varësi të ecurisë së aktivitetit të gjithsecilit. Por me sa duket, sipërmarrësit që mendojnë që nuk do të kenë aftësi paguese apo të ardhura të mjaftueshme, ndaj nuk po rrezikojnë fare që ta marrin këtë hua.
Deri më tani qeveria shqiptare, ka dhënë paketën e dytë financiare prej 40 mijë lekësh, që mbulon periudhën prill-qershor 2020. A do të ndikojë kjo paketë për të shmangur kolapsin ekonomik?
Pagesa është minimale, pasi sipas të dhënave të INSTAT, një familje mesatare në vend, shpenzon mesatarisht rreth 76 mijë lekë në muaj. Shqipëria është vendi, ku qytetarët e saj kanë shpenzimet më të larta për ushqime rreth 42 për qind, që është një tregues direkt i nivelit të varfërisë në vend.
Sipas INSTAT, një familje shpenzon mesatarisht në një muaj 33.400 lekë për ushqime, ndërsa shpenzimet mesatare për banesën, ujin, energjinë elektrike janë rreth 8.000 lekë në muaj. Pra, kjo pagesë prej 40 mijë lekësh është në kufijnë e mbijetesës, për më tepër që ajo është vetëm një herë, ndërkohë që kriza pritet të zgjasë të paktën 3 muaj. Pra, paketa është e mjaftueshme vetëm për të mbajtur frymën gjallë, për të mos folur më tej për punonjësit që janë në të zezë, apo për ata që ndonëse i takon ndihma, nuk po arrijnë ta marrin si rrjedhojë e problemeve që kanë dalë me kodin e aktivitetit të tyre ekonomik.
Cili sektor do ta vuajë më shumë krizën?
E gjithë ekonomia do ta vuajë krizën, për shkak të efektit zinxhir përmes të cilit janë të lidhur të gjithë sektorët. Për shembull, në momentin që një individ mbetet pa punë, merr gjysmë page, ose është i pasigurt për vendin e punës, ai do të shpenzojë më pak, duke u kufizuar vetëm tek produktet e domosdoshme. Gjithsesi, tre sektorët që pritet të vuajnë më shumë krizën janë eksportet, turizmi dhe vetëpunësimi.
Eksportet janë të ndërvarura nga kërkesa e partnerëve të huaj. Për më tepër, që Shqipëria ka 2 disavantazhe në këtë drejtim. E para ka një varësi të lartë ndaj Italisë, ku shkojnë mbi 50 për qind e eksporteve tona, dhe dihet që Italia është vendi më i goditur nga kriza. Së dyti, ne kemi si avantazh kryesor konkurrues vetëm krahun e lirë të fuqisë punëtore, dhe eksportojmë mallra pa vlerë të shtuar, dhe me një nivel të kufizuar teknologjie, që e ul akoma më tej konkurrueshmërinë e sektorit në këtë situatë.
Turizmi pa dyshim që do të goditet rëndë. Shqipëria po kalonte vitet e saj më të mira, me një rekord turistësh në vend, dhe bizneset kishin rritur investimet në shtimin e kapaciteteve. Tashmë rezervimet pothuajse janë anuluar, dhe ky vit duket i humbur, me një shpresë shumë të vogël rekuperimi. Institucionet ndërkombëtare, e renditin varësinë e lartë nga turizmi (që direkt dhe indirekt kontribuon në më shumë se 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto), si një nga faktorët se pse Shqipëria do ta vuajë më shumë krizën.
Vetëpunësimi do të pësojë një goditje të madhe, dhe për fat të keq nuk do të ketë elasticitetin e turizmit, apo eksporteve për t’u rimëkëmbur. Në total, rreth 93 mijë biznese (nga 107 mijë në total) janë me 1-4 të punësuar, sipas të dhënave të INSTAT. Rreth 83 për qind e tyre janë në tre sektorë, tregti, shërbime dhe akomodim ushqimor, që do të pësojnë goditje të rëndë, edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë tashmë të hapura, për shkak të rënies së pritshme të konsumit.
Çfarë strategjish do të ishin më efikase për zbutjen e krizës?
Strategjia kryesore që po ndjekin të gjitha vendet, është ruajtja e vendeve të punës. Sa më shumë që të ruhen këto vende pune, aq më i lehtë do të jetë dhe rekuperimi. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh tek ne. Ndërsa fokusi i dhënies së ndihmës për të goditurit e biznesit të vogël ishte i duhur, pavarësisht debateve lidhur me nivelin e ndihmës, mesazhi që u dha për kompanitë e mëdha ishte i paqartë.
Bizneset fillimisht u kërcënuan të mos pushonin punonjës, më pas u tha që shisnin jahtet etj etj, kur në fund të fundit është shteti ai që duhet të garantonte mirëqenien e qytetarëve të vend. Sot jemi në situatën, kur 61 mijë persona kanë dalë nga skema e sigurimeve, ose 12 për qind e totalit të punësuarve në privat. Në një periudhë afatgjatë, fokusi duhet të vihet në atë për të cilën ka vite që flitet, në krijimin e një ekonomie konkurruese, duke i dhënë përparësi sektorëve me potencial zhvillimi si turizmi, dhe lidhja e tij me bujqësinë e agroindustrinë, dhe mbi të gjitha fokusi tek teknologjia e informacionit, ku Shqipëria sot është e fundit në Europë.
Komisioni i ligjeve ka miratuar disa ndryshime ne buxhetin e shtetit per vitin 2020, që synon reduktimin në masën 7 miliardë lekë të zërave të shpenzimeve buxhetore, korente dhe kapitale, të cilat do të shkojnë për paketën financiare në mbështetje të masave anti-Covid19. A mendoni se do të ndihmojë kjo strategji për të mbledhur më shumë para në buxhetin e shtetit?
Si buxheti fillestar, ashtu dhe rishikimi i tij kanë qenë shumë optimistë. Madje rishikimi që iu bë buxhetit në mes të muajit mars, pasi kishte filluar kriza e Covid-19 dhe pasojat po bëheshin të qarta, ishte tërësisht jashtë realitetit. Të ardhurat për 2020, në buxhetin e rishikuar në mes të marsit priten në masën 490 miliardë lekë, pasi ato vazhduan të bazohen në planin e 2019-s, ndonëse buxheti faktik rezultoi shumë më ulët.
Në vitin 2019 u mblodhën në buxhet 460 miliardë lekë. Një rritje prej 6.5 për qind e të ardhurave në 2020-n është e pamundur, teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar pohoi se ekonomia shqiptare pritet të bjerë këtë vit me 5 për qind! Në mars, të ardhura ranë me 20% me bazë vjetore. FMN parashikon që të ardhurat buxhetore do të jenë këtë vit rreth 430.4 miliardë lekë, ose 60 miliardë lekë më pak se sa plani.
Kjo do të kërkojë një korrektim të shpenzimeve për të paktën 60 miliardë lekë. Si rrjedhojë, financat do të detyrohen të rishikojnë buxhetin shumë më drastikisht, sesa po bëjnë aktualisht. Një zë potencial ku mund të shkurtohen shpenzimet, janë ato për pagesa koncesionesh, që janë parashikuar në rreth 15 miliardë lekë në buxhetin fillestar.
Institucionet ndërkombëtare kanë ngritur alarmin, se kjo krizë do t’i çojë ekonomitë ndërkombëtare drejt recensionit global. A mendoni se do të gjenden forma për ta parandaluar shkuarjen drejt greminës të ekonomive botërore dhe shqiptare, qoftë kjo edhe duke printuar para?
Printimi i parave, është alternativa e fundit për të ndihmuar ekonominë, pasi një printim i parave në një kohë që ekonomia nuk prodhon asgjë, vetëm sa do të rriste inflacionin, dhe do të ktheheshim në pikën e fillimit, pasi fuqia blerëse do të binte.
Pjesa më e madhe e ekonomive, po përdorin si strategji rritjen e borxhit, me shpresën se ai do të përdoret në mënyrë efiçente, dhe do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë, çka nga ana e saj do të mundësonte shlyerjen e borxhit në një afat më të gjatë. Të njëjtën strategji, është duke ndjekur dhe qeveria shqiptare.
Banka e Shqipërisë, ka njoftuar se planet e saj të kontingjencës, përdorimi i të cilave shpreson të mos jetë i nevojshëm, përfshijnë dhe programe të blerjes së instrumenteve afatshkurtra të borxhit të qeverisë në tregun dytësor, të cilat janë dhe një formë e lehtësimit sasior.
Ahmetaj: Kemi kërkuar shtyrjen e kredive edhe tre muaj
Ministri Arben Ahmetaj gjatë një dalje televizive i është përgjigjur interesit të gjërë të opinjonit publik lidhur me mundësinë e shtyrjes së kredive edhe për tre muaj të tjerë. Ahmetaj ka deklaruar se ky vendim pritet të merret së shpejti, pas një konsultimi që do të bëhet edhe me Guverantorin e Bankës së Shqipërisë.
“Cila është logjika? Logjika është kjo. Nëse ty të shtyhet pagesa e kredisë në maj, atëherë natyrshëm pyet: po unë s’po punoj si do të paguaj kredinë?Kryeministri pasi ka lexuar kërkesat, ka kërkuar që javën tjetër të bëhet sërish me guvernatorin një shtyrje tjetër kredish, në mënyrë që t’u jepet kohë. Do të shtyhet edhe tre muaj të tjerë. Që t’u japim mundësi të gjithë qytetarëve që të kenë dy apo tre muaj punë që të paguajnë kredinë”, – tha Ahmetaj.
Denaj: Paketa e dytë financiare mbështet 176 mijë individë dhe i jep frymëmarrje sipërmarrjes
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka deklaruar se paketa e dytë financiare po vijon shpërndarjen prej datës 21 prill për 176 mijë individë, biznesin e madh dhe të vogël me xhiro nën 14 milionë lekë, që edhe pse ka qëndruar i hapur nuk ka ushtruar aktivitet të plotë.
“Përfitojnë 100 mijë punonjës në 46 520 biznese me xhiro nën 14 milionë lekë, 26 mijë punonjës, nga të cilët 6 mijë të larguar nga puna në 1 286 biznese me xhiro mbi 14 milionë lekë, 40 mijë punonjës të larguar nga puna në 6 300 biznese dhe 10 mijë punonjës në 1 214 biznese të sektorit të turizmit, kryesisht strukturat akomoduese”, – tha Denaj. Sipas Denajt paketa e dytë financiare do të mundësojë qarkullimin e kapitalit instrument i cili do të japë frymëmarrje për sipërmarrjen.
Shifrat e përfitimeve sipas qeverisë
100 mijë punonjës përfituan pagë 26000 lekë
46 520 biznese me xhiro nën 14 milionë lekë
11990 punonjës përfituan pagën 40000 lekë