Eksperti i teknologjisë: Shqipëria e kaloi testin. E vërteta mbi rrjetin 5G

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Specialisti i teknologjisë së informacionit dhe eksperti i krimit kibernetik, Besmir Semanaj, vlerëson investimin teknologjik në Shqipëri, i cili e kaloi sprovën e madhe me situatën e pandemisë. Semanaj: Mashtrimi mbi rrjetin 5G, ja si qëndron e vërteta

Intervistoi Ina Allkanjari

Pandemia Covid-19 i tregoi njerëzimit se bota nuk do të jetë më e njëjtë në shumë aspekte, përfshirë këtu përdorimin e teknologjisë. Kështu u shpreh specialisti për sigurinë e informacionit, Besmir Semanaj, në një intervistë për gazetën “Fjala”. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, Shqipëria e kaloi testin e saj nga ana e IT dhe Telekomunikacionit, duke theksuar se e vetmja problematikë për të është mësimi online. Ai shprehet se shifrat e dhëna ku pretendohet që 98% e fëmijëve kanë qenë në gjendje të marrin pjesë në këto mësime nuk mund të jenë të vërteta. Për sa i përket teknologjisë 5G, Semanaj thekson se nuk ekziston asnjë lidhje mes Covid-19 dhe teknologjisë 5G.

Gjatë muajve të fundit Shqipëria ashtu si të gjitha vendet e tjera të botës është prekur nga epidemia Covid-19, gjë që solli distancim social dhe izolim. Përballë një situate të tillë shumë shtete iu drejtuan teknologjisë. Si e shihni përdorimin e teknologjisë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe?

Shqipëria si të gjitha vendet e tjera të botës po kalon një situatë të paparashikuar këto muajt e fundit. Gjatë kësaj periudhe pas bluzave të bardha heronjtë e dytë janë inxhinirët e teknologjisë që po punojnë 24 orë në ditë të mbajnë funksionale të gjitha shërbimet teknologjike, duke mundësuar funksionimin sa më normal të të gjitha institucioneve shtetërore dhe kompanive private në këtë situatë jonormale. Shqipëria përgjithësisht nuk ka pasur probleme madhore dhe të gjitha shërbimet kyçe si shtetërore, ashtu dhe në sektorin privat, kanë funksionuar më së miri. Problemi i vetëm që unë shoh është mësimi online, ku dihet që një pjesë e madhe e familjeve shqiptare nuk kanë qasje në internetin fiks. Shifrat e dhëna ku pretendohet që 98% e fëmijëve kanë qenë në gjendje të marrin pjesë në këto mësime nuk mund të jenë të vërteta, kur pjesa më e madhe e popullsisë në fshat nuk e ka këtë mundësi. Gjithashtu, edhe në qytete ku qasja e internetit është e lartë, kemi të bëjmë me një lojë shifrash. Kjo qasje është nga pajisjet mobile dhe jo nga Laptop e kompjuterë. Kjo lidhet dhe me varfërinë në të cilën ndodhet vendi ynë. Nga ana tjetër, paketat mobile të ofruara gjatë kësaj kohe me dyfishim interneti nuk janë të mjaftueshme në kushtet e Shqipërisë. Në këtë pikë duhet të kishim pasur ndërhyrje nga ana e qeverisë duke subvencionuar kompanitë mobile dhe interneti duhet të ishte pa limit.

Cilat janë mangësitë kryesore që keni vënë re gjatë kësaj periudhe për sa i përket teknologjisë dhe mjeteve që ajo ka?

Teknologjia nga ana e IT dhe Telekomunikacionit mund të themi që e kaloi testin e saj. Ashtu si në çdo fushë dhe në teknologji ka vend për përmirësime. Problemet më të mëdha me të cilat u hasëm ishin çështjet e sigurisë, të cilat më shumë kanë të bëjnë me përdoruesin se me vetë teknologjinë. Gjatë kësaj kohe duke shfrytëzuar Covid-19 dhe çorietimin shoqëror shumë keqdashës kanë kryer krime kibernetike. Një pjesë e këtyre krimeve me kosto të larta financiare, kanë përdorur dhe vetë emrin e virusit. Një shembull konkret është dhe përdorimi i domain COVID për të peshkuar përdoruesit e internetit. Vetëm në 2 muaj kemi mbi 5000 domene të regjistruara që përmbajnë këtë fjalë dhe pjesa dërrmuese kanë qenë keqdashëse.

A mund të konsiderohet kjo periudhë një test për të kaluar një herë e përgjithmonë shumë gjëra në përditshmeri online?

Lexo edhe :  Po ngrihen kulla, por 38% e shqiptarëve nuk ngrohin dot shtëpitë

Covid-19 i tregoi botës dhe njerëzimit që shumë gjëra që ishin tabu dhe kishim frikë t’i testonim, funksionuan më së miri. Pas virusit bota nuk do jetë më e njejtë në shumë aspekte, përfshirë përdorimin e teknologjisë. Në këndvështrimin tim, një pjesë e përditshmërisë dhe mënyrës së të punuarit do të ndryshojë. Disa nga shembujt: puna nga shtëpia e cila nuk pëlqehej nga kompanitë rezultoi shumë efikase, duke mos ndikuar fare në proceset e punës, tani do të kemi më shumë njerëz që do të punojnë nga shtëpia. Largësia mes qyteteve dhe shteteve nuk do ketë më rëndësi. Një pjesë e madhe e udhëtimeve të biznesit do të zëvendësohet nga mbledhjet online, duke ulur dhe kostot për shumë kompani. Mësimdhenia, sidomos ajo universitare, në shumë shtete rezultoi e sukseshme dhe po mendohet që shumë module të jenë online. Trajnimet dhe konferencat ndërkombëtare, të cilat në shumicën e rasteve kërkonin udhëtime dhe kishin kosto shumë të larta, rezultuan më efikase online. Një ndër fushat që do të preket më shumë do të jetë tregtia, e cila që tani ka nisur të transferohet online. Nëse e shohim gjatë këtyre 2 muajve, dhe në Shqipëri kemi nje rritje të dyqaneve dhe shërbimeve online. Përfundimisht pas kësaj pandemie shoqëria nuk do jetë më e njëjtë.

A jemi ne gati si shoqëri për këto ndryshime?

Them se jemi gati dhe duhet të shfrytëzojmë në maksimum të gjitha benefitet që na jep teknologjia.

Teknologjia 5G, si është e vërteta dhe cilat janë risqet?

Gjatë Covid-19 kemi pasur një mori me “Fake News” që e lidhin Corona Virus me 5G.  Këto janë lajme keqdashëse, të cilat kanë çuar në një histeri kolektive. Në shumë vende të botës janë djegur dhe antena të telefonisë mobile, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me 5G duke nxjerrë jashtë përdorimit edhe shërbimet e emergjencës. Një ndër personat e parë që ngriti një teori të till ishte Prof. Dr. Thomas Cowan, video e tij u përkthye në 5 gjuhë të botës dhe u bë virale. E gjithë kjo teori ishte e ngritur mbi mashtrim dhe keqpërdorim të dhënash. Cowan pretendonte që Covid-19 u shfaq në Vuhan, sepse atje ishte bërë implementimi i parë i 5G, ndërkohë implementimi i parë dhe shteti me numrin më të lartë të 5G është Koreja e Jugut, që është një ndër shtetet që e ka menaxhuar më së miri pandeminë. Nga ana tjetër, kemi Iranin i cili nuk ka 5G, por është një ndër shtetet me të prekura dhe me një vdekshmëri të frikshme. Në shumë vende të botës gjithashtu edhe në Austri 5G po implementohet në kampuse universitare ku pedagogët dhe shkenctarët e këtyre institucioneve kanë dhënë miratim të plotë. Mund t’ju them me bindje të plotë që 5G dhe Covid-19 nuk kanë asnjë lidhje.

Ju jeni zhvendosur në Austri familjarisht. Si është përballuar pandemia?

Si të gjitha vendet e botës edhe Austria është e prekur nga Covid-19, por deri tani situata është menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer nga shteti austriak. Momentalisht janë hapur të gjitha degët e ekonomisë, pritet hapja e shkollave dhe hoteleve, si dy hallkat e fundit të Lock Down. Nëse e krahasojmë me Shqipërinë, në Austri nuk kemi pasur karantinë tipike, lëvizja e qytetarëve duke ruajtur distancimin social ka qenë e lejuar, gjithashtu dhe transporti publik bashkë me hallkat jetike të ekonomisë kanë funksionuar me orare të plota. Shpresojmë që kjo situatë të kalojë sa më parë dhe t’i kthehemi normalitetit.

Të fundit

PD protestë më 8 shkurt, Berisha: E shtuna, dita kur Shqipëria zbret në Tiranë

Partia Demokratike do të organizojë protestë më 8 shkurt. Lajmi është dhënë nga kreu i Partisë Demorkatike Sali Berisha në...

Zgjedhjet/ Miratohet fondi për partitë politike, ja sa është shuma që do të shpërndahet

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar 150 milionë euro për t’u shpërndarë partive politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në zgjedhjet e kaluara i janë...

Projektligji për pensionet, zv.ministrja e Ekonomisë: Ja kur njihen vitet e punës

Zv.ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, ka shpjeguar në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë projektligjin e ri për njohjen e viteve të punës,...

Strehim politik tek Berisha

Nga ARTUR AJAZI Arben Ahmetaj foli edhe kësaj here. Personalisht e ndoqa vetëm 10 minuta. Dukej sikur do të nxirrte “prova, fakte, akuza konkrete ndaj...

Coca-Cola urdhëron tërheqje masive të pijeve në Evropë

Njësia evropiane për mbushjen e pijeve të kompanisë Coca-Cola tha të hënën se ka urdhëruar një tërheqje masive të pijeve Coke, Sprite dhe të...

Lajme të tjera

Web TV