Samiti i Zagrebit/Bushati: Në 20 vjet s’ka ndryshuar asgjë mes nesh dhe BE-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati thotë se përgjatë 20 viteve të fundit nuk ka ndryshuar asnjë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian sa i përket hendekut që është krijuar mes njëra-tjetrës.

Duke krahasuar samitin e Zagrebit të vitit 2000 me atë të këtij viti që u mbajt më 6 maj, Bushati thekson se BE duhet që të vendosë një mekanizëm angazhues e llogaridhënës bashkë me paketën paketës 3.3 miliardë euro të pandemisë.

Sipas Bushatit, një mekanizëm i tillë kombinon zhvillimin ekonomik e social me progresin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës.

STATUSI NGA DITMIR BUSHATI

ZAGREB, 20 VJET MË PAS

Në nëntorin e vitit 2000, Bashkimi Europian në Zagreb prezantoi procesin e Stabilizim-Asociimit për vendet e Europës Juglindore. Në dokumentin e miratuar theksohej lidhja ndërmjet progresit të vendeve të rajonit drejt demokracisë, sundimit të së drejtës, pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal, nga njëra anë, dhe perspektivës së anëtarësimit në BE, nga anën tjetër.

20 vjet më pas, në dokumentin e miratuar këtë javë në Samitin e Zagrebit, që mblodhi virtualisht udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për fat të keq, tematika nuk ka ndryshuar shumë. Ndërkohë që nga grupi i vendeve pjesë e Procesit të Stabilizim Asociimit, vetëm Kroacia arriti të bëhej vend anëtar i BE-së në vitin 2013.

Tematika nuk ka ndryshuar shumë në këto 20 vjet. Hendeku mes nesh dhe BE-së nuk është zvogëluar. Mirëpo, konteksti gjeopolitik ka ndryshuar.

Viti 2000 shënonte fazën përfundimtare të anëtarësimit të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE. E në të njëjtën kohë, triumfin e demokracisë liberale, ku vendet e lindjes ish komuniste të etura për ndryshim ishin përfshirë në një proces reformimi, demokratizimi dhe transfomimi ekonomik. Asokohe ishte e vështirë të vendosje pikëpyetje mbi “standardin europian” dhe vlerat e demokracisë liberale dhe pakkush do ta mendonte se procesi i “imitimit” të vendeve të perëndimit të Europës së Bashkuar nga vendet e lindjes ish komuniste nuk do të përtypej kollaj. Zgjerimi, megjithëse një temë jopopullore, përballohej nga politikanë të regjur, siç ishte rasti i Komisionerit gjerman të zgjerimit Gunter Verheugen. Raportet e monitorimit të reformave lexoheshin si librat e shenjtë.

Po kështu aleanca euroatlantike ishte në kulmin e mirëkuptimit të vet duke projektuar zgjerimin më të madh në historinë e saj dhe zvogëlimin e ndikimit rus në arkitekturën e sigurisë europiane. Richard Holbrooke, i referohej SHBA-ve si fuqi europiane dhe jo si një fuqi në Europë.

Kriza financiare e vitit 2008 e pasuar nga kriza e paprecedentë e refugjatëve që vinin nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme nxori në sipërfaqe, krahas dallimeve ekonomike dhe financiare ndërmjet veriut dhe jugut, dallimet rreth vlerave e demokracisë liberale, ndërmjet perëndimit dhe lindjes të BE-së. Brexit ishte gjithashtu një goditje për projektin europian. Afërmendsh, kjo situatë u reflektua edhe në cilësinë e shpejtësinë e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lexo edhe :  “Shkodra Elektronike” fiton Fest 63. “Zjerm” përfaqëson Shqipërinë në Eurovision

Paradoksalisht, sot kemi vende anëtare të BE-së që janë në proces disiplinor për shkelje të “standardit europian”, sikurse vende kandidate që edhe pse kanë vite në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE kanë pësuar regres demokratik.

Kjo është arsyeja kryesore se përse dokumenti i Zagrebit i vitit 2020 është i ngjashëm me atë të para 20 viteve, me përjashtim të përgjigjes për situatën e shkaktuar nga pandemia. Pikërisht, mënyra sesi BE-ja do të bashkëpunojë me vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjigjen ndaj Covid19 mund dhe duhet të ridimensionojë edhe marëdhëniet mes tyre.

Pavarësisht dobësive të politikës së BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe konsolidimit të status quo-s në rajon, shoqëruar më mungesën zhvillimit të domosdoshëm ekonomik dhe rënien demografike, për shkak të emigrimit drejt vendeve më të zhvilluara të Europës, sërish BE-ja vijon të mbetet një pol tërheqës për vendet e rajonit. Çështja shtrohet tek efektiviteti i kësaj politike.

Ndaj, paketa e BE-së për Ballkanin Perëndimor prej 3.3 miliard eurosh duhet shoqëruar me një mekanizëm angazhues e llogaridhënës që kombinon zhvillimin ekonomik e social me progresin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës. Pasi nuk ka sundim të së drejtës pa zhvillim ekonomik, sikurse nuk ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm pa sundim të së drejtës.

Në librin e tyre “Pse kombet dështojnë – origjina e pushtetit, prosperitetit dhe varfërisë” studjuesit amerikanë Daron Acemoglu dhe James Robinson argumentojnë ndërlidhjen mes funksionimit të institucioneve politike nga njëra anë dhe prosperitetit ekonomik e shoqëror nga ana tjetër. Prosperiteti ndihmon krijimin e institucioneve politike funksionale e të qëndrueshme, çka ende mungojnë në rastin tonë.

Në rast se pas shembjes së Murit të Berlinit mbizotëroi ideja se gjeopolitika po humbte rëndësinë, sot Komisioni Europian e konsideron veten një “komision gjeopolitik”. Prandaj, në vend që të mjaftohet me “rikonfirmimin e perspektivës europiane për vendet e rajonit”, BE-ja duhet ta fitojë betejën gjeopolitike para së gjithash në oborrin e shtëpisë së vet, pasi investimi i saj në rajon është i pakrahasueshëm me aktorë të tjerë ndërkombëtare. BE-ja duhet të nxisë kësisoj një model të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik që vjen dora dorës me zhvillimin politik e institucional, duke përcaktuar vija të kuqe për “standardin evropian”, të cilat nuk duhen lejuar që të kthehen në vija në rërë.

Të fundit

STG-44 gjerman apo AK-47 sovjetik, lufta për të prodhuar armën efektive të këmbësorisë

23 dhjetor 2013 ndahet nga jeta Mikhail Kalashnikov Nga Leonard Veizi Edhe sot e kësaj dite nuk dihet mirë se si...

Reagimi i Ramës/ TikTok ndalohet për një vit në Shqipëri

Qeveria shqiptare ndalon TikTok për një vit, pas kërkesave të prindërve që shprehën shqetësime për ndikimin e platformës te fëmijët, edhe pse ngjarja tragjike...

Kundër Ramës/ Sot opozita del në protestë

Partia Demokratike do të dal sot në protestë kundër qeverisjes se Kryeministrit Edi Rama. Opozita paralajmëron bllokim rrugësh dhe pjesëmarrje masive: Është koha të...

Sot protesta e opozitës/ Zbardhet ‘skenari’ dhe rrugët që do të bllokohen!

Opozita do të zhvillojë sot në orën 17:00 protestën e radhës, të cilën e quajnë mosbindje civile. Për herë të parë pas gati një viti mes protestuesve...

Aeroplani përplaset me shtëpinë në Brazil, humbin jetën të gjithë pasagjerët në bord

10 persona janë vrarë dhe më shumë se një 12 të tjerë janë plagosur pasi një aeroplan i vogël u rrëzua në një shtëpi...

Lajme të tjera

Web TV