Bardhi: Për shkak të ‘Ramavirusit’, të fundit në rajon për ndihmën ndaj biznesit

Gazmend Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, thotë se Qeveria e drejtuar nga Edi Rama “ka dhënë vetëm 41.5 milionë euro për 3 milionë shqiptarë, aq sa paguan 2 oligarkë tek Unaza e Re”.

Duke akuzuar Qeverinë se ka braktisur qytetarët në ditën e tyre më të keqe, Bardhi thotë se Shqipëria ka humbur 10-fishin e vendeve të punës në krahasim me vendet e rajonit.

“Për shkak të Ramavirusit, Shqipëria është vendi i fundit në rajon për ndihmën ndaj qytetarëve dhe biznesit. Edi Rama ka dhënë vetëm 41.5 milionë euro për 3 milionë shqiptarë, aq sa paguan 2 oligarkë tek Unaza e Re.

Gjendja është shumë e rënduar nga pandemia ekonomike, e shkaktuar prej një qeverie dhe kryeministri të dështuar. Bizneset po mbyllen dhe, bashkë me to, edhe vendet e punës.

Kemi humbur 10fishin e vendeve të punës, në krahasim me vendet e rajonit, që do të thotë më shumë varfëri, më pak zhvillim. Shqiptarët nuk e meritojnë të jenë për gjithçka të fundit vetëm se kanë një qeveri që i vjedh dhe i braktis në ditën më të keqe”, shprehet Bardhi.