Publikohet historia e panjohur e hartimit të Qemal Stafës, me titull “E vjetra shëmbet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”. Memorie.al shkruan se këtë hartim ai e e pati shkruar në qershorin e vitit 1935, kur ishte nxënës në klasën e pestë (me sistemin e asaj kohe) të gjimnazit të Shkodrës.
Si u manipulua ai hartim nga historiografia zyrtare dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës për qëllime politike dhe nuk u publikua kurrë i plotë në librat që u shkruan për “Heroin e Popullit, Qemal Stafa, pasi në mbyllje të atij hartimi që Memorie.al po e publikon dhe me faksimilen përkatëse, ai kishte shkruar: “Edhe na shqiptarët do t’a rrënojmë të vjetrën. Mbi të do ngrefim madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunis. Kemi besim në vetvete, prandaj guzojmë. Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjetvjeçar qi ju flet”.
Përveç ditës së 5 Majit të cilën regjimi komunist i para viteve ’90-të e kishte shënuar si ditë simbol për përkujtimin e “Dëshmorëve të Atdheut”, në nderim të vrasjes së djaloshit idealist 21 vjeçar që asokohe ishte në krye të rinisë komuniste shqiptare, emri dhe figura e “Heroit të Popullit”, Qemal Stafa, para viteve ’90-të ka qenë shumë e njohur edhe për shkak të hartimit të tij të famshëm me titullin: “E vjetra shëmbet, kohët ndryshojnë një jetë e re lulëzon gërmadhash”, të cilën ai e pati shkruar në qershorin e vitit 1936, kur ishte në vitin e pestë (me sistemin e asaj kohe) në gjimnazin e Shkodrës.
Këtë hartim të nxënësit 15 vjeçar Qemal Stafa, (i biri i kolonelit të Monarkisë së Zogut, Hasan Stafa) historiografia zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm që nuk e publikoi asnjëherë të plotë dhe nuk i’a dha kurrë një kopje familjes së tij, por e shfrytëzoi atë për qëllimet e saj propagandistike në funksionin të vijës politike që ndiqte ai regjim duke e shtrembëruar deri diku idetë dhe frymën që e përshkonte atë hartim. Kjo gjë vinte për shkak se në fund të atij hartimi, nxënësi Qemal Stafa, ka shkruar: “Edhe na shqiptarët do t’a rrënojmë të vjetrën. Mbi të do ngrefim madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunis. Kemi besim në vetvete, prandaj guzojmë. Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjetvjeçar qi ju flet”.
Pra siç shihet dhe nga mbyllja e këtij hartimi (gjë e cila duket qartë edhe nga faksimilja përkatëse), përveçse “vëllazërimit dhe kulturës”, Qemal Stafa aty ka folur e predikuar edhe për “pasunin”, gjë të cilën regjimi komunist I Enver Hoxhës e luftonte me të gjitha mënyrat dhe ishte kundër “të pasurve”, madje me “pasanikët”, identifikoheshin “bejlerët dhe agallarët” ata që i kishin “pirë gjakun” popullit?!
Nisur nga fakti se që nga dita që u shkrua në qershorin e vitit 1935 dhe gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, ai hartim nuk është publikuar asnjëherë i plotë, Memorie.al po e boton atë të plotë ashtu siç është shkruar nga dora e Qemalit në atë kohë dhe krahas tij, ne po publikojmë edhe disa pjesë nga komenti që i është bërë atij në librin “Qemal Stafa” të para viteve ’90-të (me autor N.J.), i cili është botuar nën kujdesin dhe kontrollin e rreptë të Nexhmije Hoxhës dhe gjithashtu me miratimin e Enver Hoxhës.
Komentet e hartimit te libri për Qemal Stafën, i botuar para viteve ‘90-të
“Edha na shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën. Mbi të do të ngrhim madhnisht flamurin e kuq…Kemi besim në vetvehte prandaj guxojmë”. Fara e mendimeve të reja nuk vonoi të jepte te Qemali fryte. Brenda një kohe të shkurtër në botkuptimin e tij ndodhën ndryshime thelbësore.
Sadoqë nga burime të tërthorat e herë herë jo të qarta, prapseprapë me intuitën që e karaketerizonte, ai arriti të rrokte disa nga parimet kryesore të teorisë marksiste e t’i shpallë këto si ideal të tij. Përvetësimi i ndërgjegjshëm i këtyre parimeve, i cili sapo zë fill në këtë kohë, është themeli mbi të cilën do të ngrihet e gjithë veprimtaria revolucionare e Qemalit.
Se sa shpejt depërtoi në teorinë revolucionare e përgjithsisht në dialektikën marksiste, dëshmojnë diskutimet, bisedat dhe mendimet që ai shfaq në këtë kohë në rrethin e shokëve të ngushtë. Natyrisht këto nuk kanë arritur vetën në formë kujtimesh të shkëputuara e të cunguara, po dokumenti më i plotë që tregon për këtë formim të parakohshëm të Qemalit është hartimi: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jete e re po lulëzon gërmadhash”. Themi hartimi, pasi Qemali e shkroi si detyrë shkollore, po në të vërtetë ai qe një lloj manifesti i botëkuptimit të tij revolucionar…Hartimin e shkroi në në qershor të vitit 1935, kur ishte nxënës i klasës së pestë.
Tema u nxorr nga drama e njohur “Ëilhelm Teli” e Frederik Shilerit. Drama ishte botuar një vit më përpara në gjuhën shqipe dhe qe pritur me simpati të madhe nga rinia, sidomos ajo shkollore. Veprën e Shilerit, Qemali e çmonte për frymën kryengritëse, për atë ndjenjë të fortë liridashëse që kishte në themel e që ngjallte jehonë në shpirtin e tij të shqetësuar.
Nga ana tjetër drama e shtynte të bënte paralelizma me gjendjen e shoqërisë shqiptare, me mjerimin dhe skllavërinë që kishte pllakosur në jetën e popullit…”Shileri” nënvizon ai, e kish kuptue të vjetrën, edhe na e kem kuptue…” Prej këndej merr shkas pastaj tërë ai varg mendimesh të rëndësishme, që shtron më poshtë Qemali me guxim të madh qytetar. Me këtë guxim ai e thotë hapur se çkupton me të vjetrën: “E vjetra asht gjithshka që kohnat e kaluame na e kanë lanë.
Sistemi shoqnuer, arti i dikurshëm, feja, dasia, midis popujve janë të tilla”. Qemali ka koncepte të qarta materialiste dhe çdo gjë mundohet ta trajtojë nga këto pozita. Duke e marrë rendin shoqëror, artin, fenë, etj., si pjesë e superstrukturës, ai i sheh ato si fenomene historike, që kanë lindjen, zhvillimin dhe vdekjen e tyre të pashmangëshme.
Nga një lartësi e tillë përpiqet ta shikojë Qemali 15-vjeçar teatrin e shoqërisë njerzore, me bindje se e vjetra vjen një ditë dhe shkatërrohet për t’i lënë vendin së resë. E për të vërtetuar këtë, si gjithnjë u drejtohet historisë e shkencave: “Dëshirën e rrënimit të së vjetrës e ka dishmue…francezi me Revolucionin e madh të Francës, Galileu me ligjin e tij, Lindbergu me udhëtimin e tij prej Amerike në Francë, Rusi me ndryshimin e sistemit shoqënuer…” Tendecioziteti politik i Qemalit shfaqet sheshazi kur menjëherë pas këtyre rreshtave, shënon në parantezë thirrjen kërcënuese: “Borgjezë hapni veshët mirë!” Më tej kalon në një shkoqitje më konkrete të mendimeve të veta, kur thotë se në shoqërinë e vjetër, në të cilën ai jeton, sundon shfrytëzimi e padrejtësia dhe një gjendje e vështirë vjen ngaqë: “Pasunia që asht pika e mbështetjes së të gjitha veprimevet, asht damë keq (hapi sytë sa të duesh kapitalist!)…
Njeni nga ne ka miliarda, n’sa tjetri nuk ka asnjë dysh. Disa kanë toka të gjana për mbjellje, n’sa të afërmit e tyre nuk kanë as bukë (bukë them të hanë!)” Gjimnazisti i ri vëren i revoltuar se historia shoqërore njerzore është historia e skllavërimit të njeriut.
Pavarsisht nga trajtat, skllavëria në thelb ka mbetur po ajo. Për këtë ai sjell si shembull sistemin kapitalist, i cili për të ushtruar shtypjen dhe shfrytëzimin mbi masat e popullit, ka gjetur mënyrat e rafinuara. Skllavëria ka ndryshuar vetëm formën: “Në vënd të kamxhikut të drejtuesit të robve, asht penda e bankierit: në vend të kasher agait asht polici që regjistron gratë publike, viktima të vorfnisë dhe të padrejtësisë së shoqnisë. Nuk flas për shpatat e jeniçerëve të zavendësueme me karrigen elektrike”.
Atëhere ç’duhet bërë? Këtë pyetje historike ngre Qemali dhe që t’i japë përgjigje, çelësin e gjen në teorinë revolucionare: “…asht gja e domosdoshme të ndryshojmë pamjen e sotme të pasunisë (gja e vjetër) e ta zavëndësojmë me një ndamje të re e të njinjishme (gja e re)”. Ai ësht i bindur se duhet ndjekur kjo rrugë, pasi ka parasysh një fenomen të madh historik që ka ndodhur në botë. Rusët e kanë ba me kohë: shembullin se e vjetra shembet”. Fill pas këtij fakti bindës shprehet besimi i patundur me fjalët: “Edhe ne do ta bajmë”.
Hartimi i plotë i Qemal Stafës
“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë: nji jetë e re po lulzon gërmadhash”
Fjalë t’arta, fjalë plot kuptim. Tash sa vjet duelën rrjedhshëm prej pendës së nji idealisti të madh, të Schiller-it shpirti i të cilit, i etshëm për gjana të reja, ndër të cilat vendin ma të parë e zente lirija e popujvet, lshonte za kushtrimi në shkretinën e thatë të idealizmës s’asajë bote të vjetrueme ku rronte.
Schileri e kishte kuptue të vjetrën. Edhe na e kemi kuptue. E vjetrë asht ç’do gja qi kohnat e ka luema na kanë lanë. Systemi shoqnuer, harti i dikuershëm, feja, dasia mes popujvet, janë të tilla. Njeriu vetëvetiu i prirur nga përparimi i shef të metat e kohënavet të kalueme, dhe dishron t’i ndreqë. Kndej çpikjet e reja e të çuditshme në ç’do lamë të kulturës.
Dishirin e rrënimit të të vjetrës njeriu e ka dishmue kur e kur ka pasë rast: Françesi në Revolucionin e Math të Francës, Galileu me ligjin e tij, Lindbergu me udhtimin prej Amerike në Françë, Rusi me ndryshimin e systemit shoqnuer… (borgjezë hapni veshët mirë) Tash të vrejmë imtisht e mirë të gjitha sendet e vjetra.
Systemi shoqnuer i sodshëm, asht ai i sa mi vjetvet, i ndryshuem në disa pika por aq pak sa nuk të bie në sy. Bota asht e ndaue në kontinentë, kta në shtete, shtetet në qytete e krahina, deri sa mbërrijmë ke njeriu e ke idenat e tija. Pasunija, qi asht pika e mbështetjes së të gjithë veprimevet, asht e ndame keq (hapi sytë sa të duesh kapitalistë). Njani ka miljarda e miljarda, n’ sa tjetri nuk ka asnji dysh. Disa kanë tokë të gjana për mbjellje n’sa t’afërmit e tyne nuk kanë as bukë (bukë themi) të hajë.
Thonë qi asht shdukë skllavnija. Jo, nuk asht zhdukë, por ka marrë nji trajtë tjetrë, atë të ndihmës. Në vend të kamxhikut të drejtuesit të robvet asht penda e bankjerit, në vend të kesler agait asht polici që rregjistron grat publike, viktima të vorfnis dhe të pa-drejtësisë së shoqnisë. Nuk flas për shpatat e Jenicjerëvet të zëvendësueme me vezët në sqetulla, për Giljotinën e zavendsueme me karrikën elektrike.
Të gjitha kto i kemi trashigim prej kohvet të kalueme, pse e kanë burimin në ndamjen e pasunisë. Të gjitha kto i kemi trashigim prej kohvet të kalueme, pse e kanë burimin në ndamjen e pasunis. T’ishte pasunija e ndame me drejtsi, barabar e të punojshin të gjithë njerzit e botës për nji qëllim, sa ndryshe do t’ ishte jeta! Statistika zyrtare diftojnë haptas se gjaksinat ma të ndershme, vjedhjet ma të mdhajat, kanë pasë për shkak vobegsin.
Prej këndej shofim se asht gja e domosdoshme t’a ndryshojmë ndamjen e sodshme të pasunis (gja e vjetër) e t’a zëvendsojmë me nji ndamje të drejtë, e të njinjishme (gja e re). Rusët e kanë pa ç’me kohë: shembull ky se e vjetra shembet.
Edhe na do t’a bajmë. Arsimi, ajo dritë e popujvet si e quente Viktor Hygo-i përpara u epej vetëm princavet e bujarëvet (nobles). Sod djali i puntorit rrin në nji shkam me djalin e ministrit qi e mjel: shejë të sigurta se bota asht neveritë prej të vjetrës dhe don të ren. Të shofim fen, opiumin e popujvet.
Në kohnat e vjetra populli nuk i kuptonte kshillat e drejtuesvet të tij: Për ma ba arabin të lahej, e të pagunete taksat halifit, ishte nevojat e nji Muhammedi qi t’i predikonte popullit ignorant se asht, ekziston, nji zot qi i çon në xhehnem ata qi nuk lahen, qi nuk bajnë gymnastikë, e nuk i lajnë rregullisht taksat. Deri këtu asht mirë. Por të shohim kto tjerat.
Nën maskën e ktyne rregullave sa e sa poshtërsina u banë. Sa e sa herë turma e popullit e qorrueme prej drejtusvet të fes së sajë, u bante robneshë e nji tyrani. Jepni Çezrit ç’asht e Çezarit e zotit ç’asht e zotit!” Sa bukur e diftojnë kto fjalë qëllimin e fes. Ku ka nji kishë, aty ka nji mbret.
Shekulli i XX-e po e shkatrron të vjetrën. Në vend të sajë shton shkollat laike, të majtuna prej shtetit, plotson bibliothekat; lavron shkencat (anmikët ma të mdhajat të fes: ku je Galilei para turrës së druvet?) Shndrron kishat e xhamijat në muzeume antiklerikale. Të vijmë ke harti.
Harti i deri-tashëm, qi veç trajtës së bukur nuk kishte tjetrë cillsi, nuk i përmbushë nevojat t’ona. Ç’më duhet mue nji poezi e bukur në trajtë, por e vorfën në idena! Nji pikturë me bojna të bukura, por pa nji ide?
Poezija e sodshme përveç trajtës, ka edhe iden, atë ide qi lufton vuejtje e puntorit, mundin e bujkut. Piktura e sodshme nuk ka aq bukuri të trajtës sa të ides. Mos kërkon në kuadrat moderne gra të bukura, skena idyllike, shenjtorë të rrethuem prej ëngjëjsh e ku t’a di unë sa prralla tjera. Kërko në to përkundrazi të pikzuem me ngjyra të gjalla mundimin e nji hamalli kur ngrenë nji arkë të madhe mushë me… shishe shampanje.
Edhe na shqiptarët do t’a rrënojmë të vjetrën. Mbi të do ngrefim madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunis. Kemi besim në vetvete, prandaj guzojmë.
Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjetvjeçar qi ju flet.
Shkodër 19 Qershur 1935
Memorie.al