Qëndrimi dinjitoz i Petro Markos në burgjet e italianëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dinjiteti, arma më e fortë e shqiptarëve në burgjet dhe kampet e internimit të nazi-fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore

 Dr. Arqile Veshi

Petro Marko

Problem i kuptimit dhe trajtimit të të burgosurve dhe të të internuarve shqiptarë, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga nazifashistët, ka dallim esencial nga të burgosurit dhe të internuarit në periudha të tjera historike, prandaj ata sot e në të ardhmen do të quhen me plot kuptimin e fjalës të burgosur e të internuar nga politika.

E them këtë se këta qindra e mijëra persona që u arrestuan, u burgosën dhe u internuan në periudhën nga 7 Prill 1939 deri 29 Nëntor 1944 jo se shkelën apo thyen ndonjë ligj të shtetit të tyre, por u ngritën në revoltë e luftuan me shumë mënyra kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e vendit.

Ata me pa të drejtë u arrestuan, u burgosën, u internuan nga ata që pushtuan atdheun. Nisur nga kjo padrejtësi shoqërore që iu bë popullit shqiptar, djemtë dhe vajzat shqiptare që iu nënshtruan kësaj padrejtësie treguan me dinjitet qëndresë e solidaritet edhe gjatë vuajtjes së dënimit në këto institucione që ngriti nazifashizmi në Shqipëri e në shumë vende të Evropës. Qëndresën, solidaritetin dhe vuajtjet çnjerëzore të shqiptarëve në këto burgje e kampe dëshiroj ta sjell te lexuesit në mënyrë të përmbledhur nga kujtimet e të madhit Petro Marko, një nga protagonistët e përjetimit të vuajtjeve në këto burgje e kampe internimi.

Pikërisht ai rrëfen se kuestura pruri në burg dhe e vari atje Vasil Laçin, i cili qëlloi me revolver mbretin e Italisë Viktor Emanuelin III kur kishte ardhur për vizitë në mbretërinë e tij të këtej detit. Atë e izoluan në një birucë që ruhej natë e ditë nga kuestura italiane, gjersa e nxorën në oborr, në një agim të asaj pranvere dhe e varën. Pikërisht në atë agim pashë që ai qëndroi pak çaste përballë trekëndëshit. Ndoshta nuk e besonte… gjersa u ngjit në fron, ndoshta nuk e besonte…gjersa i vunë litarin në fytin e tij të hollë. Nuk e besonte se në ato çaste ai hynte në historinë e popullit të tij që ka parë të mbinin trekëndëshat gjatë shekujve si kërpudhat pas shiut.

Thirri me litar në grykë: “Të rrojë Shqipëria e lirë”!, “Poshtë fashizmi!” Për aktin e pazakontë që bëri, me të drejtë i është dhënë titulli “Hero i Popullit”. Në burgun e Tiranës ishte edhe Petro Marko, i cili në kohën që do ta gjykonin me akuzën e “Atentat kundër unitetit të shtetit”, mendonte se me këtë akuzë kaq të rëndë do ta dënonin me varje në litar, ashtu siç vepruan me Vasil Laçin. Pikërisht këtë moment ai e përshkruan afërsisht në këtë mënyrë: Kur më futën në sallën e gjykatës ushtarake, s’kishte asnjeri. Ulu, më urdhëroi një karabinier. U ula i lidhur. I vetëm, pa njeri, pa asnjë shok, pa asnjë shqiptar. Dhe e ndjeva veten të shkretë, i braktisur, pa fat.

Shikoja përpara meje një tryezë të gjatë – mbi tryezën e mesit, një zile. Në orën e caktuar hyn trupi gjykues dhe fillon seance gjyqësore, sipas procedurave përkatëse. Kështu kryetari i trupit gjykues, gjenerali italian i thotë të pandehurit shqiptar se akuzoheni pasi keni hartuar dhe shpërndarë dy trakte dhe keni bërë krimin e madh, atentat kundër unitetit të shtetit… I pranoni këto akuza?

I akuzuari shqiptar pasi u mendua mbasi mori përgjigjen se kjo është Gjykata Ushtarake e Ushtrisë Mbretërore Italiane dhe se të akuzuarit i ndalohet të bëjë pyetje, por vetëm të përgjigjet, ai tha se: “Unë jam qytetar shqiptar, jam në Shqipëri, në vendin tim dhe, sipas gazetave zyrtare të Romës ekziston një qeveri shqiptare, e cila patjetër ka dhe gjykatat e saj, siç ka çdo qeveri, çdo shtet. Ju jeni italianë, jeni ushtarakë dhe s’keni të drejtë të gjykoni qytetarë shqiptarë që paskan shtetin dhe qeverinë e tyre…! Me ç’të drejtë më gjykoni mua? Ku janë gjykatësit dhe drejtësia e shtetit shqiptar?

Pas kësaj përgjigjeje therëse plot argument e guxim shqiptari, edhe në ato rrethana, kryetari i trupit gjykues i ra ziles dhe tha: Seanca mbyllet! Pasi nuk gjetën fakte për ta dënuar me burg në vendin e tij, u detyruan që së bashku me disa të burgosur të tjerë t’i internonin në disa ishuj të Italisë. Këtë makth dhe torturë psikologjike e fizike i përshkruan afërsisht në këtë mënyrë: S’ka kufi trishtimi dhe dëshpërimi, kur e sheh se po largohesh nga vendi yt, i lidhur këmbë e duar, për të vdekur kushedi se ku, larg njerëzve të tu, larg qiellit të vendit tënd. Mbrëmja e rëndë kishte rënë në limanin e Durrësit.

Asnjë logjikë nuk mund të sqaronte, qoftë edhe për një çast, qëllimin e italianëve me atë sjellje ndaj nesh. Pse na mbajtën gjithë ditën brenda makinës-burg? Si s’e hapën pak derën për të parë në rronim ende? Ne nuk flisnim më. Ishim të sfilitur, asfiksi në gjokse e në mendime.

E më në fund na nxorën nga makina dhe pasi pamë detin e pafund, përpara e në thellësi na zuri syri malet e Pezës, na pushtoi një ndjenjë malli… për vendin.,.. për tokën që po linim. Ja, edhe njëzet metra kishim… Njëzet metra larg ishte vapori. Njëzet metra Shqipëri akoma! Atëherë vërtet më erdhi keq që lamë makinën-burg. Dhe thashë me vete: “Më mirë në atë makinë që ishte mbi truallin tim shqiptar”.

Të heshtur zvarritnim këmbët e lidhura. Edhe nëntëmbëdhjetë metra Shqipëri. Po pse të gjithë kthejmë sytë pas? Pse nuk flet njeri? Vapori i madh ishte afruar në bankinë. Na shtynin. Po kush i ndiente të shtyrat dhe sharjet? Unë fola apo më erdhi nga brenda shpirtit që të bërtisja e të thosha “Mirupafshim, atdhe!”, sa të më dëgjonte deti e deti këtë thirrjen time ta rrëmbente e ta shpinte gjer në brigjet e Jonit e atje orë e çast me valët e tij të përsëriste duke u përplasur atyre shkëmbinjve: “Mirupafshim, atdhe!”. Marinarët na shikonin.

Lexo edhe :  Akuzohet për përdhunimin e një vajze, arrestohet 25-vjeçari i shpallur në kërkim

Disa prej tyre na morën valixhet, se nuk i mbanim dot me duar e këmbë të lidhura. U mundova t’i hidhja shikimin e fundit bregut shqiptar, po na shtynë e na britën, na britën e na shtynë gjersa na shpunë në hyrjen e hambarit…. – Po si do të zbresin? – pyeti një marinar. – Nga shkallët! – Si do të mbahen? Janë të lidhur këmbë e duar.

– Qafën le të thyejnë spiunët e djallit!

Pse na quajti “spiunë” ai oficeri? Spiunë na tha? Këto fjalë të tij aq më turbulluan, sa as që e di dhe as që do ta imagjinoj kurrë se si zbritëm e u gjendëm në hambarin e vaporit. Gjaku më ishte ndezur dhe doja ta shija pakëz atë oficer e t’i thosha vetëm dy fjalë… Po ai nuk zbriti në hambar. Në hambar zbritën disa karabinierë.

Na panë se si u shtrimë pranë njëri-tjetrit. Pastaj ikën. U ngjitën shkallëve. Mbyllën edhe boka-portën. Drita e një llambe elektrike e ndriçonte mirë atë copë të hambarit, në fund të vaporit. Hambari ishte shumë i më madh se makina-burg. Këtu mund të ngriheshin edhe në këmbë. Mund të lëviznim. Mund të shtrinim këmbët.

Trupin. Kishte ajër më shumë. Kishte dritë. Pikërisht këtu u ngritëm të gjithë më këmbë. Se, po të ngrihej njëri, duhej të ngriheshim të gjithë. Po të bënte njëri ujët e vogël ose nevojën, ja aty ngjitur, në një kanal ky hynte dhe dilte uji i detit, të gjithë duhej të ngriheshin që t’i lëvizte më kollaj duart. Një nga shokët çeli valixhen që shokët e burgut kur na përcollën na kishin vënë plot ushqime si: kuti me qumësht, kuti me reçel, marmelatë, biskota, mortadelë, galeta, bukë, kaçkavall…! Kujt i hahej, hëngri. Edhe unë mora një galetë.

Dhe sa herë që e afroja në gojë për ta kafshuar, ngrija me ngadalë duart e lidhura, se më dhembnin. Shokët hanin. Përtypeshin. Mendonin. Pas shumë orë pritjeje në fund të hambarit të vaporit dëgjuam poteren ritmike e zhurmuese të vinçit që ishte mbi kokët tona. Tani e nis ai mbledhjen dhe lëshimin e përhershëm të zinxhirit?

Apo kishte kohë, ndoshta gjithë ditën? Po çfarë shkarkonte? Topa? Tanke? Pse, pak topa e pak tanke kishte shkarkuar Italia në Shqipëri? Apo tani shkarkonte zinxhirë për të lidhur gjithë shqiptarët? Po a lidhet një popull i tërë? A varet një popull i tërë? Zinxhirët janë të ftohtë, po e ndezin më shumë urrejtjen…urrejtjen! Dhe urrejtja ndjell revoltën…dhe revolta e shqipove s’pyet për zinxhirë, për tanke, për topa…se vringëllima e zinxhirëve me shekuj është dëgjuar në Shqipëri, po era nuk është trembur… Era nuk është tutur. Era ka fryrë e lirë dhe të lirë janë rritur shqiptarët.

Të gjithë zgjatëm këmbët. U shtrimë. Kërkuam të vinim diçka si jastëk. Si bënte njëri, ashtu bënte edhe tjetri. Përkundeshin lehtë, sikur na nanuriste djepi i ankthit me muzikën e çmendur të vinçit. Pse? Ç’zhurmë ferri! Ç’qëllim kanë? Të na çmendin para se të mbytemi? Ky vinç i mallkuar! Shkarkojnë gjë, apo e bëjnë enkas për ne?” Dhe pasi folëm e folëm të gjithë zgjatëm këmbët…. U mbështetëm. Siç dukej, tani ishte ora e mendimeve. Dhe secili u ndrydh në botën e kujtimeve të tij, në botën e dhembjeve të tij.

Ashtu bëra edhe unë. Herën e parë u mundova të rregulloja mirë dengun-jastëk, se kokën e kisha shumë lart. Pastaj u përpoqa të rregulloja mirë prangat, që të mos më rëndonin. Mora frymë thellë. Mbylla sytë… në këtë kohë vinçi heshti. Heshti… Vërtet heshti? Kjo tregonte se vapori u nis drejt brigjeve të Italisë për të dërguar të burgosurit shqiptarë në kampet e internimit që fashizmi kishte ndërtuar në disa ishuj të Italisë. Në mënyrë sinjifikative për qëndresën e dinjitetin e të arrestuarve, të burgosurve dhe të internuarve, domethënëse është mbrojtja parimore që bën një shqiptar para trupit gjykues me kryetarin e gjykatës ushtarake italiane.

Kryetari: I akuzuar, a e pranoni fajin?

Shqiptari: Cilin faj?

Kryetari: Që keni hartuar e shpërndarë këto trakte!

Shqiptari: Unë kam pasur fatin të edukohem me frymën patriotike të gjenive të Italisë si: Alfieri, Verdi, Garibaldi etj., të cilët më mësuan ta dua me gjithë shpirt atdheun tim. Dhe atdheu im është Shqipëria, siç është për ju Italia. Ç’do të bënit ju, zoti gjyqtar, sikur të kishit në Romë një ushtri okupatore, bie fjala atë të Hitlerit? Ç’do të bënit ju zotëri, sikur të gjykoheshit nga një gjykatë hitleriane?

Patjetër që do të bënit më shumë se unë për të mbrojtur vendin dhe nderin e popullit tim. Pra, cili dhe pse mund të më frikësojë që të mohoj atdheun tim? Askush, qoftë edhe kuestura fashiste e cila s’ka për të gjetur terren për krimet e saj. Se këtu i thonë Shqipëri! Vendi që quhet Shqipëri, është varri i vërtetë i atyre që duan të shkelin e përdhosin nderin dhe dinjitetin e këtij vendi që simbolizon shqiponjën.

Këto e të tjera fakte, ngjarje e persona të shumtë flasin qartë e me vërtetësi të pa kundërshtueshme për qëndrimin dinjitoz të atyre njerëzve që janë jo pak, pasi sipas të dhënave që disponojmë, janë internuar mbi 5000 shqiptarë, nga të cilët 1250 vetë nuk janë kthyer më. Ata me qëndrimin dhe veprimin e tyre, edhe në kushtet e internimit, mbrojtën vlerat morale, njerëzore e patriotike të popullit shqiptar, e si të tillë duhen nderuar e respektuar nga të gjithë ata që e ndiejnë veten shqiptarë.

Të fundit

Armëpushimi nis mëngjesin e së dielës. Izraeli, sulme deri në minutën e fundit

Armëpushimi në Gaza do të nisë të dielën në 08 e 30, me orën lokale, ose 7 e 30...

Pija perfekte e mëngjesit, uji me kete frut pastron mëlçine dhe permireson tretjen

Një nga pijet më të famshme është uji me rrush të thatë. Pija me rrush të thatë mund të bëhet shpejt një zakon sepse...

Shqipëria, potencial për litium?

Për herë të parë vendi ynë do të ketë Udhërrëfyesin mbi Potencialin e Lëndëve të Para Kritike dhe Strategjike. Ky udhërrëfyes do të ofrojë një...

Ukraina ndërpret gazin rus, Orban: Europa po shkon drejt një krize energjetike.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka cilësuar situatën e fundit energjetike në Europë, si alarmante. Sipas tij aktualisht vendimet e Ukrainës për të ndërprerë...

Trajneri i Dinamos: Statistikat nuk vlejnë ndaj Elbasanit, pres takim delikat

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja doli në konferencë para ndeshjes ndaj Elbasanit. “Nuk do të thotë asgjë që e kemi mundur Elbasanin në dy ndeshjet...

Lajme të tjera

Web TV