Basha: Qeveria ka shpenzuar 200 mijë euro për zyrë ministri në kohë pandemie

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se qeveria nuk i ka ndërprerë koncesionet për 5 oligarkë.

Kryedemokrati theksoi se edhe tenderat për letrën higjienike nuk janë pezulluar, apo shpenzimet e luksit, si arredimi i zyrës së një ministri.

Basha nuk përmendi emrin e ministrit por deklaroi se janë shpenzuar 200 mijë euro për një zyrë ministri.

“Pse turizmi shqiptar është lënë në mëshirë të fatit?! Pse ekonomia shqiptare kërcënohet?! Përgjigja është e thjesht, sepse qeveritë e tjera kanë lënë mënjane çdo gjë tjetër.

Këtu edhe në kohë COVID-i vjedhin për maskat, për tenderat e letrës higjienike. Është i vetmi vend në Ballkan, ku shpenzohet 200 mijë euro për një zyrë ministri.

Prokurimet e mëdha i marrin vetëm 5 njerëz, koncesionet dhe PPP-të, dhe gjithë buxheti i shqiptarëve është për ta. Që hanë dhe pinë me Edi Ramën dhe 3-4 ministrat e tij. Rezervat këtu janë.”, tha Basha në një intervistë për ‘Kjo Javë’ në News24.